Simbolet e rëndësishme të Festës së Pranverës

2018-02-12 10:59:53 CRI Komenti juaj Printoni

Festa e Pranverës apo Viti i Ri kinez është festa më rëndësishme në Kinë dhe më e madhja në Azi që festohet nga miliona kinezë në mbarë botën. Pavarësisht, modernizimit të kësaj feste, ajo në thelb mbetet një festë familjare dhe një moment i rëndësishëm për ribashkimin e anëtarëve të familjes. Si çdo festë në mbarë botën që ka simbolikat dhe traditat e veta, Festa e Pranverës është një nga festat e mbushur me më mëshumë simbole e rite, një mënyrë kjo që kinezët kanë zgjedhur për të nisur vitin e ri.

1. Ngjyra e kuqe

Në Kinë, ngjyra e kuqe simbolizon fatin e mirë: në kulturën kineze ngjyra e kuqe lidhet ngusht me fatin e mirë dhe lumturinë. Gjatë festës e gjithë Kina vishet me petka të kuqe. Këtë ngjyrë ta zë syri kudo, fenerë, veshje, zbukurime etj. Për më tepër, ngjyra e kuqe përdoret gjithashtu nëpër dasma dhe kur hapet një biznes i ri.

Feneri i kuq është zbukurimi më i përhapur gjatë Festës së Pranverës. Fenerët e kanë skeletin me rripa bambuje ose druri dhe mbulohen me vello të kuqe. Feneri i madh ka një diametër prej disa metrash.

Në vigjiljen e festës, çdo familje var fenerë të kuq dhe ngjit zbukurime në dyer e dritare. Ndërsa e gjithë familja gëzon së bashku darkën e vigjiljes. Natën e kësaj dite, njerëzit ndezin edhe fishekzjarrë. Në veri të Kinës në vigjilje është zakon ngrënia e "jiaozi" apo "damplings" ushqim tradicional kinez. Ndërsa në jug viti i ri pritet me ushqime orizi. Në tempujt budistë ndërkohë, bien kambanat. Besimtarët budistë besojnë se tingujt e kambanave do të heqin vuajtjet dhe do të sjellin fat në vitin e ri.

2. Hieroglifi kinez Fu

Hieroglifi "Fu", në kinezisht do të thotë "lumturi dhe fat i mirë", ndaj shpreh dëshirat e njerëzve për një vit të mbarë. Ndaj ky hieroglif shihet kudo në dekorimet e shtëpive, dyqaneve, zyrave. Në lashtësi ky hieroglif dhe dekorimet e tjera bëheshin me dorë por në ditët e sotme ato gjenden të stampuara në forma të ndryshme në supermarkete, qendra tregtare e tregje kudo ku ka blerës. Letrat dekorative vendosen në xhamat e dritareve kudo dhe duke patur kryesisht ngjyrë të kuqe i japin shumë gjallëri dhe bukuri çdo ambjenti festiv.

3. Nyja kineze

Ky dekorim përdoret për të zbukuruar ambjentet gjatë Vitit të Ri Kinez. Në ditët tona ato përdoren si dhurata për të afërmit apo miqtë dhe simbolizojnë mbarësinë dhe mirësinë për një vit të ri që po nis.

Viti i ri Kinez po troket dhe tashmë shumë kinezë kanë mbërritur apo udhëtojnë drejt vendlindjes për të festuar këtë natë të shënuar të vitit pranë familjeve. Është kjo një tjetër traditë, mjaft e përhapur në mbarë botën por edhe në Shqipëri. Viti i ri festohet pranë njerëzve më të dashur, familjes dhe të afërmve.

4. Pastrimi i shtëpisë në "themel"

Pastrimi i shtëpisë dhe i mjediseve të tjera është një nga traditat në prag të Vitit të ri kinez. Çdo cep i shtëpisë duhet të ndrijë nga pastërtia. Kjo traditë është e ngjashme dhe me traditën shqiptare të pastrimit para ardhjes së vitit të ri. Në kinezisht fjala "pluhur" shqiptohet e ngjashme me fjalën i vjetër (Chen), ndaj sipas traditës heqja e gjërave të vjetra dhe pastrimi i shtëpisë sjell mbarësi për vitin e ri. Pas pastrimit kinezët blejnë veshje të reja për Festën e Pranverës, pasi në traditën e tyre një vit i ri nis me gjëra të reja . Blerja e tyre simbolizon mirëseardhjen e vitit të ri, e një fillimi të ri.

5. Dekorimi i shtëpisë dhe ambjenteve të tjera

Në dyert e shtëpisë por edhe në dyert e brendshme, në të dy anët vendosen figura fatsjellëse, traditë kjo që daton mijëra vjet më pare në Kinë, në vitet kur sundonte shteti Shu (934 - 965). Forma origjinale e dekorimeve njihet si "Taofu", një pjesë e drurit të pjeshkës e cila, besohet se e mbron njeriun nga e keqja. Gjatë dinastisë Song në vitet (960 - 1279), në dy anët e dyerve por dhe në pjesën e sipërme të tyre nisën të vendosen letra të shkruara, me urime për mbarësi, shëndet, para.

6. Ushqimet fatsjellëse

Shumë vende kanë festat e tyre tradicionale dhe sigurisht Kina, ky vend i madh, me një histori të gjatë e traditë të pasur, nuk bën përjashtim. Ushqimi luan një rol shumë të rëndësishëm në të gjitha festat në Kinë. E çfarë mënyre më të mirë për të kremtuar festat mund të ketë sesa t'i shoqërosh ato me gatime të shijshme karakteristike.

Jiaozi

Në vigjiljen e Festës së Pranverës (Viti i Ri kinez) banorët në veri të Kinës zakonisht hanë jiaozi (ravioli kineze), sepse në kinezishte shqiptimi i fjalës "jiaozi" është i ngjashëm me atë të shprehjes "i jap lamtumirën së vjetrës dhe sjell të renë". Jiaozi-të bëhen me peta të vogla të mbështjella, të mbushura me mish ose perime. Ato përgatiten gjithmonë para mesnatës dhe hahen gjatë orës së fundit të vitit të vjetër dhe orës së parë të Vitit të Ri kinez. Ndonjëherë brenda jiaozi-ve futet futet një monedhë një juan, ose pesëdhjetë a dhjetë qindarka, si shenjë e fatit të mirë dhe begatisë në Vitin e Ri për ata që i hanë ato.

Peshku

Peshku është një përbërës i rëndësishëm në tryezat e qindra mijë familjeve kineze në prag të Festës së Pranverës. Peshku shqiptohet "yu" në kinezishte, ngjashëm me fjalën për "tepricë", duke shënuar kështu të pasurit më shumë se vetëm për nevojat themelore për atë vit. Peshku është gjithashtu ndër dhuratat për miqtë dhe të afërmit gjatë Vitit të Ri kinez. Disa në Kinën Jugore hanë vetëm pjesën e mesme të peshkut në darkën e Vitit të Ri, duke e lënë kokën dhe bishtin për të nesërmen, duke simbolizuar plotësinë. Ndërkohë, është veçanërisht e rëndësishme që, kur peshku vendoset në tryezë, drejtimi i kokës duhet të jetë nga ana e më të moshuarve, në shenjë respekti.

"Rrotullat e pranverës"

"Rrotullat e pranverës kanë një histori të gjatë në Kinë. Që në dinastinë Jin Lindore (316-420), njerëzit hanin ''Pjatën e pranverës", një pjatë me kekë të hollë në qendër dhe perime të gjelbra rreth tyre, në ditën e parës të pranverës çdo vit. Me zhvillimin e mënyrave të gatimit, "Ëmbëlsirat e pranverës" kanë evoluar në "Rrotullat e pranverës" të tanishme plot bukuri, të bëra me mbështjellëse të holla mielli me mbushje të ndryshme, të ëmbla ose të kripura, me mish ose perime.

Mrekulli