Kinezët dhe maskat

2017-07-31 16:34:32 xinhua Komenti juaj Printoni

Shpesh në filmime të ndryshme aziatikët shfaqen me maska në rrugët e qyteteve të tyre, pjesë e këtij kontinenti dhe kinezët në shumicën e rasteve në mjedise të hapura por edhe të mbyllura i sheh me maska.

Përse i përdorin ato?

Përgjigja e menjëherëshme që të shkon ndër mend është për shkak të ndotjes së ajrit dhe kjo është mëse e justifikueshme. Por në sa vende të tjera të botës, ndotja e ajrit është problematike? Madje në Shqipëri vitet e fundit ka patur të dhëna për rritjen e ndotjes në qytete të mëdha e megjithatë askush nuk qarkullon me maskë mbrojtëse. Kjo vlen të theksohet dhe për vende të tjera të botës, ku niveli i ndotjes së ajrit është i lartë.

Ja disa nga arsyet përse aziatikët në përgjithëse dhe kinezët në veçanti janë përdorues të maskave.

Për të mbrojtur të tjerët

Në shumë vende aziatike ekziston një traditë që nëse dikush është me grip, apo viroza të stinës, të cilat manifestohen me teshtima, kollë apo rrjedhje hundësh, vendos një maskë para hundës dhe gojës, për të mos ua ngjitur të tjerëve.

Në vitin 2002 në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong Kongut shpërtheu epidemia SARS. Pavarësisht se ajo kaloi edhe aktualisht hongkongasit kur janë me grip apo të ftohtë menjëherë përdorin maskat, për të mos qarkulluar virusi te të tjerët. Kjo është një ndjenjë e lartë përgjegjësie qytetare, që duhet marrë si shembull dhe nga vende të tjera.

Frika nga sëmundjet ngjitëse

Në një qytet si Hong Kongu, ndër të parët në botë përsa i përket dendësisë së popullsisë, epidemitë dhe viruset si SARS, gripi aviar etj përhapen me shpejtësi të madhe. Gjatë epidemisë se SARS-it në vitin 2002 hongkongasit e vuajtën shumë përhapjen e këtij virusi në 37 vende të tjera të botës dhe prej asaj kohe mbrohen shumë nga viruset dhe epidemitë. Për këtë qëllim ata e përdorin normalisht maskën në mjedise të jashtme.

Dihet se një maskë e zakonëshme nuk mund të ndalë plotësisht përhapjen e një virusi, por një maskë e cilësisë së lartë realisht i bllokon mikroqelizat, viruset apo bakteret të përhapen. Maskat nuk kushtojnë shumë dhe ky është një faktor që ndikon në përdorimin masiv të tyre nga aziatikët.

Frika nga ndotja

 

Ndotja e ajrit është shkak i sëmundjeve të ndryshme te njerëzit, përfshirë aparatin e frymëmarrjes, alergjitë apo sëmundje të tjera. Kina vit pas viti po shton luftën e saj kundër ndotjes së ajrit dhe qeveria kineze ka shtuar masat për pastrimin e ajrit, duke mbyllur fabrika që përdorin qymyrgur si burim energjie, apo miniera të vjetra dhe të prapambetura, por edhe duke dënuar shkeljet që përdorin qymyrgurin për ngrohje. Një tjetër mënyrë efikase është kontrolli i qarkullimit të automjeteve me karburant dhe shtimi i atyre me energji elektrike. Ndotja në Kinë është një pasojë e urbanizimit dhe industrializimit dinamik të vendit dhjetëvjeçarët e fundit. Për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me ajrin e ndotur, kinezët pavarësisht moshës, gjendjes sociale apo ekonomike përgjithsësisht qarkullojnë me maska në ditët e nivelit të lartë të ndotjes.

Maska për modë

Në vendet aziatike ekziston një kulturë e re paraqitjeje, kryesisht tek të rinjtë, përsa i përket përdorimit të maskave. Disa prej tyre krahas syzeve të diellit, kufjeve të mëdha në vesh vendosin dhe maskë në fytyrë, duke menduar se duhen të veçantë. Një tjetër prirje e vënies së maskave në fytyrë vërehet te aktorët, yjet e muzikës apo modës që e përdorin atë për të mos u njohur nga adhuruesit, që në disa raste i shqetësojnë. Për ta patur më të qartë këtë mjaftonte shihni disa maska që janë të stolisura me dizenjime lulesh, kafshësh, apo personazhe filmash vizatimorë dhe përdoren vetëm nga të rinjtë.

Maska si mjet shmangie të bisedave me të panjohur

Aziatikët në përgjithësi janë të ndrojtur dhe të tërhequr. Shumë prej tyre nuk dëshirojnë të shkëmbejnë biseda me të panjohur nëpër metro, trena, autobusë apo mjedise të tjera publike. Për këtë mbajtja e një pasje ndihmon në shmangien e të tjerëve.

Ndikimi i mjekësisë tradicionale

Shumë vende aziatike kanë ndikim të madh nga taoizmi dhe mjekësia tradicionale kineze, në të cilën frymëmarrja shihet si një element bazë i shëndetit të mirë. Qi është një koncept qendror i kozmologjisë kineze dhe lidhet kryesisht me energjinë dhe avujt. Në kinezisht "Qi" ka shumë kuptime, ndër të cilat "ajër" (kong qi), "atmosferë" (qi fen), "erë" (qi wei), "apo "forcë" (li qi).

Kur trupi ka mungesë të elementit qi, ose lëvizja e tij pengohet, atëherë ndjejmë dhimbje dhe sëmuremi, thotë mjekësia tradicionale kineze. Kjo është arsyeja pse frymëmarrja është kritike për të mbajtur qi të mirë në trup. Thithja e ajrit të ndotur "feng" konsiderohet si "një nga 6 shkaqet e prekjes nga sëmundjet, sipas mjekësisë tradicionale kineze. Ky është një shkak tjetër përse aziatikët në përgjithësi dhe kinezët në veçanti i kushtojnë vëmendje të madhe vënies së maskës në fytyrë.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore