Guilin dhe mali Changbai

2018-11-05 16:20:02 CRI Komenti juaj Printoni

Kina ka një territor të gjerë, male dhe lumenj të bukur, kulturë të veçantë, kombësi të ndryshme me tradita e zakone të larmishme, prodhime e zeje karakteristike, si edhe një kuzhinë të njohur në mbarë botën. Burimet turistike të Kinës janë jashtëzakonisht të pasura dhe me potenciale të mëdha zhvillimi. Me zhvillimin e ekonomisë kineze dhe thellimin e hapjes së saj, turizmi është bërë një pikë e re e rritjes ekonomike. Numri i pikave turistike në mbarë Kinën është rritur, infrastruktura ka ardhur duke u përmirësuar vazhdimisht dhe numri i të huajve që vizitojnë Kinën është rritur nga viti në vit.

Kina ka një shumëllojshmëri të madhe burimesh turistike. Sa i përket peizazhit gjeomorfologjik, nga fundi i liqenit Aiding në pellgun e Turpanit, 155 metra nën nivelin e detit, deri në majën më të lartë të botës, Everest, 8848 metra mbi nivelin e detit, diferenca absolute në lartësi është 9003 metra, duke përbërë diçka unike në botë. Për sa u përket burimeve turistike të klimës, mund të thuhet se Kina ka një "efekt të veçantë trepërmasor të klimës", veçanërisht në vargmalet Hengduan, ku "një mal ka katër stinë dhe brenda pesë kilometrave ka klimë të ndryshme".

Kina është një djep i qytetërimit botëror. Ajo ka një histori të lavdishme dhe kulturë të shkëlqyer. Trashëgimia e çmuar që jeton ende edhe sot e kësaj dite përbën një burim jashtëzakonisht të çmuar turistik. Që nga themelimi i Kinës së Re në vitin 1949, në 29 nga 34 njësitë administrative në nivel province në Kinë janë zbuluar vende arkeologjike të paleolitit.

Midis shumë vendeve me interes në Kinë, ushtarët dhe kuajt e terrakotës në mauzoleun e perandorit të parë kinez Çin Shihuang njihen si mrekullia e tetë e botës dhe tërheq miliona turistë çdo vit. Pikturat murale në guvat Mogao në Dunhuang njihen si një thesar i artit botëror. Muri i Madh, i famshëm në botë, është një peizazh madhështor që dëshiron ta shohë çdokush që viziton Kinën.

Tani Kina ka 53 vende të trashëgimisë botërore, duke përfshirë 36 vende të trashëgimisë kulturore, 13 vende të trashëgimisë natyrore dhe 4 vende të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Këto trashëgimi përfshijnë peizazhe, tarraca, shpella, guva, tempuj, kopshte mbretërore, shtëpi etj. Ato pasqyrojnë ndër të tjera besimet dhe interesat e popullit kinez.

Përveç kësaj, Kina ka 56 kombësi, secila me historinë, kulturën dhe zakonet e veta të veçanta, duke krijuar një peizazh kulturor të gjallë dhe interesant.

Peizazhet e famshme natyrore të Kinës

Kina është shumë e pasur në burime natyrore. Përveç parqeve natyrore të Jiuzhaigou-t, Zhangjiajie-së e Huanglong-ut, që janë përfshirë në "Pasuritë natyrore botërore", ka edhe shumë peizazhe të tjera natyrore të bukura, si Guilin-i në jugperëndim, mali Changbai në verilindje, pylli tropikal i shiut në Xishuangbanna në Yunnan po në jugperëndim etj.

Sot do t'ju njohim me Guilin-in dhe malin Changbai.

Qyteti Guilin ndodhet në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang në Kinën Jugperëndimore. Klima e tij është e butë dhe e lagësht; nuk bën ftohtë në dimër nuk bën nxehtë në verë, ka gjelbërim në të katër stinët dhe temperatura mesatare vjetore është 19° C.

Guilin ka një mjedis të mirë natyror. Sipas hulumtimeve gjeologjike, rreth 300 milionë vjet më parë, Guilin-i ishte det. Për shkak të lëvizjes së kores së tokës, sedimentet gëlqerore u ngritën dhe, nëpërmjet gërryerjes, krijuan kodra me forma të çuditshme, shpellë të thella karstike dhe lumenj të mistershëm nëntokësorë. Këto forma të veçanta tokësore gërshetohen me pamjet e mrekullueshme të lumit Lijiang, duke formuar një peizazh unik të njohur si "panorama e Guilin-it", të famshëm brenda e jashtë vendit për "malet e gjelbra, ujin e kthjellët, shpellat e çuditshme dhe gurët e bukur ".

Guilin është një qytet i lashtë me një histori mbi 2100-vjeçare dhe një kulturë të mrekullueshme. Ai ka 109 relikte kulturore të mbrojtura në shkallë kombëtare, rajoni dhe qyteti. Poezitë dhe statujat budiste me të cilat intelektualët, poetët, piktorët dhe bukurshkruesit kanë vlerësuar peizazhet e Guilinit janë të përhapura kudo nëpër kodrat dhe shpellat e zonës. Midis tyre, më të njohurit janë "Pylli i pllakave me mbishkrime Guihai" dhe "Gdhendjet në gur të malit Xishan". Pikat e famshme piktoreske në Guilin përfshijnë: majën Bilian, parkun "Qixing", ujërat termale "Longsheng", Shpellën e Flautit prej Kallami dhe Kodrën e Feçkës së Elefantit.

Në Guilin ka dhjetëra hotele e agjenci turistike ndërkombëtare. Në vitet e fundit, infrastruktura turistike e Guilin-it është përmirësuar më tej dhe ka më shumë se 40 linja të drejtpërdrejta ajrore në qytetet e mëdha brenda dhe jashtë vendit.

Mali Changbai

Mali Changbai ndodhet në provincën Jilin të Kinës Verilindore, në kufirin mes Kinës dhe Koresë së Veriut, dhe është burimi i tre lumenjve: Tumen, Yalu dhe Songhua. Pyjet e pafundme dhe kafshët e rralla që jetojnë në to në vitin 1980 janë përfshirë në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës të Kombeve të Bashkuara.

Mali Changbai ka marrë edhe emrin "Mali numër një i Verilindjes", i cili njihet edhe si mali i parë në verilindje të Kinës. Mali Changbai ka qenë gjithmonë i banuar dhe njihet si vendlindja e kombësisë mançure. Prandaj, në dinastinë Qing të Kinës, quhej "tokë e shenjtë", dhe gjithashtu njihet edhe si "Mali i shenjtë" i kombësisë koreane të Kinës.

Changbai, që do të thotë "Mali gjithnjë i bardhë", ka marrë këtë emër për shtufin dhe borën e përhershme në majën e vet kryesore. Ai është një vullkan i fjetur. Sipas të dhënave historike, ai ka shpërthyer tre herë që nga shekulli i 16-të. Peizazhi i malit Changbai është i veçantë dhe i jashtëzakonshëm. Pikat e famshme piktoreske të malit janë: liqeni Tianchi, pylli i mështeknave Yuehualin, Pylli Nëntokësor, Lugina e Madhe, Kopshti Malor, Maja Kryesore, Pylli i Shtufit etj.

Mali Changbai është zona kryesore për prodhimin e xhensenit, peliçeve me lëkurë kunadheje etj. Mali është i pasur me burime të rralla biologjike, Bimët

përfshijnë të ashtuquajturat pisha të bukurisë, rrushin e malit, kërpudhat e egra, kurse kafshët tigrin siberian dhe krillën kurorëkuqe.

Transporti për në malin Changbai është shumë i përshtatshëm. Aty mund të shkohet me aeroplan nga Seuli i Koresë së Jugut, ose brenda Kinës mund të shkohet nga Pekini, Shangai, Shenyang dhe qytete të tjera të mëdha për në qytetin Yanji, dhe prej andej me autobus në mal. Në rrëzë të malit ka hotele.

Mrekulli
Lajmet Kryesore