PKK-ja nxit reforma gjithëpërfshirëse

2018-03-06 10:39:58 xinhua Komenti juaj Printoni

Plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 19-të të PKK-së i mbylli punimet në ditën e fundit të shkurtit, me lëshimin e një komunikate ku zotohet për thellimin e reformave gjithëpërfshirëse.

Në mbledhje morën pjesë 202 anëtarë dhe 171 kandidatë të Komitetit Qendror të Partisë, ku z. Xi Jinping, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror, mbajti raportin e punës të udhëheqësve të kryesuar prej tij.

Sipas komunikatës së publikuar pas Plenumit, gjatë takimit treditor, u miratuan listat e kandidatëve të propozuar nga PKK-ja për postet drejtuese shtetërore dhe udhëheqësit e legjislaturës së re të Konferencës Konsultative Politike. Pjesëmarrësit rishikuan dhe miratuan dy dokumente për thellimin e reformave të institucioneve partiake dhe atyre shtetërore. Ata vendosën gjithashtu t'u kërkojnë kryesive të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKPK) dhe të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK) shqyrtimin e këtyre vendimeve për të marrë fuqi ligjore pas miratimit gjatë dy sesioneve vjetore që po zhvillohen këto ditë në Pekin.

Në komunikatë thuhet se Byroja Politike e Komitetit Qendror ka punuar për të thelluar reformat në të gjitha fushat, duke ruajtur rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe forcuar sundimin e ligjit. Gjithashtu komunikata vlerëson arritjet për të parandaluar dhe trajtuar si duhet rreziqet kryesore financiare, zbutur varfërinë, marrjen nën kontroll të ndotjes, ashpërsimin e mbikëqyrjes partiake, përmirësimin e stilit të punës, si dhe nxitjen e përparimit të integruar ekonomik, politik, kulturor, shoqëror dhe ekologjik të vendit.

Megjithatë, thekson komunikata, funksionet dhe strukturat aktuale të Partisë dhe të institucioneve shtetërore nuk janë në gjendje të përplotësojnë kërkesat e detyrave të shumëllojshme strategjike të epokës të re, e as modernizmin e sistemit dhe të aftësisë qeverisëse.

"Prandaj, PKK-ja zotohet të kapë shansin historik dhe të heqë pengesat, duke ndrequr të metat e sistemit partiak dhe të institucioneve shtetërore gjatë procesit të thellimit të reformave gjithëpërfshirëse", thekson komunikata.

Sipas këtij dokumenti, detyra parësore e reformave është përsosja e sistemit udhëheqës të PKK-së, krijimi i mekanizmit të drejtimit të Partisë për çështje të rëndësishme shtetërore dhe shpejtimi i reformave të sistemit të kontrollit disiplinor partiak dhe të mbikëqyrjes shtetërore.

Konkretisht, objektivat e reformave përfshijnë:

---ndërtimin e sistemeve të përsosura, të rregullta dhe efikase të funksionimit të institucioneve të PKK-së, atyre shtetërore dhe publike;

---krijimin e një sistemi për të garantuar rolin drejtues dhe koordinues të Partisë në sektorë të ndryshëm dhe një mekanizëm qeverisës sipas ligjit me ndarje të qartë të përgjegjësive e të kompetencave;

--- ndërtim i një force të armatosur të përparuar të nivelit botëror me karakteristika kineze dhe zgjerimin e lidhjeve të shoqatave popullore me më shumë qytetarë;

--- përmirësimin e aftësive koordinuese dhe funksionare të qeverisjes së institucioneve shtetërore dhe publike nën drejtimin e PKK-së, duke përfshirë Asamblenë Kombëtare Popullore, qeveritë e niveleve të ndryshme, Konferencën Konsultative Politike, organet e mbikëqyrjes, gjykatat e prokurorinë, organizatat popullore, ndërmarrjet shtetërore, institucionet publike dhe organizatat joqeveritare.

Komiteti Qendror i PKK-së theksoi edhe kërkesat për transformimin e funksioneve qeveritare, në mënyrë që tregu të luajë rolin vendimmarrës në shpërndarjen e burimeve.

Gjatë Plenumit u nënvizua edhe rëndësia e krijimit të sistemeve më të mira të mbikëqyrjes së tregut, menaxhimit të burimeve natyrore dhe të ndotjes së mjedisit si dhe ofrimin e shërbimeve më të mira publike.

"Qeveria duhet të forcojë kontrollin gjatë dhe pas zbatimit të politikave, duke ngritur efikasitetin administrativ dhe qeverisës," thekson komunikata.

Përmirësimi i lidhjeve midis qeverisë qendrore dhe autoriteteve lokale është një tjetër element që tërhoqi vëmendjen e mediave.

"Marrëdhëniet midis qeverive të niveleve të ndryshme duhet të karakterizohen nga ndarja e qartë e përgjegjësive dhe e kompetencave, gjë që ka domethënie kyçe për qeverisjen e një vendi të madh, si dhe do të ndihmojë për krijimin e një sistemi të fuqishëm gjatë zbatimit të politikave".

Komiteti Qendror i PKK-së i kërkoi qeverisë qendrore që të forcojë makro-menaxhimin, ndërsa autoriteteve vendore që të zbatojnë në hollësi urdhrat. Plenumi propozoi që institucioneve shtetërore në nivel province dhe më poshtë, t'u jepet më shumë fuqi vendimmarrëse e administrative.

Ristrukturimi i institucioneve shtetërore radhitet tani në axhendën e punës të PKK-së.

"Meqë reforma e kësaj here është një projekt i ndërlikuar, Plenumi i Komitetit Qendror kërkon që degët e partisë dhe autoritetet qeveritare të niveleve të ndryshme t'i përqendrojnë forcat për të zbatuar sistematikisht sipas ligjit dhe rregullave, politikat e gjithanshme të bashkërenduara dhe reformuese," përfundon komunikata e lëshuar në mbyllje të punimeve të Plenumit të tretë të Komitetit Qendror të PKK-së.

Mrekulli
Lajmet Kryesore