Ekspozita e Importit e Kinës u sjell kompanive shqiptare raste biznesi

2018-11-13 15:44:43 CRI Komenti juaj Printoni

Në Ekspozitën e 1-rë Ndërkombëtare të Importit të Kinës që u zhvillua javën e kaluar, morën pjesë mbi 3600 kompani nga më shumë se 130 vende e rajone të botës. Lidhur me këtë ekspozitë të parë importi në botë në nivel kombëtar, kryetarja e delegacionit të Shqipërisë, zv.ministrja e Ekonomisë dhe e Financave Albana Shkurta komentoi se kjo veprimtari krijon një mundësi të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit që të futen në tregun kinez, duke shtuar më tej se ekspozita është një veprimtari konkrete e Kinës në nxitjen e hapjes së mëtejshme të vendit.

Në këtë miting, vizitorët mund të njohin burimet e pasura turistike të Shqipërisë në sallën e pavijoneve kombëtare dhe të provojnë produktet e veçanta shqiptare, si mjaltë, verë, çaj mali dhe pije organike të sjella nga kompanitë "Morava", "Natyral ATC", "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" dhe "Aquila Group".

Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës, e propozuar nga presidenti Xi Jingping, është ekspozita e parë e importit në rang kombëtar. Ajo synon t'i ndihmojë vendet e ndryshme të shfryzëtojnë mundësitë që krijon zhvillimi i Kinës e të thellojnë bashkëpunimin ekonomiko-tregtar ndërkombëtar, duke realizuar lulëzimin e përbashkët. Kjo ekspozitë është edhe simbol i dëshirës së Kinës për nxitjen e ndërtimit të një ekonomie botërore të hapur dhe të globalizimit ekonomik.

Kryemenaxheri i kompanisë "Morava", z. Eugen Skermo, i tha Radios së Jashtme të Kinës se ai ka besim të plotë te tregu kinez dhe se ekspozita është një shans i mirë për futjen e kompanisë së tij në këtë treg. "Morava" solli në Shangai produkte klasike dhe moderne, duke bërë edhe ridizenjim të produkteve në përshtatjen me kërkesat e konsumatorëve kinezë.

"Presim akoma më shumë këto ditë të ketë interes jashtëzakonisht të madh. Unë besoj se tregu kinez është një treg shumë i madh, që ne nuk mund ta furnizojmë, por ne kemi diçka shumë të mirë, që kemi produkte vërtet shumë cilësore. Kjo është vërtet një gjë e mirë dhe njerëzit e tregtarët e kërkojnë. Besoj se ne shumë shpejt të do të jemi në tregun. Unë kam besim se ne, si një ndër kompanitë e para që kanë ardhur, do të jemi realisht në tregun kinez që është plot potencial", u shpreh z. Skermo.

Fryma e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë është shfaqur në gjithë procesin e organizimit të ekspozitës.

Lidhur me këtë, z. Orges Liperi nga "Natyral ATC" tha se, pas konfirmimit të marrjes pjesë në këtë ekspozitë, kompania e tij ka marrë ndihmë nga pala kineze për përkthimin e përbërësve dhe funksioneve të çajit të malit dhe bërjen e materialeve reklamuese përkatëse.

"Shteti kinez na përkrah dhe ndihemi të vlerësuar. Një nga prioritetet që na jepet është se kemi mundësi të shesim mallin tonë në Kinë. Ne do të japim maksimumin tonë për sa i përket produktit në tregun kinez. Ndihemi të mbështetur, të përkrahur dhe të sigurt të vazhdojmë të investojmë vit pas viti për këtë rrugë që kemi ndërmarrë. Vitin tjetër do të përpiqemi që të vijmë prapë, sepse ndihemi të sigurt", shtoi z. Liperi.

Sipas informacioneve të publikuara sivjet nga INSTAT-i, vjet vëllimi i tregtisë midis Shqipërisë dhe pjesës kontinentale të Kinës ishte 486 milionë dollarë amerikanë, duke zënë 6.4 % të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë. Megjithëse Kina ishte partnerja e katërt më e madhe tregtare e Shqipërisë, ajo nuk radhitet ndër pesë vendet e para të eksportit për Shqipërinë. Lidhur me këtë, zv.ministrja e Ekonomisë dhe e Financave Albana Shkurta bëri e ditur se tani disa politika për eksportimin e produkteve bujqësore shqiptare në Kinë janë në hartim e sipër, nga të cilat bashkëpunimi tregtar mund të gjejë hapsira të mëdha. Sipas saj, ekspozita e kësaj here është një rast i çmuar për ndërmarrjet shqiptare, sidomos ato të mesme dhe të vogla, që të shfaqin produktet e tyre së bashku me gjigantët ndërkombëtarë, për të gjetur mundësi biznesi në tregun kinez. Duke folur për pjesëmarrjen e saj në forumin tregtar në kuadër të ekspozitës, znj. Shkurta tha:

"Gjatë diskutimeve që kishim dhe gjatë prezantimeve të ndryshme që u bënë në panele, veçanërisht më bëri përshtypje paneli ku u diskutua për tregun dhe për hapjen e tregut, si dhe paneli tjetër për tregun dhe mundësinë që jep inovacioni jo vetëm për biznese shumë të mëdha, por në njëfarë mënyre inovacioni është ai që demokratizon tregtinë, duke u dhënë mundësinë edhe atyre bizneseve që sot janë të vogla dhe që mund ta konsiderojnë si shumë të frikshme hyrjen në një treg kaq të madh siç është Kina. Por në të vërtetë teknologjia është pikërisht ajo që mund t'i japë nesër një mundësi biznesit të vogël në Shqipëri për të gjetur konsumatorët e vet edhe në Kinë."

Në intervistën për Radion e Jashtme të Kinës, numri dy i dikasterit shqiptar të ekonomisë vlerësoi edhe mesazhin pozitiv që dha fjalimi i presidentit kinez Xi Jinping.

"Në fakt, i gjithë fjalimi ishte vërtet frymëzues, jo vetëm për iniciativën 'Një brez,një rrugë', por edhe iniciativa 'Epoka e re për një të ardhme që e ndajmë së bashku'. Mesazhi kyç është që hapja e tregut kinez paraqet një mundësi shumë të madhe jo vetëm për rritjen ekonomike të Kinës - duke pasur parasysh që nxitës kryesor i ekonomisë kineze ka qenë pikërisht rritja e kërkesës nga konsumatorët vendës - por edhe mundësi që u jepen vendeve të tjera për të shfrytëzuar nga kjo rritje konsumi. Në këtë kuptim, koncepti që presidenti kinez dha është që një tregti e lirë dhe e hapur është në fakt në avantazhin e të gjithëve", u shpreh zv.ministrja e Ekonomisë dhe e Financave e Shqipërisë Albana Shkurta.

Mrekulli
Lajmet Kryesore