Mësuesit kinezë të matematikës në Britani

2018-10-01 11:36:43 CRI Komenti juaj Printoni

Zhang Yuhong, mësuese e matematikës nga Shangai, po bën përgatitje për udhëtimin e tretë për të dhënë mësim në Britani janarin që vjen.

35-vjeçarja ka punuar për dhjetë vjetë në Shkollën Fillore Nr.1 "Tianshan". Ajo është një ndër mësueset e para nga Shangai që kanë shkuar në Britani për një program shkëmbimesh që ka nisur në vitin 2014.

"Mësuesit e matematikës nga Shangai janë mirëpritur në shkollat britanike. Jam e gëzuar që do të përdor versionin në anglishte të teksteve mësimore të matematikës që përdoren në shkollat e Shangait gjatë udhëtimit tim të tretë në Britani", u shpreh Zhang.

Në marsin e vitit 2017, shtëpia botuese britanike "Harper Collins" nënshkroi një marrëveshje me grupin e botimit të Shangait SCPG në Panairin e Librit të Londrës, për botimin në gjuhën angleze të këtyre teksteve mësimore. Të 36 librat e serisë u janë paraqitur nxënësve britanikë shtatorin e vjetshëm.

Pas fillimit të programit në vitin 2014, rreth 200 mësues të matematikës nga Shangai kanë marrë pjesë në të, duke ndarë përvojat e tyre të vlefshme mësimdhënëse në 8000 shkolla fillore dhe të mesme në Britani, sipas burimeve nga Universiteti Pedagogjik i Shangait, institucioni përgjegjës për zbatimin e programit në Kinë dhe për kualifikimin e mësuesve në gjuhën angleze.

Sipas z. Zhang Minxuan, personi përgjegjës për programin, vitin tjetër mbi 80 mësues të matematikës nga Shangai do të vizitojnë shkollat britanike. Para vitit 2020, mësuesit kinezë pritet të kenë të pranishëm në 10 mijë shkolla në mbarë Mbretërinë e Bashkuar. Në të njëjtën kohë, edhe mësuesit britanikë do të vizitojnë shkollat në Shangai për të shkëmbyer idetë e tyre mbi mësimdhënien me kolegët kinezë.

Sipas një raporti vlerësimi të publikuar në vitin 2013 nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) lidhur me aftësinë e nxënësve nga mbarë bota, nxënësit nga Shangai zunë tre vendet e para në testet e matematikës, të leximit dhe të shkencës, ndërsa ata nga Britania nuk u renditën as në 20 vendet e para në të gjitha testet, ndërsa në atë të matematikës u renditën në vendin e 26-të. Në krahasim me ta, 1/4 e nxënësve kinezë patën rezultatet më të mira në matematikë, përqindja më e lartë kjo ndër të gjithë pjesëmarrësit.

Një sondazh i kryer nga Konfederata e Industrisë Britanike (CBI) tregon se 30% e kompanive pjesëmarrëse në sondazh ishin të pakënaqura me aftësitë llogaritëse të të diplomuarve dhe mbi 2/3 e punëdhënësve dëshironin që shkollat të rritnin cilësinë e mësimdhënies së matematikës dhe të shkencave të tjera.

Prandaj, për të ngritur cilësinë e mësimdhënies, Britania vendosi të mësonte nga metodat kineze, ose modeli i Shangait. Në vitin 2014, Kina dhe Britania nisën programin e shkëmbimeve të mësuesve të matematikës. Në të njëjtën vit, autoritetet arsimore britanike ftuan 60 mësues kinezë për të ndarë përvojat e tyre në mësimdhënien e matematikës. Në vitin 2015, tekstet mësimore të matematikës të shkollave të Shangait u paraqitën zyrtarisht në Britani.

Në vitin 2016, Departamenti britanik i Arsimit shpalli se do të shpenzonte 41 milionë paund për një program katëvjeçar për të përhapur metodën e mësimdhënies të Shangait.

Chen Yilin, një mësuese e matematikës nga Shkolla Qendrore Fillore Nr.1 e Shangait, ishte një ndër mësuesit që kreu programin e shkëmbimeve në Britani në janar.

Gjatë qëndrimit dyjavor, ajo vuri re dallimet në mësimdhënie ndërmjet të dy vendeve. "Në Britani, mësuesit parapëlqejnë të përdorin mjete të shumëllojshme dhe i kushtojnë më shumë vëmendje mësimdhënies së shtresuar, pra, nxënësit ndahen në grupe sipas aftësive të tyre. Por metoda jonë thekson një qasje hap pas hapi për të gjithë nxënësit", thotë ajo.

Pavarësisht se ndryshimet e mëdha ndërmjet të dy vendeve përbëjnë vështirësi, mësuesit kinezë në Britani po i përshtatin planet e tyre mësimore sipas atyre britanike kur nevojitet.

"Para dhënies së mësimit në shkollat britanike, ne gjithmonë diskutojmë me homologët britanikë se cili koncept mësimdhënës është më i përshtatshëm për nivelin dhe kërkesat e nxënësve vendorë", thotë znj. Zhang.

Ndërsa znj. Chen beson se metodat kineze dhe britanike të mësimdhënies kanë epërsitë dhe të metat e veta: "Nxënësit kinezë janë të mirë në zgjidhjen e problemeve me njohuritë që zotërojnë. Por ata ndonjëherë ngecin lehtë në mënyrën e të menduarit për inerci. Ndërsa nxënësit britanikë kanë ide më të larmishme përballë detyrave të ndërlikuara".

Një ndryshim tjetër i dukshëm është se mësuesit kinezë fokusohen te matematika, kurse homologët e tyre britanikë, me sfond më të gjerë arsimor, janë në gjendje të ofrojnë mësim ndërdisiplinor me konceptet e matematikës.

Pavarësisht këtyre, shkollat britanike shprehin interes të madh për metodat mësimdhënëse kineze dhe shpresojnë se mund të mësojnë nëpërmjet prezantimit të mësuesve dhe teksteve mësimore nga Shangai.

Chen Yilin tha se është pyetur shpesh se si t'u jepte mësim nxënësve me nivele të ndryshme në të njëjtën klasë. Përgjigjja e saj ishte se tekstet mësimore ndihmonin shumë në këtë drejtim.

Tani këto tekste janë përkthyer në gjuhën angleze dhe janë të parat tekste kineze që përdoren në sistemin arsimor të një vendi të zhvilluar.

Mrekulli
Lajmet Kryesore