Provincat magjike të Kinës përgjatë lumit Jance

2018-08-06 19:48:34 CRI Komenti juaj Printoni

Lumi Jance është lumi më i gjatë në Kinë dhe Azi. Me gjatësi prej 6300 kilometrash, ai renditet si lumi i tretë më i gjatë në botë.

Kombi kinez e konsideron lumin Jance si magjik dhe e emërton atë si "Lumi Nëne". Lumi Jance kalon nga perëndimi në lindje të Kinës, duke kaluar përmes 11 provincave, rajoneve autonome dhe komunave.

Përgjatë lumit Jance shtrihen disa nga mrekullitë jo vetëm të Kinës, por të mbarë botës.

Yunnan

Yunnan-i është provinca më e larmishme në Kinë për sa u përket kombësive. Nga 56 kombësitë e Kinës, rreth gjysma e tyre jetojnë në këtë provincë. Një prej tyre është edhe kombësia dai, pjesëtarët e së cilës banojnë kryesisht në Xishuangbanna, në jug të provincës Yunnan, pranë kufirit me Laosin dhe Mianmarin, por edhe pranë Vietnamit e Tajlandës. Kështu Xishuangbanna mund të quhet edhe si një urë kulturore mes Kinës dhe vendeve të Azisë Juglindore.

Festa e Spërkatjes me Ujë e kombësisë dai njihet ndryshe edhe si "karnavalet e Lindjes". Ajo ka një histori shtatëqindvjeçare. Po çfarë është kjo festë dhe çfarë e bën atë kaq interesante? Festa e Spërkatjes me Ujë e kombësisë dai të Kinës nuk është tjetër veçse viti i ri i kësaj kombësie, që jeton kryesisht në Xishuangbanna të provincës Yunnan në jugperëndim të Kinës.

Kunming ndodhet në pjesën qendrore të Kinës jugperëndimore dhe është kryeqendra e provincës Yunnan.

Kunming është një qytet që ndodhet në qendër të rrafshnaltësYunnan-Guizhouit të Kinës. Këtu klima është tepër e butë dhe e përshtatshme, ky qytet quhet ndryshe edhe "qyteti i pranverës" ose "qyteti i luleve". Në Kunming ka shumë bimë të llojeve të ndryshme dhe mbi 400 lloje lulesh tradicionale. Përveç panoramave të mrekullueshme, Kunming është një qytet i përshtatshëm edhe për pushim, turizëm dhe banim. Gjatë ceremonive festive, kunmingasve u pëlqen ta zbukurojnë mjedisin me lule.

Në kulturën tradicionale të Kunmingut ka karakteristika vendase dhe kombëtare. Këtu përveç kombësisë Han, banojnë mbi 20 pakica kombëtare si Yi, Bai, Dai, Hani etj.

Sichuan

Sichuan-i, është një provincë e Kinës me një bukuri përrallore. Nga pandat gjigante tek pakicat kombëtare që jetojnë midis maleve 8000 metra, nga kuzhina pikante tek metropolet e pasura, pa harruar parqet e shumta natyrale që janë një trashëgimi botërore e Unesco-s si dhe disa nga statujat më të famshme kineze e gjithashtu edhe sallat e mëdha ku pihet çaj, ndodhen të gjitha në Sichuan.

Panda është kafsha simbol e provincës Sichuan të Kinës dhe zona e mbrojtur natyrore Wolong. 100 kilometra larg kryeqendrës së Sichuan-it, Chengdu, është vendlindja e pandës.

Chengdu është kryeqendra e provincës Sichuan të Kinës jug-perëndimore. Ky qyetet është i lashtë dhe mbart histori të gjatë. Mendohej se historia e ndërtimit të këtij qyteti datonte prej vitit 311 p.e.s.

Statuja më e madhe prej guri e Budës ndodhet në malin Leshan. Gdhendja e skulpturës filloi në vitin 713 dhe mbaroi pas 90 vjetësh. Me një gjatësi prej 71 metrash, kjo skulpturë e shkëlqyer budiste e dinastisë Tang është shtatorja më e madhe prej guri në botë e budës Maitreya të ulur. Në dhjetorin e vitit 1996 vargmalet Emei dhe kjo skulpturë u cilësuan nga UNESCO-ja si "trashëgimi natyrore kulturore botërore".

Nëse ju pëlqen ushqimi, Sichuan-i është vendi i përkryer për ju. Kjo provincë është konsideruar prej shumë kohësh parajsa e ushqimeve dhe kuzhina e Sichuan-it, si një nga 4 kuzhinat e mëdha të Kinës, është e njohur në Kinë e botë për mënyrat karakteristike të gatimit dhe karakterin e theksuar lokal.

Guizhou

Guizhou është një vend i Kinës që shquhet për bukuritë e shumta natyrore, por pak dihet rreth tij.

Ujëvara Huangguoshu ndodhet në qytetin Anshun të provincës Guizhou në Kinën jugperëndimore dhe përbëhet nga 18 ujëvara dhe lartësia e përgjithshme është 77.8 metra. Në vitin 1999, ujëvara Huangguoshu hyri në Librin e Rekordeve botërore "Guinness" i grupit më të madh të ujëvarave. Ajo është e vetmja ujëvarë në botë që mund të shikohet nga 6 drejtime të sipërme.

Në Suoga të provincës Guizhou të Kinës jugperëndimore jetojnë banorët e kombësisë miao me bri të gjatë, një fis i kombësisë miao. Numri i banorëve të këtij fisi arrin në mbi 4 mijë. Ata kanë vite që jetojnë në malet e larta e të thepisura dhe me klimë të ftohtë, duke kaluar një jetë të mistershme fisnore primitive. Femrat e fshatit i lidhin flokët në një bri të gjatë prej druri, që duket shumë i rëndë. Pikërisht për këtë arsye ata morën emrin "kombësia miao e zbukuruar me bri të gjatë".

Janë shumë të bukura pamjet në qytezën Zhenyuan të kësaj province, me një histori prej 2200 vjetësh. Lumi Wuyang në formë "s"-je rrjedh nga perëndimi në lindje brenda kësaj qyteze. Prandaj kjo qytezë ka një emër të bukur, "Venecia e Lindjes".

Hoteli "Pylli malor" është një megaprojekt që ndodhet në Guizhou në zonën Xingyi Wanfenglin dhe ka për qëllim të formësojë një model të ri të së ardhmes. Ky hotel që ngjason me një pyll vertikal funksionon me energji të re për të ruajtur mjedisin.

Hunan

Provinca Hunan e Kinës është e njohur për pika të shumta turistike, zona të ruajtura nga UNESCO, gondola e deri tek ushqimet e mrekullueshme.

Ka shumë gjëra për të bërë dhe për të parë në provincën e Hunan-it, përfshi qytetet historike Hongjiang dhe Qianjiang, po ashtu shpella e Dragoit të Verdhë, malet Zhangjiajie në zonën Wulingyuan (që kanë inspiruar regjizorin e Avatar-it) dhe malin Tianmen.

Hunani kufizohet me 5 provinca të tjera me Jiangxi në lindje, Guangdong në jug, Guizhou në perëndim dhe Guangxi në jugperëndim si dhe Chongqing në veriperëndim.

Me një sipërfaqje 211,800 km katrorë, Hunani ka një popullsi prej mbi 70 milionë banorësh që i përkasin kombësive Han, Tu, Hui, Miao, Yao, Zhuang,Uyghur, Bai si dhe Dong. 80 për qind të territorit e zënë malet dhe kodrat, dhe 20 për qind uji. Hunanin është një vend me burime të pasura natyrore ku rriten orizi, pambuku, portokalli dhe shumë peshq. Hunan njihet gjithashtu edhe për burime të pasura mineralesh.

Një nga pikat që duhet të shihni në Hunan është qyteza antike Fenghuang ose Feniksi. Në këtë qytezë turistët kanë rastin të shohin si Kinën e lashtë, ashtu dhe atë moderne.

Parku kombëtar Zhangjiajie, është tepër unik në botë, i cili është formuar nga erozioni mijëravjeçar. A e dini ku ndodhet mali Hallelujah në filmin "Avatar"? -Pikërisht në Zhangjiajie të provincës Hunan të Kinës.

Në dhjetorin e vitit 2008, një prej fotografëve të Hollivudit vizitoi Hunanin dhe fotografoi për disa ditë malet në Zhangjiajie. Shumë prej këtyre imazheve u përdorën në filmin Avatar.

Mrekulli