Përpjekjet e Kinës për zgjidhjen e problemit të mbeturinave

2018-02-05 14:21:04 xinhua Komenti juaj Printoni

Në sytë e shumë fshatarëve që jetojnë në krahina të varfra të provincës Hu'nan të Kinës Qendrore, ka shumë gjëra më të rëndësishme se kategorizimi i mbeturinave. Por, në pesë vjetët e fundit, Dai Hairong, një parlamentare kineze, i është përkushtuar përhapjes së rëndësisë së kësaj pune për të zgjidhur problemin në vendlindjen e saj.

Përpjekjet e saj filluan pas një vizite disa vjet më parë në Parkun Natyror Pinghushan të provincës Hu'nan. Ndërsa shijonte peizazhin e bukur natyror, znj. Dai u surprizua kur gjeti një gropë të madhe plot mbeturina që digjeshin, ndërkohë tymi dhe era e keqe shpërndahej në park. Asaj iu dhimbs park dhe ndikimi negativ i mbeturinave në mjedis dhe mori vetë përgjegjësinë për ta mjekuar këtë "tumor të mjedisit" që nga fshati ku banonte.

Mirëpo, atë kohë, shumë banorë dhe zyrtarë menduan se Dai zgjodhi një luftë të gabuar sepse ata ishin të mendimit se për një ligjvënëse, detyra më me prioritet ishte nxitja e zhvillimit ekonomik. Por ajo u përgjigj se problemi i mbeturinave po keqësohej dhe duhej vepruar menjëherë për të gjetur një zgjidhje të mirë.

Pas një studimi dyvjeçar, Dai doli në konkluzionin se për shkak të madhësisë së krahinave rurale të Kinës, mbledhja dhe dërgimi i të gjitha mbeturinave të tyre në vendet e trajtimit kushtonte shumë para. Gjithashtu nga studimi doli se fshatarët duhet t'i kategorizonin që në shtëpi mbeturinat dhe më as të bëhej pjesërisht riciklimi apo trajtimi fillestar.

Më pas Dai filloi t'u mbushte mendje zyrtarëve të mbështesnin idenë e saj dhe njëherësh filloi të kërkonte mbështetës. Ajo e paraqiti vazhdimisht këtë propozim në çdo mbledhje legjislative që mori pjesë.

Në vitin 2015, thirrjet e vazhdueshme të Dai-t tërhoqën vëmendjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban-Rural dhe të Strehimit të Kinës. Ata dërguan shpejt një grup ekspertësh në distriktin e Dai-t dhe e ndihmuan të përpilonte një plan të realizueshëm praktik dhe ekonomik.

Ata ranë dakord që mbeturinat nga gatimi dhe ujërat e zeza të trajtohen në fshat, ndërsa të tjerat si plastika apo qelqi mund të klasifikohen dhe të dërgohen kolektivisht në stacionin më të afërt për riciklim. Në bazë të studimit, ata caktuan se për çdo 500 fshatarë duhet të ndërtohet një stacion riciklimi për të arritur përdorimin më efikas të burimeve. Kështu një kamion mund të ngarkojë të paktën 30 tonë mbeturina për të shkuar një herë në fshat.

Në vitin 2015, me një plan të detajuar, Dai zgjodhi fshatin Dasheng si vend eksperimental për përhapjen e sistemit të kategorizimit të mbeturinave. Projekti u konceptua si bashkëpunim midis banorëve të fshatit, por fillimisht ata u paraqitën dyshues sepse edhe në qytetet e mëdha të Kinës, kategorizimi i mbeturinave përbën një problem.

Por znj. Dai nuk u tërhoq. Në një takim me përfaqësues të fshatarëve, ajo paraqiti vlerën ekonomike të ndarjes së mbeturinave.

"Një ton plastikë e përdorur mund të shitet për 107 dollarë. Por plastika e paklasifikuar nuk vlen asnjë qindarkë", tha Dai. Ajo i njohu fshatarët edhe me rrezikun e djegies së plehrave të pakategorizuara, që mund të shkarkojnë elemente vdekjeprurëse.

Pas propagandës së pandërprerë, fshatarët filluan gradualisht të bënin siç këshilloi Dai.

Tani, pas tre vjet eksperimentesh, ligjvënësja vëren se fshatarët janë bërë më të ndërgjegjshëm për mbrojtjen e mjedisit.

"Ata po përdorin më pak gota e mbulesa plastike njëpërdorimshe nëpër bankete. Ndërkohë shumë veta tani po mbledhin mbeturina nëpër male", tha znj. Dai.

Nga ana tjetër, edhe qeveria po merr më shumë masa për menaxhimin e mbeturinave dhe përsosjen e sistemit të riciklimit.

Në marsin e vitit të kaluar, qeveria kineze publikoi një plan, duke u kërkuar 46 qyteteve kryesore të vendit të fillojnë kategorizimin e mbeturinave para fundit të vitit 2020. Sipas dokumentit, të gjitha institucionet publike dhe kompanitë duhet të klasifikojnë mbetjet dhe do të jenë të parët që do të klasifikojnë mbeturinat në tre lloje: të rrezikshme, mbetjet e gatimit dhe materialet e riciklueshme.

Distrikti Tongzhou i Pekinit u përcaktua si krahinë pioniere për kategorizimin e mbeturinave në institucionet publike dhe në mbi 2500 restorantet vendore.

Këto restorante duhet t'i ndajnë mbeturinat nga gatimi në enë të posaçme që më pas të mund të transportohen në qendra trajtimi.

"Asnjë pecetë letre apo kruajtësedhëmbësh nuk mund të përzihet me mbeturinat e kuzhinës. Ne rast e gjenden të tilla, restoranti ynë do të gjobitet", thotë punëtori i një restoranti të Tongzhou.

Shumë qytete dhe kompani po synojnë gjetjen e rrugëve për të shfrytëzuar mbeturinat. Në një fabrikë që trajton mbeturinat e gatimit në qytetin Changsha të Kinës Qendrore, mbeturinat pas kategorizimit, shtypjes dhe sitjes, ndahen në vaj të përdorur, ujë dhe mbetje të ngurta.

Nëpërmjet metodave të përparuara, vaji i nxjerrë nga mbetjet mund të përdoret për qëllime industriale ose dhe si diezel biologjik. Uji i mbetur, pas fermentimit mund të kthehet në gaz i cili mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Kurse, mbetjet e ngurta mund të ushqejnë krimbat, që janë ushqim me proteina të larta për kafshët shtëpiake.

Si rezultat, çdo copëz mbeturine është trajtuar në mënyrë miqësore ndaj mjedisit natyror dhe rigjen përdorim.

Mrekulli
Lajmet Kryesore