Horoskopi kinez 2018, Dragoi dhe Gjarpri

2018-01-15 10:12:07 xinhua Komenti juaj Printoni

Dragoi 2018

Shenja e pestë e zodiakut kinez është Dragoi, që në gjuhën kineze njihet me emrin "Lóng". Të lindurit e kësaj shenje u përkasin viteve 1940, 1952, 1964, 1976, 1988, 2000, 2012 etj.

Karakteristikat e Dragoit

Dragoi është njeri disi i çuditshëm e ka një jetë komplekse. Është mjaft pasionant dhe i shëndetshëm. Shkon mjaft mirë me shenjat e Majmunit dhe Miut, por duhet të shmangë Qenin.

Të lindurit në këtë shenjë nuk kalojnë asnjëherë pa rënë në sy. Ata kanë një qëndrim të spikatur dhe kanë shumë besim në vetvete, por mund të jenë edhe arrogantë dhe snobë. Ata pëlqejnë gjërat e reja, por me të cilat mërziten shpejt. Personat që i përkasin shenjës së Dragoit janë energjikë, me humor, të qejfit dhe bujarë me miqtë, por me një temperament shpërthyes. Ata i pëlqejnë sfidat dhe situatat e vështira, në të cilat shpenzojnë shumë energji. U pëlqen liria, natyra, dhe nuk rrinë në mjedise të mbyllura, madje as në shtëpi. Ata mund të kenë shumë miq dhe u pëlqejnë lëvdatat.

Në lidhjet dashurore, Dragoi nuk e duron dot monotoninë. Kur gjen personin e duhur, dashuron me shumë pasion, por njëherësh është xheloz dhe posesiv. Dragoi do që të gjithë ta adhurojnë.

Për të kaluar vitin 2018 pa shumë probleme, Dragoi duhet të mësojë të moderojë krenarinë e tij shpeshherë të tepruar dhe karakterin e tij deri diku kokëfortë. Dragoi duhet të kujdeset më shumë për gjërat e njerëzit e rëndësishëm në jetën e tij dhe të mos i humbë ata prej kokëfortësisë.

Për sa i përket dashurisë, për pjesën më të madhe të vitit kinez të Qenit, të lindurit e kësaj shenje mund të presin të përjetojnë situata të pakëndshme, siç janë takimet me njerëz të padëshiruar. Dhe si zakonisht, pasi të ketë ndodhur diçka negative, do të jetë tepër vonë.

Dragoi që është i martuar ose jeton një marrëdhënie në çift, mund të përballet me mosmarrëveshje e konflikte të shumta me partnerin dhe mund të ndodhë që këto mosmarrëveshje të jenë serioze e të përfundojnë deri në ndarje, ose të kthehen në pikën fillestare, duke bërë kështu që Dragoi të vazhdojë të jetojë përsëri me prindërit. Në marrëdhëniet në çift, ata duhet të jenë më vigjilentë dhe të mos kritikojnë partnerin a partneren e tyre, nëse nuk duan që t'u kthehet e gjitha në bumerang. Tradhtia e Dragoit ndaj partnerit ose partneres nuk mund të përjashtohet gjatë vitit 2018.

Në nivel sentimental, Dragoi beqar do të bënte mirë që të mos ishte një "Don Zhuan", por as edhe të mos ia jepte veten tërësisht një marrëdhënieje dashurie të vërtetë. Në fakt, beqarët e kësaj shenje mund të përballen me një dashuri të njëanshme, e cila do t'i rraskapiste ata shumë.

Kush i përket shenjës së Dragoit, duhet t'ua mbyllë dyert e botës së tij të pasur shpirtërore shumë njerëzve të huaj apo shpërdoruesve të energjive të tij, të cilët do të donin t'i afroheshin medoemos.

Viti 2018 i Qenit për personat e shenjës së Dragoit nuk premton shumë dhe nuk parashikon martesa apo lindje.

Nga këndvështrimi profesional, është e panevojshme që Dragoi të vazhdojë të këmbëngulë e të përkushtohet ndaj projekteve që nuk ecin mbarë dhe kërkojnë shumë kohë dhe investim nga vetja. Ndërkohë, Dragoi duhet të përpiqet të ndryshojë orientimin e tij në profesion dhe të rishikojë ambiciet e veta, të paktën gjatë vitit 2018. Viti i Qenit është një kohë ideale nëse Dragoi dëshiron të eksplorojë drejtime të reja apo të zhvillojë një nga talentet e tij të shumta.

Në vitin 2018, personat të cilët në horoskopin kinez i përkasin shenjës së Dragoit, mund të humbin para, por gjithashtu, në momente krejt të papritura, një person i rëndësishëm e me vlerë mund të shfaqet në jetën e tyre. Një investim i bërë keqazi dhe i pamenduar mirë, mund të përkeqësojë në mënyrë dramatike situatën personale të Dragoit, kështu që këshillohet të shtyjë deri vitin e ardhshëm çdo rrezik financiar të mundshëm dhe të tregojë shumë durim gjatë vitit 2018. Për të është gjithashtu koha e duhur për të dëgjuar e për të zbatuar këshillat e mençura të miqve të tij.

Megjithatë, Dragoi ende mund të shpresojë të ketë edhe momente të mira në 2018-n. Për shembull, nëse ai vendos të shkojë me pushime për të zbuluar vende të largëta, do të ketë surpriza të këndshme. Sidoqoftë, ai duhet të informohet sa më mirë, në mënyrë që të shkojë me pushime gjatë muajve të tij të fatit, të përgatisë paraprakisht udhëtimin e tij, por edhe të shmangë çdo rrezik të panevojshëm.

Fatkeqësisht, meqë viti i Qenit nuk është dhe aq i mirë e pozitiv për personat e shenjës së Dragoit, kujdesi dhe meraku, madje edhe në periudhë pushimesh, duhet të kenë përparësi gjatë gjithë vitit 2018.

Gjarpri 2018

Shenja e gjashtë e zodiakut kinez është Gjarpri. Në gjuhën kineze Gjarpri njihet me emrin "Shé". Të lindurit e kësaj shenje u përkasin viteve 1941, 1953, 1965, 1977, 1989, 2001, 2013 etj.

Karakteristikat e Gjarprit

Gjarpri është i hijshëm dhe joshës. Është i zgjuar dhe i shkathët, gjithashtu ai kultivon me pasion shijen e tij mbi sekretet dhe okultin. Gjarpërinjtë janë gjithashtu epikureanë, elegantë dhe të rafinuar, të cilët kurrë nuk dyshojnë te vetja e tyre. Ata kanë një bukuri delikate e magjepsëse dhe rrallë preken nga problemi i parave, me të cilin shenjat e tjera të zodiakut kinez duhet të përballen.

Gjatë vitit 2018, Gjarpri duhet të jetë më rigoroz dhe më i saktë. Viti i Qenit është një vit i qetë për të lindurit e shenjës së Gjarprit. Ai do të jetë i angazhuar në aktivitete që nuk krijojnë as stres dhe as rrezik. Në përgjithësi, Gjarpri bën një reflektim të thellë mbi vlerat dhe epërsitë e tij, të cilat i lejojnë atij që të zgjidhë më mirë problemet në jetën e përditshme dhe të forcojë pozitën shoqërore e profesionale.

Megjithatë, para se të përpiqet të konsolidojë arritjet e tij, Gjarpri duhet të largojë prej vetes elementet sipërfaqësore të mjedisit që e rrethon, dhe veçanërisht të përpiqet të distancohet nga individët të cilët nuk e lejojnë të përparojë. Për Gjarprin, viti 2018 do të jetë një vit ndryshimesh, sidomos për sa i përket drejtimit profesional dhe ripërcaktimit të ambicieve të tij.

Pasi Gjarpri të sigurohet se mjedisi përreth tij është i sigurt dhe pa njerëz të dyshimtë, si dhe falë aftësisë së tij të veçantë "për të parë përtej mureve", ai do të jetë në formën e tij më të mirë dhe më se i qartë për të riorganizuar jetën e vet gjatë vitit 2018 të Qenit.

Viti 2018 është një vit i butë dhe i qetë për Gjarprin, një shenjë që do të arrijë sukses, por me kusht që të bëjë përpjekjet e duhura.

Për sa i përket dashurisë, Gjarpri duhet t'i japë prova të dashurisë së tij partnerit ose partneres. Ndoshta është koha që të zbulojnë disa të fshehta për njëri-tjetrin, duke pasur parasysh se, pas sinqeritetit, në çift ka më shumë harmoni e afërsi.

Për të fituar përsëri zemrën e të dashurit apo së dashurës, Gjarpri nuk do të ngurrojë që t'i bëjë rregullisht dhurata dhe të tregojë për të më shumë kujdes e vëmendje. Kjo, megjithatë, do të jetë e mundur vetëm me kusht që Gjarpri të largojë intolerancën e fshehur të mendjes së tij dhe të bindë veten se detajet e vogla, dhuratat dhe virtyti i ndarjes së gjërave me tjetrin do t'i sjellë shumë përfitime. Duke vepruar kështu, Gjarpri do të jetë i lumtur.

Për sa i përket Gjarprit beqar, në vitin 2018, ai ndihet i pjekur mjaftueshëm për t'u angazhuar në një marrëdhënie serioze të re. Sidoqoftë, ai duhet të shmangë çdo premtim ose angazhim serioz të nxituar, nëse dëshiron ta ruajë lirinë e vet edhe pak më gjatë. Në të vërtetë, Gjarpri, tërheqës dhe sensual, ka shumë mundësi të gjejë njeriun e duhur që në fillim të vitit. Për aq kohë sa Gjarpri mund të takojë dikë me të cilin ndan të njëjtat vlera, çifti i ri mund të planifikojë një të ardhme të bukur së bashku. Sidoqoftë, një njohje paraprake, e hollësishme dhe e plotë e të dashurit apo së dashurës është më se e domosdoshme përpara se të dy të vendosin për të ndarë jetën.

Viti 2018 sipas kalendarit kinez është i favorshëm për risitë në jetën e Gjarprit. Njerëzit e zymtë dhe xhelozë gjenden pranë Gjarprit më shumë se kurrë. Lindja e një fëmije të shenjës së Qenit është një ogur e mirë për prindin Gjarpër.

Në nivel profesional, viti 2018 për Gjarprin është një mundësi për të zhvilluar më tej bizneset e tij dhe për të menduar për strategji të reja për projektet e së ardhmes. Punonjësit e shenjës së Gjarprit mund të presin një promovim në punë dhe rritje rroge gjithashtu. Në 2018-n, këshillohet që gjarpri të mos lërë pas dore mirëqenien e tij dhe të bëjë një jetë të shëndetshme, për të shmangur problemet e mundshme me shëndetin. Personat që i përkasin shenjës së Gjarprit duhet të bëjnë kujdes me jetën e tyre personale dhe mos të lejojë që gjërat e vlefshme rreth tij të shkaktojnë xhelozi tek të tjerët, sepse kjo mund të rrezikonte paqen dhe qetësinë e Gjarprit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore