Tregtarët afrikanë preken nga pakësimi i produkteve të lira kineze

2017-09-25 13:00:59 xinhua Komenti juaj Printoni

Me rritjen e çmimeve të mallrave dhe të pagave të punëtorëve në Kinë, gjithnjë e më shumë tregtarë afrikanë po largohen për t'u zhvendosur në vende më të lira në Azinë Juglindore.

Godina shumëkatëshe Tianxiu, një qendër tregtare e shitjes me shumicë në rrugën Xiaobei të qytetit Guangzhou është pagëzuar nga vendësir si "Afrika e Vogël". Por, vitet e fundit shumë dyqane të kësaj qendre janë mbyllur dhe tregu sikur e ka humbur gjallërinë e mëparshme. Tregtarët e mbetur duhet të përballojnë rritjen e qirasë, uljen e fitimeve dhe rënien e numri të klientëve.

Sajdi është një tregtar nga Mali, një vend i Afrikës Perëndimore. Ai shqetësohet për të ardhmen e biznesit të tij.

Kur mbërriti për herë të parë në Guangzhou të Kinës Lindore në vitin 2005, Sajdi u bë dëshmitar i lulëzimit të Tianxiu-së, ku ishte përqëndruar grupi më i madh i afrikanëve në Kinë. Atë kohë, ky treg priste qindra tregtarë nga vende të ndryshme afrikane, të cilët blinin pothuajse çdo gjë, nga veshjet, deri te mbajtëset e çelësave, apo bateritë e celularët.

Tashmë kjo periudhë ka mbetur vetëm një kujtim. Krahas rritjes së çmimeve dhe të pagave vitet e fundit në Kinë, Tianxiu ka humbur pak nga pak interesimin e tregtarëve afrikanë.

Adams Bodomo, profesor i Universitetit të Vjenës për studimet afrikane, në një libër të botuar para pesë vjetësh, vinte në dukje se 96% e banorëve që jetonin atë kohë në Guangzhou, merreshin me tregti.

Në sytë e shumë afrikanëve, ndërtesa Tianxiu, më pak se 3 kilometra larg stacionit të trenave të Guangzhout ishte pikënisje e biznesit të tyre.

I përuruar në vitin 1997, tregu Tiaoxiu përbëhet nga tre godina, ku janë përqëndruar disa qendra tregtare, hotele me çmime të ulëta dhe zyra të qindra kompanive të vogla tregtare. Vetëm disa vjet më parë, këtu ishte plot tregtarë afrikanë, që negocionin çmimet me shitësit apo transportonin mallrat me karroca dore.

Ishte vërtetë një minierë ari. Sipas studimit të Michal Lyonsit, profesor i Universitetit të Bregut Jugor të Londrës, një tregtar nigerian që vizitonte Guangzhoun njëherë në dy muaj, pritej të blinte 25 mijë bluza, nga të cilat, pasi i shiste në vendlindje, mund të fitonte 37.5 mijë dollarë amerikanë.

Felly, një tregtar 38 vjeçar nga Kongo nisi biznesin në vitin 2004 në Guangzhou. Në vitin 2003 ai shkoi në Hong Kong për tregti, por pasi bëri porosinë, pronari dyqanit i tha se duhet të priste tre orë për të marrë mallin. "Më në fund e kuptova, tha Felly se ky tregtar hongkongas shkoi në qytetin fqinj Guangzhou ku bleu mallra me çmim më të ulët, të cilat mi shiti mua".

Pas kësaj përvoje, Felly hapi biznesin e tij në Guangzhou. Ai tregon se fillimisht bleu disa televizorë dhe kondicionerë me 3 mijë dollarë amerikanë dhe i shiti me një çmim të dyfishtë në Afrikë. "Atëkohë, mund të fitoja 50 mijë dollarë amerikanë në muaj", tha ky tregtar afrikan për revistën "Time Finance".

Të tilla përvoja kanë tërhequr gjithnjë e më shumë tregtarë afrikanë, ndaj zona rreth Tianxiu-së njihej si "Afrika e vogël". Shumë tregtarë afrikanë madje shpreheshin me humor se " nëse nuk ke qenë asnjëherë në Tianxiu, nuk mund të thuash se ke vizituar Kinën".

Rritja e kostos vitet e fundit ndikoi dhe në rënien e numrit të tregtarëve afrikanë në Guangzhou.

"Tregtarët afrikanë siguruan fitime shumë të larta para 10 vjetësh, sepse konsumatorët vendës nuk e kishin idenë për çmimet në Kinë. Ata i zgjidhnin mallrat kineze sepse ishin më të lira në krahasim me prodhimet nga Europa apo Amerika. Kështu që tregtarët afrikanë preferonin të shisnin produke të lira. Por tani, konsumatorët afrikanë mund të njihen me çmimet në internet. Përveç këtyre, Kina po ndryshon formën e zhvillimit nga objektivi i sasisë te ai i cilësisë së lartë dhe prodhuesit kinezë po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje prodhimit të mallrave më të mira dhe rritjes së reputacionit të markave kineze. Prandaj, është e vështirë për tregtarët afrikanë të ndjekin rrugën e mëparshme", thotë Liu Yanmei, drejtor i Këshillit Tregtar të Guangdong-ut në Kenia.

Në të njëjtën kohë, tregtarët si Sajd hasin vështirësi të realizojnë fitime, në një kohë kur paga e punëtorëve kinezë rritet dukshëm. Një llambë që kushtonte 10 juanë(1.53) dollarë amerikan në vitin 2005, tani shitet 18 juanë në Kinë. Por, çmimi i saj në Afrikë nuk ka ndryshuar.

Shumë tregtarë të tjerë, si Sajdi janë zhvendosur në vende të tjera fqinje të Kinës, si Vietnam dhe Indi. "Cilësia e produkteve në këto vende është ok, por çmimi është më i pranueshëm, pasi dhe fuqia punëtore paguhet lirë ", tha ai.

Sipas revistës New Fortune,rritja vjetore e pagave të punëtorëve kinezë ka ruajtur nivelin 12% për disa vjet rradhazi. Në fabrikat kineze, punëtorët fitojnë 27.5 dollarë amerikanë në ditë, kurse në Indonezi vetëm 8.6 dollarë dhe në Vietnam 6.7 dollarë.

Një arsye tjetër që më shumë tregtarë afrikanë shkojnë në vende të tjera të Azisë Juglindore është lehtësimi i dhënies së vizave. Vitet e fundit, policët në Guangzhou kanë shtrënguar kontrollin për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm afrikanë.

Megjithatë nuk mund të gjykohet lehtësisht nëse është e drejtë apo jo zhvendosja sepse gjatë këtij procesi, më shumë kompani kineze po "dalin jashtë", për të eksploruar kontinentin afrikan. Krijimi i fabrikave në Afrikë po bëhet më tërheqës për pronarët kinezë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë së Kinës, investimet kineze në Afrikë janë shtuar 22% në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Siç mësohet, Etiopia, Zambia, Kenia dhe Xhibuti janë tre destinacionet e parapëlqyera. Në vitin 2011, grupi Huajian krijoi në Etiopi një njësi prodhimi të këpucëve për femra.

Ndihmësi i presidentit të bordit të kompanisë, Wei Xuagang u shpreh se paga mujore e punëtorëve vendës ishte sa 10% e atyre në Kinë. Kurse lënda e parë, lëkura ishte 8-10% më e lirë, duke mos përmendur çmimin e ulët të truallit, të energjisë elektrike apo ujit.

Ndërsa, në Mali, vendlindja e Sajdit, fabrikat kineze janë në ndërtim e sipër, produktet e tyre janë pothuajse me të njëjtën cilësi si ato që blen nga Kina. Ai thotë se mbase pas një kohe të shkurtër, do të largohet nga Guangzhou.

"Futja e investimeve kineze në Afrikë simbolizon një prirje të rëndësishme të globalizimit nga ana e Kinës, duke zëvendësuar vendet Perëndimore, e duke u bërë një partnere e rëndësishme tregtare e Afrikës, në jug të Shkretëtirës së Saharasë. Pasi Afrika të integrohet plotësisht në mjedisin ekonomik global, mbase nuk do të jetë e nevojshme që biznesmenët afrikanë të udhëtojnë mes Kinës dhe Afrikës" shkruan, antropologu amerikan Gordon Mathews, në veprën e tij "Chongqing Mansions, Hong Kong".

Mrekulli
Lajmet Kryesore