2018-03-06 10:08:16 | xinhua | Komenti juaj | Printoni |
Të shtunën më 3 mars u hap në Pekin sesioni i parë i legjislaturës së 13-të të Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK-së) i cili është organi më i lartë politik këshillimor në vend dhe pritet të mbyllet më 15 mars. Ky sesion nisi punimet në Pallatin e Madh të Popullit ku morën pjesë presidenti Xi Jinping dhe udhëheqës të tjerë partiakë e shtetërorë të Kinës.
KKPPK-ja është një organ i rëndësishëm për bashkëpunimin shumëpalësh dhe konsultimet politike të udhëhequra nga Partia Komuniste e Kinës (PKK-ja). Është një mjet i rëndësishëm për nxitjen e demokracisë socialiste.
Në emër të Komitetit të Përhershëm të legjislaturës së 12-të të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, Yu Zhengsheng mbajti raportin e punës përpara 2,149 këshilltarëve politikë ku foli lidhur me rezultatet e punës në 5 vjetët e kaluar dhe paraqiti propozimet për punën e KKPPK-së në 5 vjetët e ardhshëm.
Konferenca Konsultative Politike e Popullit Kinez do të nxjerrë në pah misionet e reja për një Kinë "të madhe socialiste e moderne". 2, 149 figura politike u mblodhën për të diskutuar çështjet kryesore politike, ekonomike dhe shoqërore në kombin më të populluar në botë, njëherësh ekonominë e dytë më të madhe botërore.
"Ne do të përqëndrojmë këshillat dhe përpjekjet tona në çështjet kryesore, në mënyrë që të sigurojmë një fitore vendimtare në ndërtimin e një shoqërie moderne e të begatë në të gjitha drejtimet dhe nisjen e një udhëtimi drejt ndërtimit të plotë të një Kinë moderne socialiste", tha Yu në fjalën e tij gjatë ceremonisë së hapjes ditën e shtunë.
Duke bërë një përmbledhje të punës dhe përvojës gjatë pesë vjetëve të fundit, Yu tha se KKPPK-ja duhet t'i përmbahet natyrës së saj si "një platformë e rëndësishme për të gjitha partitë politike kineze, organizatat shoqërore dhe njerëzit nga të gjitha grupet etnike dhe të gjithë sektorët e shoqërisë për të punuar së bashku dhe marrë pjesë në shqyrtimin e çështjeve shtetërore në mënyrë demokratike ".
KKPPK-ja do t'i japë prioritet studimit dhe aplikimit të Mendimit të Xi Jinping-ut mbi socializmin me karakteristikat kineze për një epokë të re dhe do të studiojë me zell mendimin e ri dhe kërkesat për frontin e bashkuar patriotik dhe KKPPK-në, tha Yu.
Në sesionin e këtij viti do të zgjidhen gjithashtu edhe udhëheqësit e rinj të Komitetit Kombëtar të KKPPK-së. Përsa i përket agjendës kryesore të sesionit vjetor të KKPPK-së, çështjet thelbësore lidhen me dëgjimin dhe shqyrtimin e raportit të punës të Komitetit të Përhershëm të KKPPK-së dhe raportit mbi propozimet e paraqitura nga delegatët. E rëndësishme është gjithashtu pjesëmarrja pa të drejtë vote në sesionin e parë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore. Të tjera çështje kyçe për t'u diskutuar gjatë këtij sesioni janë dëgjimi dhe diskutimi mbi raportin e punës, diskutimi mbi projektin për amendimin e kushtetutës si edhe projektin për ligjin e mbikëqyrjes; shqyrtimi dhe miratimi i amendamentit të kapitullit të KKPPK-së dhe i rezolutave politike të sesionit. Në vijim, votimi për kryetarin, zv/kryetarin, sekretarin e përgjithshëm dhe anëtarët e përhershëm të komitetit të 13-të kombëtar, janë padiskutim pjesë e agjendës së sesionit 13 ditor që po mbahet në Pekin, punimet e të cilit nisën dy ditë më parë.
Në një raport mbi propozimet, Wan Gang, nënkryetar i Komitetit Kombëtar të legjislaturës së 12-të të KKPPK-së, tha se gjatë pesë vjetëve të fundit, gjithsej 29.378 propozime ishin dorëzuar nga anëtarët e Komitetit Kombëtar të KKPPK-së dhe 99 përqind prej tyre ishin trajtuar deri në 20 shkurt të këtij viti. "Shumica e propozimeve ose janë marrë parasysh ose vënë në praktikë gradualisht," tha Wan.
Tubimet e këtij viti pritet të marrin më shumë vëmendje si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, pasi ato ofrojnë një dritare për vëzhguesit globalë për të parë politikat e ardhshme të Kinës.
Siç u njoftua edhe nga zëdhënësi i sesionit, Wang Guoqing, i cili foli mbi përgatitjet për Konferencën në fjalë pak ditë më parë, ceremonia e hapjes ishte e hapur për mediat brenda dhe jashtë Kinës. Ceremonia e mbylljes dhe fjalimet e sesionit vjetor të KKPPK-së do vazhdojnë gjithashtu të jenë të hapura për mediat në vend e më gjerë.
Ekonomia e Kinës u rrit 6.9 për qind vitin e kaluar, duke u rritur për herë të parë në shtatë vjet dhe shumë më lart objektivit zyrtar prej rreth 6.5 për qind.
Një raport i dorëzuar nga presidenti Xi në Kongresin Kombëtar të 19-të PKK-së shpalli hapjen e një epoke të re për socializmin me karakteristikat kineze. Raporti ofroi dy objektiva të qarta: përfundimin e socializmit modern gjer në fund të vitit 2035 dhe ndërtimin e një "vendi të madh socialist modern" brenda mesit të këtij shekulli.
"Në përgjigje të nevojës për zhvillim në epokën e re, ne do të japim sugjerime se si të zhvillojmë një ekonomi moderne dhe demokraci socialiste, të ndihmojmë kulturën të lulëzojë, të forcojmë dhe të zhvillojmë qasje të reja në qeverisjen sociale dhe të ndërtojmë një Kinë të bukur", theksoi Yu. (Haris Vongli)