Rizhao, modeli i ekonomisë qarkulluese

2017-08-28 15:56:14 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, qyteti Rizhao i provincës Shandong ka marrë një sërë masash për trajtimin e plehrave dhe të ujit, duke gjetur modelin e zhvillimit të bazuar mbi ekonominë qarkulluese.

Si të trajtohen mbetjet ushqimore është një ndër problemet e vështira të qyteteve kineze me popullsi të dendur. Sasia e madhe e mbetjeve që prodhohen çdo ditë, po të mos trajtohen si duhet, do të përbëjë presion madh ndaj mjedisit dhe mund të kërcënojë sigurinë ushqimore dhe shëndetin e banorëve, pas shfrytëzimit të paligjshëm. Që nga viti 2015, qyteti Rizhao ka krijuar një sistem që siguron mbledhjen, transportimin dhe trajtimin e mbetjeve ushqimore, duke e zgjidhur përfundimisht problemin.

Kompania Honglu për teknologjinë e mbrojtjes së mjedisit është një ndër kompanitë që merren posaçërisht me grumbullimin e mbetjeve ushqimore në restorante, hotele ose institucionet publike si shkolla apo spitale etj. Makinat e kësaj kompanie mbledhin çdo ditë mbetje sipas një orari të caktuar.

Menaxheri Mu Dunxing flet për Radion e Jashtme të Kinës: "Në të gjitha distriktet e qytetit, kemi mbi 200 klientë si shkolla, hotele, restorante, mensa të fabrikave apo dhe të ushtrisë. Transportojmë mesatarisht 50-60 tonë mbetje në ditë, të cilat më pas dërgohen në një qendër që trajton 100 ton plehra në ditë".

Qendra e trajtimit është Fabrika Huangshan. Këtu, mbetjet sipas peshës, përzgjedhjes automatike, nxjerrjes së vajit, hidrolize etj., shndërrohen në vaj, ujë,elemente joorganike, që janë të lehta për t'u rishfrytëzuar.

Zv.drejtori i kësaj qendre Han Bangning u shpreh:  "Në fabrikën tonë, çdo përpunim ka vlerën e vet. Për shembull, gazi metan përdoret për prodhimin e energjisë elektrike në përmirësimin e ujit të ndotur. Uji që nuk ka standardet e ujit të pijshëm përdoret për vaditje etj. Ndaj mund të themi se mbetjet e trajtuara te ne, që nga momenti i hyrjes në fabrikë e deri në daljen prej saj nuk ndotin mjedisin. "

Në termocentralin 1 në Rizhao, plehrat e përditshme kanë luajtur rol të veçantë. Nëpërmjet djegies së 800 ton mbetjeve ditore, energjia e prodhuar përmbush nevojat e gati 20 mijë familjeve. Sipas z. Çin Haijin, ndihmës i kryemenaxherit të termocentralit, në sajë të teknikave të përparuara moderne, sasia e pluhurit e shkaktuar gjatë djegies së plehrave mund të ripërdoret.

"Për termocentralin që trajton djegien e plehrave, një ndër problemet më serioze është pluhuri me përmbajtje metalesh të rënda. Ne përdorim agjent kimik për të stabilizuar dhe ngurtësuar mbetjet. Pas thithjes së ajrit të pasur me karbon aktiv, ne i asgjësojmë pluhurat dhe kështu shmangin ndotjen. Për sa i përket mbetjeve pas djegies, mbi 1/4 e tyre që mbushin kriteret teknike përdoren për prodhimin e tullave", tha z. Çin.

Kjo fabrikë mund të prodhojë afro 35 milionë tulla në vit, nëpërmjet shfrytëzimit të mbetjeve nga djegia. Pas përurimit të termocentralit, qytetarët ishin dyshues për këtë prodhues të energjisë që shfrytëzon djegien e plehrave. Por për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe rritjen e besimit te teknologjia, fabrika publikoi rezultatet e kontrollit të nivelit të pluhurit dhe ndotjes së ajrit. Madje banorët vendës mund të gjejnë edhe informacionet përkatëse nëpërmjet një ekrani gjigant në hyrje të fabrikës ku përditësohen të dhënat gjatë gjithë ditës. Duke parë edhe standardet ndërkombëtare që paraqiten në të njëjtën kohë, ata mund të bëjnë krahasim me të dhënat e termocentralit.

Rizhao ka përfituar shumë dhe nga ripërdorimi i ujit. Sipas z. Zhu Chao, drejtor i Fabrikës së Dytë për Trajtimin e Ujit në Rizhao, fabrika trajton mbi 6 mijë ton ujë në ditë, i cili përdoret kryesisht për qëllim industrial dhe vaditje.

"Ne trajtojmë kryesisht ujin e përdorur në jetën e përditshme. Shumica e tij, pas trajtimit u kalon fabrikave për pastrim, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet nëpërmjet tubacionit të qytetit në parqe për ujitje apo në shatrivanë dekorativ ", tha z. Zhu.

Gjatë trajtimit të ujit ka raste dhe të ndotjes nga papastërtitë e tij. Por për këtë në Rizhao është ndërtuar një fabrikë përpunimi. Sipas drejtorit të fabrikës, z. Wang Wei, çdo ditë këtu mund të përpunohen 120 tonë baltë nga e cila përfitohen 100 ton produkte. "Produktet tona përdoren kryesisht në sektorin e gjelbërimit, si plehra organike a kimike për bimët e mbjella në dy anët e autostradave, parqet e qytetit etj.", tha z. Wang. 

Nëpërmjet teknikave të përparuara dhe shfrytëzimit të arsyeshëm, në Rizhao, plehrat e përditshme dhe uji janë shndërruar në burime të ripërdorueshme, që ndihmojnë jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në mbrojtjen e mjedisit.

  

Mrekulli
Lajmet Kryesore