Biznesmeni nigerian propozon sistemin njëpartiak për vendin e vet

2018-09-10 15:08:52 CRI Komenti juaj Printoni

Gjatë vizitës së parë në Kinë në vitin 2005, Charles Okeke nga Nigeria u impresionua nga ekonomia në zhvillim të shpejtë. Me kalimin e kohës, sa më shumë qëndroi Okeke në Kinë, aq më thellë u rrënjos në mendjen e tij ideja e zbatimit të sistemit socialist njëpartiak në atdheun e vet. Sipas tij, ky sistem është arsyeja kryesore që ka sjellë suksesin e Kinës në fushën ekonomike.

Gjatë studimeve për gradën "master" në Pekin, ai kaloi dy vjet duke bërë kërkime dhe duke shkruar një libër për të mbështetur këtë ide, me titull: "Rruga drejt lulëzimit: Propozimi i sistemit njëpartiak dhe i ekonomisë socialiste në Nigeri".

Charles Okeke thotë se, pavarësisht pikave të shumta të përbashkëta midis Kinës dhe Nigerisë, nevoja për sistemin njëpartiak bazohet në situatën e brendshme të vendit të tij.

Nigeria është vendi me popullsinë më të madhe në Afrikë, që përbëhet nga shumë fise e grupe etnike dhe ku tani zbatohet sistemi shumëpartiak.

"Që nga 1 tetori i vitit 1960, Nigeria është luhatur midis qeverive demokratike dhe juntave ushtarake që e kanë përdorur demokracinë si një pretekst për të marrë pushtetin", shkruan Okeke në librin e tij. Ai mendon se vendi i tij do të ishte më mirë nëse do të rikthehej në sistemin njëpartiak të qeverisjes që kishte para se të kthehej në koloni.

Gazetarët e "Global Times"-it e takuan Okeken në qendër të Pekinit, ku ai mbërriti me një "Mercedes-Benz".

42-vjeçari ka një biznes të suksesshëm të transportit detar midis Kinës dhe Nigerisë. Por ai thotë se pasioni i vërtetë i tij është ekonomia politike. Kjo është edhe arsyeja pse ai mori një gradë "master" mbi marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Biznesit dhe të Ekonomisë Ndërkombëtare.

Pavarësisht situatës përgjithësisht të qëndrueshme në atdhe, Okeke u shpreh se atje demokracia ka dështuar. Sipas tij, një problem thelbësor i zbatimit të sistemit shumëpartiak në një vend si Nigeria, me më shumë se 200 grupe etnike, është që njerëzit gjithmonë votojnë për partitë sipas përkatësive të tyre etnike dhe fetare.

"Është e vështirë të ketë unitet kombëtar nën një politikë shumëpartiake. Shumë raste kanë vërtetuar se, nëse anëtari i një fisi fiton një vend në qeveri, ai bën gjëra vetëm për të mirën e fisit të vet, pa menduar për rritjen e përgjithshme kombëtare. Ndarja mes Veriut me shumicë myslimane dhe Jugut me shumicë të krishterë është një tjetër pengesë për qeverisjen e vendit sipas interesit të përbashkët. Prandaj, e vetmja rrugëdalje është të bashkohen të gjithë njerëzit nën të njëjtën ombrellë, duke prishur aleancat etnike dhe fetare", thotë ai.

Një tjetër gjë që e ka zhgënjyer Okeke-n është që zgjedhjet në Nigeri mund të manipulohen lehtë nga njerëzit e fuqishëm dhe të pasur. Ai thotë se është e zakonshme në vendlindjen e tij që kandidatët në fushatë zgjedhore të rekrutojnë të rinj të papunë për të kërcënuar votuesit që të votojnë për ta. "Ata që nuk pranojnë, rrihen. Më e keqja është se ka mjaft të rinj që dëshirojnë të punojnë për këta politikanë për shumë pak para, për shkak të papunësisë së lartë", shtoi Okeke.

Sipas tij, problemi i Nigerisë është problemi i Afrikës. Pasi fituan pavarësinë në vitet 50' dhe 60' të shekullit të kaluar, vendet afrikane përshtatën sistemin shumëpartiak. Mirëpo, "demokracia atje është zbatuar në mënyrë të keqe", shton Okeke. Por në fakt, ai nuk është kundër demokracisë, por kundër realitetit të shtrembëruar të sistemit të tanishëm demokratik. "Për momentin, demokracia e tanishme nuk përshtatet me realitetin e Afrikës. Gjatë rrugës drejt zhvillimit kombëtar, kemi harxhuar shumë kohë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e brendshme", tha Okeke.

Ai vuri në dukje se nuk ka një lloj demokracie që përshtatet me çdo kontekst real, por demokracia duhet të evoluojë gjatë historisë për t'iu përshtatur situatave të ndryshme. Prandaj, ai dëshiron që Nigeria të mos mbetet te korniza e tanishme demokratike, që është treguar e paefektshme, por të zbatojë një demokraci me karakteristika afrikane.

Modeli politik ideal i tij është "meritokracia", e cila mund të sigurojë që vetëm njerëzit e arsimuar dhe të aftë të udhëheqin qeverinë. Në këtë rast, liderët mund të bashkojnë të gjithë popullin nën një parti, duke mos u ndikuar nga partitë e ndryshme.

Ndërsa në nivelin bazë, ai tha se duhet të kufizohet numri i kandidatëve, të nxiten anëtarët e arsimuar të partisë të ndihmojnë votuesit të kuptojnë atë që ofron secili kandidat dhe t'u japin ndihmë gjatë procesit të votimit.

Lidhur me këtë, prof. Wang Zhanyang nga Instituti Qendror i Socializmit u shpreh se është e kuptueshme pse Okeke ka një ide të tillë:

"Vendet në zhvillim mund të përfitojnë nga njëfarë niveli autoritarizmi për t'u fokusuar te përparimi ekonomik. Kjo është një dukuri universale. Ashtu si Singapori, Britania gjatë peridhës viktoriane dhe Spanja gjatë viteve të lavdisë së saj kanë qenë shtete autoritare kur ekonomia e tyre filloi të përparonte në mënyrë të vrullshme".

Por ai nuk i inkurajon vendet e tjera të kopjojnë modelin kinez. "Ato duhet të krijojnë një sistem ekonomiko-politik që përshtatet me realitetin e tyre, sepse çdo vend është i veçantë", shtoi prof. Wang.

Mrekulli
Lajmet Kryesore