Përhapja në botë e gjuhës dhe kulturës kineze

2017-08-14 15:52:56 xinhua Komenti juaj Printoni

Në 5 vjetët e fundit, me rritjen e ndikimit të Kinës, në botë është shtuar interesi për kulturën kineze. Gjithnjë e më shumë njerëz po mësojnë gjuhën kineze, duke përfshirë edhe mbesën e presidentit amerikan Donald Trump.

Gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në prillin e këtij viti në resortin Mar-a-Lago të Floridës, vajza e Ivanka Trumpit, Arabella Kushner këndoi në gjuhën kineze dhe recitoi vjersha të lashta të dinastisë Tang. Kjo nuk është hera e parë që mbesa e Trumpit shfaq njohuritë e saj në kinezisht, pasi ajo e ka nisur mësimin e kësaj gjuhe që kur ishte 1 vjeç e gjysmë. Arabella ka regjistruar video për të përshëndetur Vitin e Ri Kinez dhe ka marrë pjesë në aktivitetet e ambasadës së Kinës në Uashington, duke folur gjuhën kineze.

Përkushtimi i prindërve të Arabellës për zotërimin e kinezishtes pasqyron njëkohësisht edhe një prirje të re në mbarë botën.

Vitet e fundit, "ethet" e kinezishtes po përhapen dhe gjithnjë e më shumë te të rinjtë, anembanë botës që po e mësojnë atë.

Në vitin 2006, kolegji amerikan Walter Payton në bashkëpunim me Universitetin Pedagogjik të Kinës Lindore në Shangai hapën Institutin e Konfucit në Çikago. Sipas mësuesit të këtij Instituti Xu Qun, disa prindër amerikanë preferojnë të punësojnë kujdestarë që dinë gjuhën kineze për t'u mësuar të vegjëlve këtë gjuhë të lashtë. Kurse para fundit të vitit 2016, 512 Institutet e Konfucit në 140 vende e rajone të botës kanë ofruar 1073 kurse të ndryshme për nxënësit e huaj, që interesohen për kulturën kineze.

Alice, një 27 vjeçare keniane e konsideron gjuhën kineze si një gur themeli në karierën e saj. Pasi mbaroi studimet disavjeçare në Kinë për gjuhë, ajo fitoi një vend pune si përkthyese në një projekt hekurudhor me financim kinez, në vendlindje.

Kurse i riu afgan Hami, i tërhequr nga bukuria e gjuhës kineze e mësoi atë me përkushtim dhe aktualisht punon si pedagog i kësaj gjuhe në Universitetin e Kabulit. Në sytë e këtyre të rinjve, zotërimi i gjuhës kineze ka hapur një dritare të re.

Instituti i Konfucii pranë Universitetit të Tiranës ka patur zhvillim të shpejtë. Ai u krijua në nëntorin e vitit 2013 me bashkëpunimin e UT-it dhe Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Nëpërmjet veprimtarive të shumëllojshme si javë të filmave kinezë, konkurse kulturore etj., vitin e kaluar numri i kursantëve të këtij Instituti u rrit në 543, ndër të cilët 382 janë studentë të shkollave të larta, 45 nxënës dhe 116 të rritur. Në fillim të këtij viti, ambasadorja kineze në Shqipëri, znj. Jiang Yu iu shpërndau çertifikatat studentëve të Institutit Konfuci, pas kalimit të provimit të gjuhës kineze(HSK).

Me njohjen e kinezishtes nga gjithnjë e më shumë njerëz, edhe letërsia e shkruar në këtë gjuhë po shton numrin e dashamirësve.

Në libraritë e Waterstones në Londër, më të mëdhatë në Britani, tregimi i shkrimtarit kinez Liu Cixin "Bota Endacake" është ekspozuar si ndër më të rekomanduarit për tu lexuar. Sipas njërit prej librarëve, letërsia kineze, duke përfshirë atë klasike, prozën në internet dhe letërsinë për fëmijë po bëhen gjithnjë e më të pëlqyera për lexuesit vendës.

Para 5 vjetësh, askush nuk mund ta imagjinonte këtë popullaritet të kulturës kineze në Britani. Shkrimtari Xu Zechen, pjesmarrës në Panairin e Librit në Londër në vitin 2012 është shprehur se në libraritë e atjeshme nuk kishte gjetur asnjë libër nga letërsia kineze.

Ndërsa sinologu i njohur britanik Frances Wood, shprehet se shumë njerëz kanë interes për Kinën dhe leximi i librave është një mënyrë efikase.

Ndërkohë, në platformën elektronike ruse të shitjes së librave OZON, romani i shkrimtarit nobelist kinez Mo Yan " Rraskapitja nga jeta dhe vdekja" fitoi 5 pikë, vlerësimi më i lartë nga lexuesit. Edhe libri "Masazhi" i shkrimtarit Bi Feiyu është pritur mjaft mirë nga lexuesit rusë.

Filmat dhe dramat televizive kineze si "Sulmi i balozëve", "Parajsë në zjarr" dhe "Ode egëzimit" etj, janë prezantuar në shumë vende, duke tërhequr shikuesit , sidomos ata nga vendet fqinje.

Ndërkohë, Festa e Pranverës tani nuk kremtohet vetëm në lagjet ku banojnë komunitetet kineze në botë, të njohura si Chinatown. Në vende të ndryshme, Festa e Pranverës kremtohet në mënyra të ndryshme. PDuke qenë se e kuqja është ngjyrë tematike e kësaj feste në Kinë, për Vitin e Ri Kinez ndërtesa të njohura botërore si Empire State Building në Nju Jork, London Eye, Teatër i Operës i Sidney-t etj., vishen në të kuqe. Përveç këtyre, orgainizohen dhe veprimtari të tjera si programe të posaçme televizive në Francë, apo panaire të tempullit në 56 vende etj.

Ministria kineze e Kulturës po planifikon të ndërtojë më shumë qendra të kulturës kineze në mbarë botën për të nxitur njohjen e Kinës moderne dhe tradicionale.

Deri në fund të vitit të kaluar, Qendra të Kulturës Kineze u krijuan në 11 vende europiane, 10 vende aziatike, 5 vende afrikane, 3 vende oqeanike dhe 1 në Amerikën Latine. Sipas planifikimit, deri në vitin 2020, numri i qendrave do të shtohet deri në 50. Siç mësohet, 30 qendra aktuale të kulturës organizojnë mbi 100 aktivitete kulturore çdo vit, duke tërhequr mbi 10 milionë pjesëmarrës vendos, që nga viti 2000.

Mrekulli
Lajmet Kryesore