Lufta tregtare Kinë-ShBA rrezikon ekonominë e Amerikës Latine

2018-09-03 15:50:29 CRI Komenti juaj Printoni

Me shkallëzimin e pandërprerë të masave agresive tarifore të ShBA-së dhe reagimin e fortë nga Kina, kjo e fundit po zgjerohet në tregjet e treta. Disa analistë kanë vënë në dukje se vendet e Amerikës Latine, si eksportuese kryesore të lëndëve të para, besojnë se do të përfitojnë nga mosmarrëveshjet tregtare midis dy ekonomive më të mëdha të botës. Megjithatë, ekspertë të tjerë paralajmërojnë që këto vende duhet të ngrenë vigjilencën përballë shtimit të proteksionizmit tregtar të ShBA-së dhe rreziqeve që mund të sjellë kjo luftë tregtare ndaj zhvillimit të tyre afatgjatë. Sipas tyre, politikat e proteksionizmit tregtar do të dëmtojnë vendet e Amerikës Latine.

Alicia Bárcena, sekretare ekzekutive e Komisionit Ekonomik të OKB-së për Amerikën Latine dhe Karaibet, vë në dukje se masat e njëanshme të ShBA-së kanë shkelur dhe kanë prishur plotësisht rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe të tregut global, gjë që do të ndikojë rëndë zhvillimin ekonomik të vendeve të Amerikës Latine.

"Politikat e proteksionizmit tregtar të ShBA-së në radhë të parë do të dëmtojnë ekonomitë kryesore latinoamerikane, si Meksika. Meksika është prodhuesja më e madhe në këtë rajon e pjesëve të këmbimit të automjeteve, e pajisjeve elektronike dhe e produkteve të çelikut e të aluminit. Ngritja e tarifave nga ShBA-ja patjetër do të godasë industrinë metalurgjike vendore, duke ndikuar në vendet e punës të shumë njerëzve. Vendet e tjera, si Brazili dhe Argjentina, do të hasin njëlloj një ndikim zinxhir", tha znj. Bárcena.

Ajo është e shqetësuar edhe për ndikimet negative që mund të vijnë nga Kina, objektivi kryesor i luftës tregtare të ShBA-së.

Sipas znj. Bárcena, Kina është partnerja e dytë më e madhe tregtare e vendeve të Amerikës Latine. Megjithëse Kina, për shkak të fërkimeve tregtare me palën amerikane, po kërkon mundësi në tregjet e palëve të treta, gjë që u sjell përfitime të konsiderueshme eksportuesve kryesorë të lëndëve të para latinoamerikane, nga këndshikimi afatgjatë, vazhdimi i kësaj lufte do të prekë rëndë ekonominë e Amerikës Latine:

"Jemi të mendimit se, në fushën ekonomiko-tregtare, Kina po luan një rol më të rëndësishëm se ShBA-ja. Përkeqësimi i luftës tregtare do të ndikonte në dy ekonomitë më të mëdha të botës. Prandaj, nëse gjallëria ekonomiko-tregtare e Kinës dobësohet, kjo do të ndikojë mbi importimin e lëndëve të para, duke krijuar luhatje të mëdha të çmimeve në tregun ndërkombëtar. Kështu që vendet latinoamerikane që e konsiderojnë Kinën si vendin më të rëndësishëm importues, do të pësojnë humbje të mëdha."

Argjentina zë vendin e tretë në botë për eksportin e sojës. Kina është partnerja e dytë më e madhe tregtare dhe importuesja më e madhe e produkteve bujqësore të Argjentinës. Sipas të dhënave të doganës argjentinase, në gjashtë muajt e parë të sivjetshëm vëllimi i eksportit të produkteve të mishit u rrit mbi 60%, mbi gjysma e të cilave u importuan nga Kina. Ndërkohë, në tre muajt e fundit, pothuajse e gjithë rritja e kontratave për eksportimin e sojës argjentinase erdhi nga Kina.

Lidhur me këtë, ambasadori argjentinas Diego Guelar i tha Radios së Jashtme të Kinës se Argjentina, Brazili dhe Kili janë partnerët kryesorë tregtarë të lëndëve të para të Kinës në Amerikën Latine. Vëllimi i eksportimit të lëndëve të para të këtyre vendeve në Kinë zë 1/4 e vëllimit të përgjithshëm. Ai vuri në dukje se vendet latinoamerikane nuk duhet të kënaqen me rritjen e fitimeve nga eksporti në Kinë për shkak të luftës tregtare me ShBA-në:

"Përshkallëzimi i fërkimeve tregtare kino-amerikane do të ulë çmimet e lëndëve të para në tregun ndërkombëtar, duke acaruar luhatjen e kursit të këmbimit valutor, gjë që do të krijojë paqëndrueshmëri për ekonominë vendore, si ngritjen e kostos e rreziqeve të investimeve të huaja dhe tronditjen e besimit të investitorëve për të ardhmen ekonomike. Kjo situatë do të zhbëjë fitimet afatshkurtra nga eksporti".

Kina është partnerja tregtare nr.1, destinacioni më e madh i eksporteve dhe burimi më i madh i importeve për Kilin. Sipas njoftimeve të mediave vendore, me ngritjen e tarifave kineze ndaj produkteve amerikane, si vera, arrat etj., kompanitë kiliane po bëjnë çmos për të zënë tregun kinez. Drejtori i Qendrës së Studimit të Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin Katolik Pontifik të Kilit, Jorge Sahd, shprehet se ekonomitë e reja si Kili, që mbështeten kryesisht te tregtia, mund të përfitojnë për një kohë të shkurtër nga fërkimet tregtare kino-amerikane, "por, pas kësaj, mund të vuajnë goditje të rënda."

"Lufta tregtare që ShBA-ja shpalli kundër Kinës do të cenojë rëndë ekonominë globale, duke përfshirë edhe Kilin. Nëse vazhdon kjo gjendje, zhvlerësimi i monedhave, trysnia e inflacionit dhe kostoja e prodhimit do të shtohen, gjë që do të shkaktojë recesionin e ekonomive të reja", shpjegon z. Jorge Sahd.

Sekretarja ekzekutive e Komisionit Ekonomik të OKB-së për Amerikën Latine dhe Karaibet, znj. Bárcena, shton në intervistën për Radion e Jashtme të Kinës se proteksionizmi tregtar amerikan jo vetëm minon rregullat e tregtisë globale, po edhe prish rendin normal tregtar:

"Kina është një ndër investitoret më të rëndësishme të botës. Bashkëpunimi që propozohet nga pala kineze në kuadër të nismës 'Një brez, një rrugë' synon zhvillimin e përbashkët me leverdi të ndërsjellë nëpërmjet investimeve dhe ndërlidhshmërisë të vendeve të ndryshme. Megjithëse tani ShBA-ja po përpiqet të marrë masa proteksioniste për të frenuar zotërimin nga pala kineze të teknologjive kyçe, Kina, me aftësitë e fuqishme studimore, mund të përparojë në bazë të bashkëpunimit ose të veprimeve të biznesit. Kjo është një prirje e pashmangshme e globalizimit."

Mrekulli
Lajmet Kryesore