Kuriozitete nga Kina dhe bota

2018-02-26 16:08:46 xinhua Komenti juaj Printoni

Një grua në Kinë diplomohet në moshën 81-vjeçare

Historia e Xue Minxiu-t, e diplomuar në moshën 81 vjeçare, është një histori jo e zakonshme që provon se për të studjuar nuk është kurrë vonë.

Gruaja 81 vjeçare frymëzoi të gjithë të njohurit e saj dhe jo vetëm ditën kur ajo mori diplomën e saj të parë gjatë ceremonisë së diplomimit në Universitetin e Tianjin-it. Ajo ishte pjesë e një programi universitar katër vjeçar në distancë dhe ishte shumë e lumtur që kishte fituar të drejtën e studimit pranë këtij universiteti.

"Mos lejoni që pikëpamjet e njerëzve të tjerë të pengojnë idetë tuaja dhe më e rëndësishmja, duhet të jeni mjaft të guximshëm për të vazhduar përpara me ëndrrat tuaja", tha Xue gjatë fjalimit të saj në ceremoninë e diplomimit.

Çfarë e karakterizon udhëtimin e Xue-s është pikërisht guximi i madh. Pas regjistrimit në këtë program në vitin 2014, Xue-ja zgjohej çdo ditë që në orën 5 të mëngjesit dhe e shpenzonte gjithë kohën e saj duke lexuar.

Xue-ja shpreson të vazhdojë më tej karrierën e saj akademike. "Për sa kohë që të mundem, unë do vazhdoj të studioj," tha ajo.

Burrit i bie të fikët pasi mendoi se kishte fituar llotarinë

Një burrë nga Suzhou-ja e Kinës, i cili mendoi se kishte fituar një shumë të madhe parash në një llotari, u dërgua me urgjencë në spital pasi i ra të fikët nga emocionet.

Njeriu, emri i të cilit nuk u bë publik nga mediat, kaloi me orë të tëra në spital deri sa mori veten pas një dite të gjatë në një pikë llotarie në provincën e Taicang-ut.

Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes tregojnë se burri ishte shumë i tensionuar në çastin kur po lexoheshin numrat e biletës fituese të llotarisë dhe më pas ai u përplas mbi banak e ra menjëherë mbi tokë pa ndjenja.

Megjithatë, ai i kishte dëgjuar numrat gabim dhe kjo ngjarje e tronditi.

Sipas pronarit të lokalit, burri i cili ishte një klient i rregullt, kishte qenë kumarxhi prej shumë kohësh dhe gjatë gjithë ditës kishte ngrënë vetëm një vakt.

Ai kishte blerë lloje të ndryshme biletash dhe pak herë kishte fituar shuma që varionin nga dhjetra në qindra juanë. Sa herë që ai fitonte ndonjë biletë gëzohej tej mase, u shpreh pronari.

Burri tregoi më vonë se ai ishte i tronditur nga shoku, pasi kishte kujtuar se kishte fituar çmimin e parë të madh.

Shoferi nga ShBA-ja ndoqi GPS-in e makinës dhe përfundi në liqen

Një burrë i cili i besoi verbërisht aplikacionit të tij të "GPS"-it, sëbashku me dy pasagjerë të tjerë në makinë, përfundoi në një liqen të ngrirë në shtetin verilindor të Vermontit, njoftuan autoritetet vendore.

Të tre miqtë, të cilët kishin marrë një makinë me qira, fatmirësisht dolën të palënduar nga ky aksident, thanë mediat dhe policia e Burlington-it.

Sipas burimeve, shoferi "ndoqi udhëzimet e GPS-it, të cilat e orjentuan atë në drejtimin e gabuar dhe duke u munduar të devijonte disa piketa druri për varkat, makina e tyre përfundoi në liqen.

Mjeti fillimisht rrëshqiti mbi akull, por më pas akulli në sipërfaqen e liqenit të "Champlain"-it u kris dhe shumë shpejt makina e tipit "Jeep" u fundos.

Autoritetet thanë se shoferi "nuk ishte nën ndikimin e alkoolit apo drogës në kohën kur ndodhi incidenti".

