Shqipëria renditet e para në botë për numrin e kafeneve

2018-04-02 15:24:11 CRI Komenti juaj Printoni

Tirana është një qytet që gjallon e zhurmon jo më pak se kryeqendrat e tjera europiane. Rinia është fryma e qytetit, ku ditët e javës janë po aq dinamike sa fundjava. Tirana është ndër kryeqytetet më të mëdha të Ballkanit, por krahasuar me metropole të tjera të botës, ajo është një qytezë e mbledhur, sidomos për sa u përket zonave argëtuese. Në Tiranë rrallë gjendesh vetëm, sepse në një qytet të tillë, të gjithë janë të afërm dhe miq.

Një ndër karakteristikat dalluese të Tiranës është konsumi i kafesë. Në përgjithësi shqiptarët kalojnë kohë të gjatë nëpër kafene, bare apo restorante. Në rrugët kryesore, rrugica, poshtë pallateve të larta apo përballë shtëpive të vjetra, ndodhet përherë një kafene. Madje nuk është e nevojshme t'i njohësh emrat e kafeneve, pasi do të gjesh patjetër një kafene, për kudo të jesh nisur. Vërtet Tirana është një metropol multikulturor i përqendruar, por konsumi i kafesë dhe pijeve të shumëllojshme është i lartë. "Do pimë një kafe"? dëgjohet të thuhet shpesh herë në ditë nga cilado grupmoshë, në cilindo mjedis.

Në një kërkim të fundit, rezulton se ka një renditje ku Shqipëria "shkëlqen", atë të kafeneve, të cilat i gjen me shumicë dhe shpesh të mbushura plot në çdo cep të kryeqytetit dhe të Shqipërisë, për numër popullsie. Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18 795 (14 200 bare dhe 3 965 bar-restorante), me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja brenda një viti dhe janë mbyllur 96 bar-restorante).

Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të "Monitor"-it, ose 1 kafene për 152 banorë. Shqipëria ia kaloi në 2016-n edhe Spanjës me 47 milonë banorë, e cila deri tani mbante rekordin në Bashkimin Europian (BE) dhe në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë, me 592 bar kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë, sipas një studimi të fundit të BE-së.

Deri një vit më parë, Shqipëria ishte në vend të dytë në botë pas Spanjës, por për shkak të krizës në Spanjë gjatë katër viteve të fundit, siç raportohet edhe nga media të ndryshme spanjolle, janë mbyllur rreth 70 mijë bare e restorante. Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Në katër vjet 2013-2016, sipas të dhënave të INSTAT-it, janë hapur 4 569 bare dhe 1 160 restorante të reja (shiko grafikun për tendencën e çdo viti), ndërkohë që numri i popullsisë është në rënie.

Me krizë apo pa krizë, baret në Shqipëri vazhdojnë të hapen, njerëzit vazhdojnë t'i frekuentojnë, duke bërë që të huajt të habiten me numrin e madh të tyre dhe kohën që shqiptarët shpenzojnë në to, sidomos përgjatë ditës. Kur flet me të huaj të cilët kanë qenë të paktën njëherë në Tiranë, patjetër që do të diskutohet se sa shumë mbresa ka lënë tek ata jeta e natës dhe baret në veçanti tek ata.

Nëse bëhet sërish një krahasim me Spanjën, baret atje janë të përhapura në zonat turistike, si përshembull në Gran Canaria, ku ka 547 klube dhe kafene për vetëm 23 000 banorë, pra një për çdo 43 persona. Në Shqipëri kafenetë janë në mes të qytetit dhe më shumë se gjysma në kryeqytet.

INSTAT-i raportoi se në Shqipëri ka gjithsej 108 mijë biznese aktive, dhe bar-restorantet përbëjnë rreth 17.5% të tyre. Kapaciteti total i gjithë bareve e restoranteve në Shqipëri është 726 mijë vende (28% e tyre në restorante), çka do të thotë që në gjithë baret e restorantet e vendit mund të ulet njëkohësisht më shumë se një e katërta e popullsisë së vendit. Hapja e bareve e kafeneve ka qenë një alternativë e lehtë biznesi për këdo, pas viteve '90. Të hapje një bar-kafe, edhe poshtë pallatit, ka qenë forma më e thjeshtë që shumë shqiptarë menduan të bënin para, apo thjesht edhe të mbijetonin. Ndonëse shumë falimentojë, edhe më shumë hapen të reja.

Në Europë, pas Spanjës dhe Shqipërisë, për nivel të lartë baresh renditet edhe Qipro, me rreth 470 bare për 100 mijë banorë, por edhe në Qipro ka pasur mbyllje të këtyre bizneseve për shkak të krizës.

Në Itali, sipas të dhënave zyrtare, ka rreth 250 bar-kafe për 100 mijë banorë, apo gati sa gjysma e Shqipërisë. Pjesa më e madhe e bareve e restoranteve përqendrohen në qendër të qytetit, ku aty është edhe numri më i lartë i turistëve, por vështirë të gjesh një bar në çdo cep, siç ndodh në Shqipëri.

Në Amsterdam ka 63.5 bare për 100 mijë banorë, në Berlin 36, në Bruksel 148.3, në Londër 32, në Stamboll vetën 2.1, në Nju Jork 32.5, në Paris 27.2, Stokholm 19.1, në San Paolo 133.3. Shifra më e lartë është në Seul me 186.4, Tokio 216.5, Rio-de-Zhanerio 191 etj., ku edhe numri popullsisë është më i madh.

Në botë, kafenetë po ndryshojnë përtej tradicionales, për t'iu përshtatur shijeve të reja të konsumatorëve. Shumë po ofrojnë mëngjes, lëngje frutash e perimesh dhe të kombinuara, ushqim vegjetarian dhe vegan, xhin i specializuar, kokteje, birrë artizanale etj.

Edhe në Shqipëri ka disa prirje për të futur risi, si lokalet e ëmbëlsirave, apo lokale të specializuara për lëngje të freskëta, por në pjesën më të madhe ato mbeten tradicionale, ku produkti më i konsumuar është kafeja, që kushton mesatarisht 80-100 lekë, ndër më të lirat në Europë. Linjat e lokaleve me hapësira të mëdha, po zgjerohen gjithashtu, duke u bërë më të preferuara në krahasim me baret e vogla të lagjeve.

Mrekulli
Lajmet Kryesore