Qytetet më të famshme turistike të Kinës

2018-11-13 15:59:05 CRI Komenti juaj Printoni

Kina është një vend me një numër të madh kombësish dhe çdo qytet kinez ka karakteristikat e veta arkitektonike. Në veri ndodhet Pekini, kryeqyteti i Kinës; në lindje Shangai, qendra ekonomike e vendit; në perëndim është Lhasa, një qytet me një peizazh të bukur dhe karakteristika dalluese të kombësive, dhe në jug Kunming-u, i quajtur "qyteti i pranverës ". Këto qytete të bukura dhe të begata shkëlqejnë si perla në territorin kinez, që shtrihet në 9.6 milionë kilometra katrorë.

Më shumë se 100 qytete në Kinë kanë fituar titullin e "qytetit të shkëlqyer turistik në nivel kombëtar", që përfshijnë Shangain, Pekinin, Tianjin-in, Chongqing-un, Shenzhen-in, Hangzhou-n, Dalian-in, Nankinin, Xiamen-in, Guangzhou-n, Chengdu-në, Shenyang-un, Qingdaon, Ningbonë, Xian-in, Harbinin, Jinan-in, Changchun-in dhe Lhasën. Përveç kësaj, janë përzgjedhur edhe të paktën 10 qytete të famshme historike e kulturore, duke përfshirë Harbinin, Jilin-in, Zhengzhou-n, Zhaoqing-un, Liuzhou-n dhe Qingdaon.

Pekini

Pekini, kryeqyteti i Kinës, është gjithashtu qendra e saj politike dhe kulturore. Ai ndodhet në pjesën veriore të fushës "Huabei", në të njëjtën gjerësi gjeografike me Romën dhe Madridin. Pekini ka një klimë kontinentale, dimri është më i gjatë se vera, pranvera dhe vjeshta janë të thata e të shkurtra. Temperatura mesatare vjetore është 11.8° C.

Pekini ka një histori të gjatë prej më shumë se 3 000 vjetësh. Në lashtësi Pekini ka qenë një qytet ushtarak në veri të Kinës. Pekini ka qenë kryeqytet që prej dinastisë Qin, dhe më pas, edhe dinastitë Yuan, Ming dhe Qing, e kishin si kryeqytet. Gjithsej 34 perandorë i dhanë urdhrat e tyre për të gjithë vendin nga Pekini.

Pas themelimit të Kinës së Re, veçanërisht pas fillimit Reformës dhe Hapjes në Kinë, pamja e Pekinit ka pësuar një ndryshim të madh. Ndërtesat moderne dhe zgjerimi i shkëmbimeve me vendet e huaja ia kanë ndryshuar fytyrën Pekinit dhe e kanë kthyer atë në një metropol ndërkombëtar. Historia e lashtë ndërthuret në mënyrë të përkryer me qytetin modern. Pekini tashmë mirëpret mijëra turistë kinezë dhe të huaj.

Historia e gjatë i ka lënë Pekinit një numër të madh monumentesh të lashta dhe një kulturë të pasur. Nëse jeni të interesuar për monumentet historike, mund të ngjiteni në Murin e Madh, të vizitoni Qytetin e Ndaluar, Pallatin e Verës, parkun "Beihai", Kodrat e Merme (Xiangshan), Tempullin e Qiellit etj. Nëse doni të njihni kulturën e lashtë të Kinës dhe të Pekinit, mund të vizitoni shtëpitë e shumë njerëzve të famshëm të dikurshëm dhe të admironi Operën e Pekinit. Nëse jeni të interesuar për zhvillimin politik, ekonomik, tekniko-shkencor e ushtarak, mund të vizitoni qindra muzetë e Pekinit, dhe madje edhe pamjet e bukura në rrethinat e tij.

Tani në Pekin ka mjaft pika turistike të kategorisë A në nivel kombëtar, si Tempulli i Qiellit, varrezat e dinastisë Ming, Pallati i Verës, Muri i Madh, parku "Beihai", Parku Kombëtar, Kopshti Zoologjik, Kopshti Botanik etj. Përveç tyre, ka edhe shumë muze të njohur, si Muzeu i Shkencave i Kinës, Muzeu Kombëtar i Artit, Muzeu i Kryeqytetit etj.

Xian-i

Një tjetër qytet i fashmëm në Kinë është Xian-i. Xian-i është kryeqendra e provincës Shanxi dhe vlerësohet si qendër politike e ekonomike dhe nyjë komunikacioni në veriperëndim të Kinës.

Xian-i ka qenë kryeqyteti i parë i Kinës së bashkuar e kryeqytet i shumë dinastive. Ai ka historinë më të vjetër ndër gjashtë kryeqytetet e lashta të Kinës (pesë të tjerët janë Luoyang-u, Nankini, Kaifeng-u, Hangzhou e Pekin-i). Xian-i ka luajtur një rol të madh në historinë e Kinës.

Xian-i, si një nga katër qytetet më të vjetra në botë, është një vend i njohur turistik. Ai quhet edhe si "mrekullia e tetë e botës". Ushtria prej terrakote në Lintong të Xian-it ka 6000 statuja dhe është një zbulim i madh. Në Xian ka shumë monumente të lashta dhe shumë pika turistike, si Pagoda e Patës së Egër, Pellgu i Konkubinës Yangyuhuan, mali Huashan etj.

Xian-i ka edhe shumë ushqime të shijshme, ndër të cilat spikat përsheshi me mish qingji.

Lhasa

Lhasa është kryeqendra e Rajonit Autonom të Tibetit dhe gjendet në rrafshnaltën Qinghai-Tibet. Moti aty është i kthjellët gjatë gjithë vitit, rrallë bie shi, në dimër nuk bën ftohtë dhe në verë nuk është nxehtë. Temperatura mesatare vjetore është 7.4 ℃, stinët me shi janë korriku, gushti e shtatori, reshjet mesatare vjetore janë rreth 500 milimetra dhe më shumë se 3000 orë në vit këtu ka diell, prandaj Lhasa quhet edhe si "qyteti i diellit". Lhasa ka ajër të freskët dhe është një vend ideal për të kaluar verën.

Lhasa ndodhet 3600 m mbi nivelin e detit. Trysnia atmosferike është e ulët, prandaj kur shkoni aty mund të keni dhimbje koke, marramendje etj. Kur shkoni ditën e parë në Lhasë, duhet të pushoni për të marrë veten nga problemet që shfaqen prej lartësisë.

Stina turistike në Tibet është nga prilli në tetor.

Në gjuhën tibetane Lhasa do të thotë shtëpia qiellore. Lhasa ka një histori të gjatë dhe një kulturë të fortë fetare. Pikat kryesore turistike aty janë pallati "Potala", tempulli "Dazhao", rruga "Bakuo" etj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore