Kina ndihmon në trajnimin profesional përgjatë "Një brez, një rrugë"

2018-09-25 15:06:07 CRI Komenti juaj Printoni

Në fillim të shtatorit, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping shpalli në ceremoninë e hapjes së Samitit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë se Kina do të krijojë 10 punishte "Luban" në Afrikë për të ndihmuar në trajnimin profesional të të rinjve vendorë.

Këto punishte emërtohen sipas një zejtari të njohur, Luban, që ka jetuar para 2500 vjetësh. Autoritetet e arsimit profesional të qytetit Tianjin propozuan krijimin e këtyre punishteve dhe deri tani pesë të tilla janë ngritur në pesë vende përgjatë nismës "Një brez, një rrugë", duke përfshirë Tajlandën, Indinë, Indonezinë, Pakistanin dhe Britaninë e Madhe. Punishtet synojnë të ofrojnë trajnim profesional për banorët vendorë në bashkëpunimin me kompanitë kineze.

Tianjin-i, një metropol bregdetar afër Pekinit, ka një zonë për reformat dhe risitë e arsimit profesional, që quhet Parku i Arsimit "Haihe". Atje ndodhen 10 kolegje profesionale, nga të cilat janë krijuar pesë punishte deri tani.

Projekti i Praktikave Inovative të Inxhinerisë (EPIP) është një model i ri arsimor i projektuar në vitin 2010 nga profesori Ly Jingquan, drejtor i arsimit i Bashkisë së Tianjin-it. Nëpërmjet zbatimit të këtij projekti janë hartuar metoda të reja të trajnimit profesional dygjuhësh në Kinë. Punishtja e parë "Luban" që zbatoi këto standarde dhe përdori këto materiale mësimore u themelua në Tajlandë nga Kolegji Profesional "Bohai" i Tianjin-it, duke e përhapur më vonë në vende të tjera.

"India ka nevojë për personel teknik. Pajisjet që vijnë në Indi bashkë me investitorët kinezë kërkojnë edhe një numër të madh teknikësh për vënien në funksionim dhe mirëmbajtjen e tyre", thotë z. Wang Juan, i cili përgjigjet për krijimin e punishtes Luban në Indi.

Punishtja "Luban" në Indi, e ndërtuar në fund të vitit të kaluar nga Kolegji Profesional i Teknologjisë së Industrisë së Lehtë dhe Kolegji Profesional i Mekanikës dhe Elektricitetit, deri tani ka përgatitur mbi 200 studentë dhe punëtorë nga universitetet dhe kompanitë indiane.

Në këtë punishte jepen mësime për katër lëndë: manifaktura, prodhim i energjisë fotovoltaike, projektimi mekanik dhe kontrolli digjital të pajisjeve, të cilat janë në përputhje me kërkesat e kompanive kineze që investojnë në Indi.

Shumica e vendeve ku Kina ka krijuar punishte "Luban", gjenden përballë problemit të mungesës së stafit mësimdhënës, gjë që kufizon zhvillimin e arsimit profesional vendor.

Një mësues nga një kolegj profesional indonezian i tha gazetës "Global Times" se vendit të tij i nevojitet urgjentisht një staf mësimdhënës profesional, sepse shumë mësues të rinj rekrutohen nga institucionet akademike të shkollimit të lartë.

Ai është një ndër 21 anëtarët e një grupi mësimdhënësish nga 10 kolegje në provincën Java Lindore të Indonezisë, që kanë bërë një muaj kurs kualifikim në Shkollën e Arsimit Profesional të distriktit Dongli të qytetit Tianjin. Katër muaj më parë, kjo shkollë krijoi punishten e tretë "Luban" në Ponorogo, një qytet në provincën Java Lindore të Indonezisë.

Trajnimi i mësuesve vendorë është një masë e rëndësishme për përmirësimin e arsimit profesional të vendeve përkatëse. Për të integruar sa më mirë projektin EPIP me punën arsimore profesionale në këto vende, mësuesit e punishteve vijnë përvit në Tianjin për një trajnim intensiv që zgjat një ose dy muaj për të zotëruar mjeshtërinë e duhur.

Sipas z. Zhang Ying, zv.drejtor i departamentit të shkëmbimeve ndërkombëtare të Kolegjit Teknik Profesional Modern të Tianjin-it, mësuesit pakistanezë që kryejnë kualifikim kanë marrë pjesë në ndërtimin e punishtes dhe përgjigjen për mësimdhënien e funksionimin e punishtes vendore.

Në Pakistan, mungesa e furnizimit me energji elektrike është një problem që pengon zhvillimin ekonomik të vendit, kështu që mbi 70 % e ndihmës së Kinës për këtë vend përqendrohet te projektet e prodhimit të energjisë elektrike. Punishtja "Luban" në Pakistan ka nënshkruar marrëveshje me tetë kompani vendëse dhe kineze për kryerjen e trajnimit.

Këto tetë kompani shërbejnë si vend praktik për kursantët e punishtes "Luban" në Pakistan. Katër lëndët që mësohen atje kanë të bëjnë me energjinë elektrike, si mekatronika dhe automatizimi elektrik.

Një mijë kilometra larg Tianjin-it, një seminar për përgatitjen e menaxherëve të ndërtimit infrastrukturor u zhvillua këtë verë nga Kolegji Profesional i Ndërtimit Urban i Shangait.

"Në seminarin e vitit të kaluar morën pjesë 47 zyrtarë dhe menaxherë nga autoritetet dhe kompanitë e ndërtimit të vendeve të Azisë Jugore. Ata e vlerësuan lart seminarin, duke thënë se kishin mësuar jo vetëm për teknikat, materialet, zejet dhe njohuritë e reja të menaxhimit të projekteve, por edhe kishin një njohje më të thellë për përvojën kineze në realizimin e zhvillimit të shpejtë", thotë z. Chu Min, drejtor i Kolegjit Profesional të Ndërtimit Urban të Shangait.

Drejtoria arsimore e Bashkisë së Tianjin-it po planifikon të ndërtojë 10 punishte të tjera para vitit 2020.

Ndërkohë, punët përgatitore për dy punishtet "Luban" janë në zbatim e sipër. Dy degë do të krijohen në Kamboxhia dhe Xhibuti, vendi i parë afrikan që do të ketë një punishte të tillë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore