Rakia kineze "Maotai", "pija e elitës"

2018-08-30 14:09:08 CRI Komenti juaj Printoni

Mbi 3000 vjetë para erës sonë kinezët filluan të prodhonin pijet alkoolike, ndërsa rakia u shpik para 1600 vjetëve para erës sonë. Prandaj, rakia, si një ndër pijet alkoolike me të vjetra në Kinë por edhe në botë, ka një histori goxha të gjatë, një histori që ende sot ruhet me fanatizëm nga vendasit, sidomos ata që e kanë traditë prodhimin e saj. Me kalimin e viteve lindën pije të tjera alkoolike si birra dhe vera.

Rakia "Maotai", pija alkoolike më e famshme në Kinë, prodhohet në qytezën Maotai, pranë qytetit të Renhuia-së të provincës Guizhou, një qytezë shumë interesante të cilën e vizituam nga afër. Njohja e kësaj traditë të vyer të prodhimit të rakisë "Maotai", nuk ishte thjeshtë misioni ynë përgjatë këtij rrugëtimi, por ishte kënaqësi të shihje e prekje nga aq pranë traditën e lindjes së kësaj pije, që nga përpunimi, prodhimi, paketimi e deri tek të shijuarit e "Maotai"-t, pikërisht në zemrën e shtëpinë e saj, pranë lumit Chishui në jugperëndim të Kinës.

Pranë këtij lumi kryejnë aktivitetin e tyre me mijëra fabrika të prodhimit të pijes alkoolike "Maotai". Fabrikat e nxjerrin ujin nga lumi, si lënda e parë e përdorur për prodhimin e rakisë vendase, pa shtuar asnjë lëndë kimike. Pranë lumit kultivohen drithëra të cilat përdoren gjithashtu për prodhimin e "Maotai"-t, për rrjedhojë dihet se një mjedis jo i pastër do të ndikojë negativisht në jetën dhe punën e çdo banori. Çdo punonjës i korporatës "Maotai" e ka të qartë kujdesin që duhet të tregojë ndaj mjedisit që e rrethon, si profesionist i fushës ashtu edhe banorë i thjeshtë. Ata shprehen se lumi Chishui është "vetë jeta për ta" . "Mjedisin duhet ta ruajmë si drita e syve", është shprehur një punonjëse e korporatës "Maotai". Një ndër detyrat kryesore të korporatës, nuk është vetëm prodhimi i rakisë se famshme kineze, por gjithashtu mbrojtja e lumit dhe kujdesi ndaj zonës përreth tij.

Megjithatë, kujdesi ndaj mjedisit shkon edhe më larg se kaq. Në fshatrat më të thella të zonës, lart në malet nga ku buron lumi Chishui, jetojnë fshatarë të cilët për mbrojtjen e lumit sakrifikojnë mirëqenien e tyre, sepse ata nuk mund ta zhvillojnë zonën më tej, pasi sa më shumë aktivitete njerëzore, më i madh do të jetë dëmtimi i rrjedhës së lumit dhe më e lartë rrezikshmëria ndaj ndotjes së lumit Chishui etj. Për këtë arsye, korporata "Maotai" mundësoi ndihma me vlerë 24 milionë juanë për fshatarët e varfër, duke ia lehtësuar jetesën atyre, që nga ndërtimi i shtëpive e banjave publike, deri tek veprimtaritë e tjera bazike të jetesës së përditshme, në mënyrë që lumi të mos rrezikohet në asnjë moment dhe për asnjë arsye.

 

Sensibilizimi shoqëror e njerëzor i këtij rasti është shembulli më i mirë i këtij komuniteti kaq të veçantë e tradicional të kësaj zone jugperëndimore të Kinës, puna e të cilit ndikon në jetëgjatësinë jo vetëm të një markeje pijesh, por në tërësi të një filozofie të rrallë që populli kinez ka për jetën.

Qysh prej themelimit të Republikës Popullore të Kinës, çdo lider i saj ka theksuar rëndësinë e mjedisit, duke vënë në dukje se mjedisi përgjatë lumit Chishui nuk duhet të dëmtohet në asnjë mënyrë.

Për vendasit, mjedisi dhe mirëmbajtja e tij janë shumë të rëndësishme. Për ata që jetojnë e punojnë pranë lumit Chishui, ai është vetë jeta, është burimi i të ardhurave dhe i përmirësimit të kushteve të jetesës së tyre.

Autoritetet kanë shpenzuar 100 milionë juanë vetëm në fazën fillestare të një projekti për pastrimin e ujërave të zeza që shkaktohen nga prodhimi i rakisë kineze "Maotai". Ky projekt ka synon ruajtjen e mjedisit, që është edhe pjesa më e rëndësishme e cilësisë dhe suksesit jo vetëm të produktit që maotaianasit prodhojnë, por të vetë jetës së tyre, të cilat janë të ndërlidhura së bashku në mënyrë harmonike dhe i shërbejnë njëra-tjetrës në mënyrë vërtetë frymëzuese. Të gjitha këto janë tashmë pjesë e së përditshmes së banorëve të zonës dhe janë pjesë e suksesit.

Ne vizituam fabrikën "Maotai" ku edhe prodhohej kjo raki kineze, në qytezën Maotai, nga ku ka marrë edhe emrin e ashtuquajtura "pija e elitës", "Maotai", e prodhuar nga kompania "Kweichow Group" e Kinës. Rakia kineze "Maotai", edhe se historikisht ka qenë pija e preferuar e liderëve dhe e zyrtarëve të lartë të vendit, në ditët e sotme ajo gjendet kudo e mund të konsumohet nga kushdo, në Kinë e mbarë botën.

Korporata "Maotai" ka rreth 30 000 punëtorë. Ajo është fabrika më e madhe e prodhimit të pijeve alkoolike në Kinë dhe në botë. Ka gjithashtu numrin më të madh të depove magazinuese në botë, shitjet më të larta dhe vëllimin me të madh të shitjeve të një markeje të vetme krahasuar me çdo vend tjetër. "Maotai" është e njohur tashmë si marka me e shitur dhe më e njohur e pijeve alkoolike në mbarë botën. Para 100 vjetëve, në këtë zonë ekzistonte vetëm një magazinë e vogël që prodhonte këtë pije, por sot prodhimi dhe ndikimi i "Maotai"-t tejkalon çdo vend dhe eksperiencë tjetër.

Rakia "Maotai" nuk është thjesht një pije, por është kulturë, ideologji e filozofi për kinezët. Një proverb kinez thotë se: "me një got raki harrohen të gjitha hallet", ndërsa një tjetër fjalë e urtë popullore thotë se: "pas rakise e dehjes, goja flet vetëm të vërteta".

"Maotai" prodhohet vetëm nga uji i lumit Chishui dhe drithërat që rriten përgjatë tij. Lumi Chishui, në kinezisht do të thotë lumi i kuq, por që "Maotai" të prodhohet kërkon ujë të kthjellët të lumit, i cili nga i turbullt që është gjatë muajve mars-shtator, qartësohet në pjesën tjetër të vitit.

Është shumë interesant fakti që banorët vendas, sipas zakonit, nuk e blejnë nëpër dyqane këtë pije karakteristike vendase, pasi pija e prodhuar në fabrika është për ta vetëm për konsum tregu. Vendasit e prodhojnë pijen në shtëpitë e tyre, me mënyra e mjete të vjetra tradicionale, po njësoj siç ajo është prodhuar ndër vite nga gjyshërit e stërgjyshërit e tyre. Sipas traditës, të parët kanë lënë trashëgimi fuçi me "Maotai", të prodhuara në kushte shtëpie, të cilat ruhen për një kohë të gjatë ose përzihen me mjeshtri nga ekspertët e fushës, me pijet e prodhuara rishtazi. Ky është një zakon i veçantë i çdo shtëpie të zonës, i cili trashëgohet nga brezi në brez, prandaj familjet sot vazhdojnë të prodhojnë po ashtu një fuçi në vit, duke bërë që në të ardhmen, këto sasi të reja të sapo prodhuara, të kthehen në të vjetra për brezin që do të vijë. Sa më e vjetër pija, aq më e shijshme dhe e vlefshme bëhet ajo. Kinezët i kushtojnë vëmendje të madhe traditës dhe kujdesen në mënyrë të veçantë për fuçitë me raki, si të ishin sende të çmuara, që përmbajnë brenda shpirtin e paraardhësve të tyre.

Kinezët e duan rakinë në përgjithësi, jo thjesht si pije, për t'jua ofruar miqve apo për ta konsumuar vetë atë në raste festash e gëzimesh, por ata e duan "Maotai-n" pasi vlerësojnë filozofinë e saj.

Në përgjithësi kinezët janë njerëz të ndrojtur e të tërhequr, por pas një gotë rakie ata shfaqin anë të tjera të tyret, çiltërsinë dhe të komunikuarit më shumë me tjetrin.

Mrekulli
Lajmet Kryesore