Hainani, destinacion ndërkombëtar për terapitë mjekësore tradicionale kineze

2018-06-25 14:30:15 CRI Komenti juaj Printoni

Në gjirin Yalong të qytetit Sanya të provincës ishullore Hainan të Kinës Jugore, mund të shihni shumë gra e vajza ruse të shtrira në rërën e plazhit, duke shijuar rrezet e diellit dhe frutat e shumëllojshme tropikale.

Kjo është një dukuri e zakonshme në Hainan, i cili po bëhet gjithnjë më i njohur për peizazhet e bukura dhe shërbime mjekësore për mirëmbajtjen e shëndetit.

Numri i atyre që shkojnë për të ashtuquajturin "turizëm mjekësor" në Hainan është rritur në mënyrë të ndjeshme që nga maji i sivjetshëm, kur autoritetet kineze zgjatën afatin e qëndrimit pa viza në këtë ishull të shtetasve të 59 vendeve si Rusia, Gjermania, Franca, ShBA etj., duke përfshirë edhe Shqipërinë. Në prill, Kina shpalli një plan të ri, duke e shndërruar tërë provincën në një zonë pilot për thellimin e reformës dhe zgjerimin e hapjes, gjë që favorizon kthimin e Hainanit në një destinacion tërheqës ndërkombëtar.

Të dhënat statistikore nga Komisioni i Zhvillimit të Turizmit të provincës tregojnë se Hainani ka pritur mbi 232 mijë turistë rusë në dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar, shifër kjo 3.8 herë më shumë në krahasim me vitin 2016.

Sipas z. Huang Qionghua, kryemenaxher i një kompanie vendore të pronave të paluajtshme turistike, operatorët turistikë e kanë ndier këtë prirje dhe po bëjnë më shumë përpjekje për të tërhequr vizitorë nga Rusia.

Shtimi i fluturimeve, punësimi i stafit rusishtfolës dhe promovimi i produkteve të reja turistike pasqyrojnë besimin e Hainanit për zgjerimin e tregut rus. Ndërkohë, ndër të gjitha produktet turistike, mjekësia tradicionale kineze është një prej më të parapëlqyerave.

Sipas z. Wang Haitang, menaxher i agjencisë turistike "Holiday", në krahasim me destinacionet e tjera të ngjashme turistike në Azinë Juglindore, Hainani ka epërsitë e veta dhe është konkurrues.

"Për turistët rusë, niveli i sigurisë dhe zhvillimi urban janë faktorë të rëndësishëm që mund të garantojnë një udhëtim të sigurt dhe të rehatshëm", shprehet z. Wang.

Ai tha se popullariteti i këtij ishulli është i pandarë nga linjat e reja të drejtpërdrejta të fluturimit që janë hapur vitet e fundit. Autoritetet e aeroporteve vendore planifikojnë që këtë muaj të shtojnë fluturimet e drejtpërdrejta me Moskën, Shën-Petërburgun, Ufan, Kazanin dhe Tjumenin. Nëse llogaritet se shitja e biletave arrin në 70 %, vetëm me këto fluturime mund të vijnë 5000 turistë të tjerë rusë.

Shumë pronarë të dyqaneve dhe restoranteve në Hainan kanë filluar të mësojnë gjuhën ruse, kurse shumë hotele po punësojnë përkthyes të gjuhës ruse për të ofruar shërbime cilësore. Bashkia e qytetit Sanya u ka shpërndarë edhe broshura departamenteve të turizmit për të lehtësuar komunikimin me klientët e tyre rusë.

Megjithatë, fama i Hainanit nuk është fituar vetëm me përpjekje dhe promovim, por edhe nëpërmjet shërbimeve cilësore që vlerësohen nga turistët.

Gjatë vizitës së parë në vitin 2011 në Sanya, Matukhina Klavdila-s i la mbresa uji i kthjellët, klima e ngrohtë dhe ngrohtësia e banorëve vendorë.

Pasi u kthye në Rusi, ajo shkroi një libër me poezi, me fotografi dhe me shkrime të veçanta për Sanya-në. Ajo ua shpërndau mbi 100 kopje të librit të njohurve dhe adhuruesve rusë të turizmit, shumë prej të cilëve kryen më vonë vizita në pikat turistike që rekomandonte Klavdila.

Si një provincë në Kinën Juglindore, në Hainan nuk mungojnë plazhet me rërë të bardhë, pemët e kokosit dhe klima e ngrohtë, të cilat mund të kompensojnë temperaturat e ulëta dhe mungesën e rrezeve të diellit në shumë qytete të Rusisë. Por, përveç bukurisë natyrore, produktet turistike, si terapia fizike, kuzhina dhe kultura e larmishme vendore mirëpriten gjerësisht nga vizitorët rusë.

Ndër to, terapitë mjekësore tradicionale kineze, si akupunktura dhe hedhja e kupave, janë ndër më populloret.

Për shembull, resorti "Tao Ji" në qytezën Boao ofron kurse të posaçme për ushtrimin e tai chi-së dhe masazhin terapeutik kinez tuina për klientët rusë. Ndërsa spitalet publike në Hainan kanë krijuar një zonë pilot për turizmin mjekësor. Si një qendër eksperimentale për shërbimet mjekësore ndaj klientëve të huaj, Sanatoriumi i Mjekësisë Kineze i Spitalit të Mjekësisë Tradicionale Kineze të qytetit Sanya po ofron një sërë produktesh turistike për ruajtjen e shëndetit.

Zang Jinpeng, një akupunkturist nga Hainani që ka trajtuar për më shumë se pesë vjet klientët e huaj, ka mësuar gjuhën ruse për të komunikuar më mirë me klientët rusë që janë në rritje e sipër.

Përveç mjekimit të sëmundjeve, ai gjithashtu i ndihmon klientët të kuptojnë konceptet e mjekësisë tradicionale kineze për mirëmbajtjen e shëndetit.

"Për shkak të klimës dhe ushqimit, rusët preken më shumë nga mbipesha dhe yndyra e lartë në gjak. Prandaj, ata parapëlqejnë më shumë të ndjekin një program për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ndërsa prindërit sjellin tek ne fëmijët e tyre të prekur nga paraliza cerebrale për të provuar metodat e mjekësisë tradicionale kineze," tha z. Zang.

Edhe qyteti Haikou planifikon të nxisë më tej zhvillimin e turizmit mjekësor. Sipas planit kombëtar, në mbarë Kinën do të krijohen 10 zonat të tilla model deri në vitin 2020 për të plotësuar kërkesat e klientëve vendës e të huaj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore