Çaji ndryshon jetën e fshatarëve të varfër

2018-03-19 15:52:59 xinhua Komenti juaj Printoni

Long Xianwen, 52 vjeç, është një banor i fshatit Niujiao i provincës Hu'nan të Kinës. Këto ditë, ai ndodhet në Pekin për të marrë pjesë në sesionin vjetor të Asamblesë Kombëtare Popullore (parlamentit kinez). Në një intervistë për gazetën 'Global Times', ai tregoi ndryshimin që ka sjellë kultivimi i çajit në fshatin e tij për zbutjen e varfërisë.

"Nuk e parashikova se tani produktet e çajit nga fshati ynë do të mirëpriteshin nga aq shumë konsumatorë nëpër botë", tha deputeti i fshatit Long. Çaji i fshatit Niujiao po eksportohet tani në shumë vende të Azisë, Europës e bile edhe Afrikë.

Plantacionet vendore e çajit gjenden kryesisht në malet që rrethojnë fshatin, ku ka kushte të favorshme natyrore për rritjen e çajit qoftë nga klima, pozicioni gjeografik apo cilësia tokësore.

Mirëpo në të kaluarën, njerëzit nuk i kishin kushtuar vëmendjen e duhur këtij thesari. "Para disa dekadash, unë, si dhe banorë të tjerë të fshatit preferuam të punësoheshim në qytete, duke shpërfillur krejt se po jetonim mbi një tokë të bekuar", tha z. Long. Por tani, plantacionet janë bërë "minierë ari" për fshatin.

Ky nuk është i vetmi ndryshim. Sivjet, z. Long, për shkak të paraqitjes së dalluar për të ndihmuar fshatarët drejt pasurimit nëpërmjet mbjelljes së çajit, u propozua dhe u zgjodh deputeti i Legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore.

Për të kryer misionin e ri, Long-u do t'i dorëzojë Asamblesë një projekt për zhvillimin e vazhdueshëm të industrisë së çajit në bazë të eksperiencave të veta dhe nxitjen e përmirësimit të mjedisit turistik dhe të transportit.

Në vitet '90 të shekullit të kaluar, të ardhurat vjetore për frymë të fshatit malor Niujiao ishin vetëm 800 juanë (afro 126 $) dhe për shkak të varfërisë së thellë, 1/5 e meshkujve mbeteshin pamartuar. Atë kohë, Long Xianwen, pasi jetoi gjatë në qytet, u bë një biznesmen i suksesshëm. Por një vizitë në vendlindjen i ndryshoi atij jetën.

Një përmbytje që ndodhi në vitin 1994 i mori jetën e një nëne të re që ishte duke kaluar lumin për të marrë fëmijët nga shkolla. Ulërimat që u dëgjuan në gjithë fshatin e bënë Long-un të qëndronte tërë natën pa gjumë. Pastaj, ai financoi ndërtimin e urës mbi lumë, duke e quajtur atë "Ura e shpresës".

Por, vetëm një urë nuk mund të ndryshonte pamjen e fshatit dhe padyshim financimet e tij ishin të pamjaftueshme për të përmirësuar jetën e fsha

tarëve. Për këtë arsye, ai garoi këtë vit në zgjedhjet për kreun e fshatit. Me vota të shumta, Long-u fitoi dhe pas tre vjetësh, ai u anëtarësua në Partinë Komuniste të Kinës.

"Kam lindur dhe jam rritur këtu. Pavarësisht sa shumë para fitova, pa dyshim duhet të kthehem", tha ai.

Por, rruga e përtëritjes së fshatit nuk është e lehtë. Në fillim, pas studimit të hollësishëm të epërsive vendore, Long-u përcaktoi bujqësinë si sektor parësor për zhvillim. Por, zjarret natyrore dhe ngricat ndikuan rëndë plantacionet e çajit dhe të bimëve të tjera. Ndaj zhvillimi erdhi disi ngadalë.

Ndryshimi më i madh ndodhi në vitin 2013, kur kryetari i shtetit Xi Jinping ritheksoi përqendrimin e forcave për zbutjen e varfërisë në shkallë kombëtare. Ky vendim u solli shpresë njerëzve si Long-u, por edhe ndihma financiare, teknologjike dhe marketingu.

Duke shfrytëzuar politikat e favorshme, Long-u krijoi një kooperativë të mbjelljes së çajit. Të gjithë fshatarët pjesëtarë mund të merrnin aksione qoftë me para apo me tokë, ndërkohë menaxhimi i plantacioneve do të bëhej nga kooperativa.

"Tani, ne planifikojmë dhe punojmë tokën bashkërisht, mbjellim të njëjtat fara, mbledhim e përpunojmë gjethen e çajit. Pastaj, i shesim produktet kolektivisht. Çdo gjë po bëhet në mënyrë të standardizuar", tha z. Long.

Sigurimi i cilësisë së qëndrueshme ka tërhequr të bashkëpunojnë edhe fabrikat e mira, të cila sjellin teknologji dhe shtojnë kanalet e shitjes.

Vitet e fundit, markat e çajit kinez po bëhen gjithnjë e më të njohura në mbarë globin.

Të dhënat e publikuara nga uebsiti i pavarur studimor 'World's Top Exports', tregojnë se Kina u bë eksportuesja e parë e produkteve të çajit në vitin 2016 me një vlerë të përgjithshme prej 1.5 miliardë dollarësh, duke zënë njëherësh 1/5 e vëllimit të përgjithshëm botëror, ndërsa ndiqet nga Sri Lanka, Kenia dhe India.

Ndërsa, sipas Organizatës së Ushqimit dhe të Bujqësisë, çaji që prodhohet në Kinë është në rritje e sipër vitet e fundit në tregun botëror, nga 36% në vitin 2013, arriti në 41% në vitin 2016.

Long-u e mban mend shumë mirë vizitën e tij në Expo-n e Milanos në vitin 2015, ku i njohu vizitorët me çajin dhe artin e shijimit të çajit kinez. Pikërisht në atë panair, Guzhang Maojian, një lloj çaj jeshil që vjen nga provinca Hu'nan fitoi medaljen e lartë. Prandaj, ai filloi të provonte shitjen në tregjet e huaja dhe nisi bashkëpunimin me fabrika të përparuara.

Konsumatorët në vende të ndryshme kanë preferenca specifike, për shembull, çaji i fermentuar përdoret më shumë në Rusi, Azinë Qendrore dhe Jugore, kurse çaji jeshil është i përhapur në Afrikë.

Kompania uzbekistanese, Samarkand Tea Packing ka importuar çaj nga Kina për 40 vjet. Pavarësisht rritjes së importeve nga Irani, Kenia apo Vietnami, çaji kinez ende zë 60% e vëllimit të përgjithshëm të importit të kësaj kompanie.

"Çaji kinez është me cilësisë së lartë, edhe pse vitet e fundit është rritur kostoja", i shpjegoi një menaxher i kompanisë gazetës Global Times.

Ndërsa në Afrikë, çaji jeshil vlerësohet më shumë dhe kompanitë kineze kanë caktuar standarde për çajin jeshil në tregjet lokale. Në Rusi dhe Azinë Qendrore preferohet çaj me qumësht dhe kripë, ndërsa afrikanët e ziejnë me sheqer. Në Europë dhe Amerikë preferohet çaji i paketuar në qese të vogla.

Prandaj, bashkëpunimi me fabrikat e përparuara të produkteve të çajit, ka zgjeruar horizontin e kooperativës dhe ka shtuar mënyrat e përpunimit fillestar të lëndëve të para.

Tani, fshati i Long-ut prodhon mbi 1000 tonë çaj në vit, duke siguruar të ardhurat të përgjithshme prej 15.8 milionë dollarësh, 30% e të cilëve realizohen nëpërmjet shitjes në internet.

"I dhamë lamtumirë varfërisë në vitin 2016 dhe tani të ardhurat vjetore për frymë arritën në 12 mijë juanë vitin e kaluar", i tha krenar z. Long Global Times-it.

Megjithatë, ai ka ndërmend edhe plane të reja.

"Turizmi i çajit do të jetë një drejtim tjetër. Duam të tërheqim qytetarë të vizitojnë fshatin tonë të bukur për të provuar procesin e mbjelljes, kultivimit dhe përpunimit të çajit. Vargmalet dhe lumenjtë janë thesari ynë. Do të bëjmë më shumë përpjekje në rrugën e përmirësimit të jetesës," thotë deputeti Long Xianwen.

Mrekulli
Lajmet Kryesore