"Mbeta pa fjalë," tha pas ngjarjes pronarja e automjetit, Tara Guertin-i, kur u intervistua nga një stacion televiziv i qytetit.

"Pyetja e parë që bëra ishte, "A janë të gjithë mirë?", sepse kjo mund të kishte patur një fund shumë të keq, por për fat të mirë të gjithë ishin mirë me shëndet", shtoi ajo.

Kina eksporton gjarpërinj të gjallë në Japoni

Për herë të parë, një provincë kineze ka eksportuar gjarpërinj të gjallë në Japoni.

200 kilogramë gjarpërinj "mamushi" me bisht të shkurtër, me vlerë 114 milionë dollarë, u eksportuan nga Jiaxing-u i provincës së Zhejiang-ut në juglindje të Kinës drejt Japonisë, pas miratimit të inspektimeve karantinore të bëra në vend.

Çifti kinez pendohet pasi e quajtën foshnjën e tyre 'Maserati'

Një çift nga provinca e Anhui-t, i cili e quajti vajzën e tyre "Maserati" dhe u pendua për këtë pas gjashtë muajsh, tani është duke u përpjekur që ta ndryshojnë sa më parë këtë vendim të nxituar.

Babai me mbiemërin Ma, dukej shumë i vendosur kur e regjistroi vajzën me emrin "Ma Shaladi" në vitin 2017, që fonetikisht në kinezisht do të thotë "Maserati", si emri i markës italiane të makinave.

"Shpresoj që vajza ime mund ta blejë këtë makinë luksoze kur të rritet dhe të ketë një jetë të mirë", tha Ma për zyrtarët e qytezës Maoji në Kinë.

Duke injoruar këshillat e babait të tij dhe pavarësisht nga paralajmërimet e zyrtarëve përkatës se procedurat për ndryshimin e emrit do të zgjasin shumë kohë, Ma e çoi deri në fund idenë e tij.

Megjithatë, bashkëshortja e z, Ma, tha se ajo nuk ishte e sigurtë për emrin e vajzës dhe u përpoq disa herë ta ndryshonte këtë vendim të bashkëshortit të saj. Ajo sugjeroi emrin "Ma Shala" për vajzën e saj, por duket se askush nuk e dëgjoi. Megjithatë, zyrtarët thanë se edhe versioni i dytë i emrit ngjante shumë me emrin e markës së makinës.

Prindërit ende nuk kanë vendosur për një emër për foshnjën e tyre "Ma Shaladi".

Njeriu i cili zgjodhi të jetojë rrugëve

Për shumë njerëz në qytetet e Kinës, mungesa e strehimit dhe jetesa në rrugë nuk është një zgjedhje. Por për një mbledhës mbetjesh të riciklueshme, kjo do të thotë liri.

"Të mbledhësh mbetjet e riciklueshme do të thotë të jetosh i lirë ", tha burri ndërsa nisi të binte borë në rrugët e Nanchang-ut në provincën e Jiangxi-së të Kinës lindore, një nga shumë vendet ku ai jetonte. "Ndihem i lirë.", u shpreh ai.

Në një intervistë të shkurtër, burri i cili ka zgjedhur rrugët si shtëpi të tijën, shpjegoi se ai e la punën në një ndërmarrje disa vjet më parë për të filluar një jetë të re. "Unë nuk e kisha menduar shumë se çfarë doja të bëja në atë kohë, por thjesht dëshiroja të shihja botën".

"Unë kam qenë në më shumë se 20 provinca," tha ai, duke shtuar se fle kryesisht në rrugë. "Më pëlqen të lëviz nga një vend në tjetrin dhe të rehatohem diku".

Pranë tij ishte një karrocë me qese të zeza mbeturinash, ku me siguri përveç mbeturinave të mbledhura për t'i shitur për riciklim në këmbim të disa të hollave, kishte edhe disa sende personale.

"Kjo karrocë siguron nevojat e mia kryesore", tha ai.

Në platformën kineze "SinaWeibo", shumë njerëz e vlerësuan zgjedhjen e mënyrës së tij të jetesës duke e quajtur shumë interesante dhe atë një njeri të lumtur e të lirë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore