"Engjëlli i Bardhë" iranian në Kinë

2018-01-08 16:02:48 CRI Komenti juaj Printoni

"Rezultatet e kontrollit dolën të mira. Bebja është shumë mirë me shëndet. Faleminderit Hamideh. Na ndihmove edhe njëherë", kështu thotë Yang Hua, një pediatër nga Spitali Obstetrik-Gjinekologjik i Guangzhou-t. Me ndihmën e përkthimit, z. Yang kreu me sukses kontrollin për një foshnjë iraniane që sapo mbushi një muaj. Ndërsa kolegia që e ndihmoi quhet Hamideh.

"Jam Hamideh Kianipirooz. Fillova të punoj në departamentin e kontrollit të këtij spitali nga viti 2007. Përveç punës së përditshme, vura re se vitet e fundit, po vizitohen më shumë pacientë të huaj. Prandaj, si një mjeke që mund të flasë gjuhën kineze, angleze dhe perse, mendoj se është detyra ime t'i ndihmoj", tha Hamideh.

Para 13 vjetësh gjatë studimeve në Malajzi, Hamideh-ja u njoh me partnerin e saj z. Zhong me të cilin u martuan atje. Pas marrjes së diplomës, ajo shkoi në Guangzhou, në vendlindjen e bashkëshortit. Duke folur për vitet e para në Kinë, ajo kujton:

"Atë kohë, nuk e dija kinezishten dhe hasa shpesh vështirësi në jetë, sidomos kur vizitohesha te mjekët. Ndihesha e paaftë kur nuk kuptoja çfarë thoshin mjekët. Për njerëz të sëmurë, çdo fjalë e mjekut ka rëndësi të veçantë. Prandaj, pasi fillova punë në këtë spital dhe i kuptoj shumë mirë ndjenjat e pacientëve të huaj dhe jam gjithmonë gati t'i ndihmoj", i tha Hamideh CRI-së.

Znj. Fatma nga Tunizia u njohu Hamideh-në gjatë vizitës në spital. Me ndihmën e saj, ajo lindi fëmijën e parë në Guangzhou. Tani, është shtatzënë me të dytin. Ftma e vlerëson shumë Hamideh-në.

"Më ka ndihmuar shumë, në çdo aspekt. Sa herë kur vij këtu në spital, ajo më përkthen. E huaj është, por di shumë gjëra për Kinën. Është një njeri shumë i mirë", tha Fatma.

Sipas të statistikave të publikuara nga Drejtoria e Sigurisë Publike e Guangzhou-t, deri më 25 prill të vitit kaluar, numri i banorëve të huaj të regjistruar me leje qëndrimi ishte mbi 88 mijë, të cilët vijnë nga mbi 200 vende e rajone të botës.

"Guangzhou është një metropol ndërkombëtar, ku mund të takosh njerëz nga mbarë bota. Jam shumë mirënjohëse që ky qytet më pranoi shumë shpejt dhe këtu gjeta punën që më pëlqen. Të gjithë kolegët kinezë më trajtojnë si familjare. Kur erdha në Kinë herën e parë, qëndrova këtu për gjashtë vjet dhe nuk u ktheva në Iran pasi nuk ndihesha e vetmuar. Ashtu si qytetarët e tjerë, shkoj dhe kthehem nga puna çdo ditë me metro", tha Hamideh.

Në sytë e kolegëve kinezë, ajo është një mjeke e mirë dhe një mikeshë e ngrohtë. Znj. An Yazhen është një mjeke me përvojë shumëvjeçare.

"Hamideh-ja është një mjeke korrekte. Ajo punon në laboratorin e kontrollit. Kur ka pika të paqarta për rezultatet e analizave, gjë që nuk ka të bëjë me punën e saj, Hamideh-ja na kontakton menjëherë në telefon dhe verifikohet brenda mundësive që ka. Ajo është një mjeke shumë e besueshme. Ndërkohë edhe një person i ngrohtë. Çdo mëngjes, do të na përshëndesë me një përqafim të madh. Ajo mban mend ditëlindjet e të gjithë kolegëve dhe na uron gjithmonë e para", tha znj. An për kolegen iraniane.

Hamideh-ja, që mund të flasë gjuhën perse, kineze dhe angleze, jo vetëm ndihmon në komunikimin e mjekëve kinezë me pacientët e huaj, por ofron edhe këshilla profesionale për çdo vizitor të huaj që e takon. Bashkëshortja e Amir Fakhim-it, Sadr-i sapo lindi një fëmijë në Kinë.

"Bashkëshortja ime u njoh me Hamideh-në nëpërmjet një mikeshe. Më vonë, ajo mbeti shtatzënë dhe për shkak se për ne ishte hera e parë e pyesnim shpesh. Në sajë të ndihmës së saj, nuk patëm aspak vështirësi gjatë tërë procesit. Megjithëse gjuha pengon komunikimin mes neve dhe mjekëve vendorë, nëpërmjet përkthimit të Hamideh-së, ndjemë kujdesin dhe sinqeritetin e të gjithë stafit mjekësor kinez", i tha CRI-së z. Sadr.

Znj. Tabaroky lindi vajzën në spitalin e ku punon Hamideh-ja. Ajo e përshkroi eksperiencën e paharrueshme atë ditë.

"Nuk do të harroj kurrë atë ditë. Bebja duhet të lindte rreth orës 10 të natës, por Hamideh-ja ishte pushim. Pasi e mora në telefon, ajo mbërriti brenda 20 minutash. Gjatë më qëndroi pranë gjithë kohën. Kur ajo më priti vajzën e vogël, më dukej si një engjëll i bardhë që solli një engjëll tjetër në jetën time!"

Tani, Hamideh-ja është bërë gjithnjë e më e njohur ndër banorët e huaj në Guangzhou. Ajo ka fituar leje të përhershme qëndrimi në Kinë dhe është kënaqur me jetën dhe punën këtu.

Për këtë punonjëse të shkëlqyer, drejtorja e spitalit, Zhuo Lewen, nuk i rezervon komplimentet.

"Mendoj se Hamideh-ja e konsideron spitalin tonë si shtëpinë e vetë për t'u kujdesur me gjithë përgjegjësinë. Ne i mirëpresim punonjësit e huaj në spital, por ajo me një qëndrim serioz, nivel të lartë profesional dhe moral ka fituar vlerësimet e të gjithëve", tha znj. Zhuo.

Mrekulli
Lajmet Kryesore