Sekreti kinez i leximit të fytyrës

2017-07-04 13:55:57 xinhua Komenti juaj Printoni

Leximi i fytyrës apo siç quhet ndryshe fizionomisë ka një histori mijëravjeçare në Kinë. Në lashtësi kinezët kishin një shprehje që lidhet ngushtë me këtë traditë. Sipas saj "nëse doni të dini sa i zgjuar është një njeri, shihni ballin e tij ! Nëse doni të dini diçka për reputacionin, fisnikërinë, pasurinë, jetëgjatësinë shihni vetullat, sytë, hundën, gojën dhe nofullën!".

Nëse do të trajtojmë këtë shprehje të lashtë kineze nga pikpamja psikologjike ajo ka vërtet kuptim.

Por kinezët kanë dhe një shprehje tjetër sipas së cilës "Ndryshimi i një situate varet nga zemra". Kjo lidhet me vetëbesimin e njeriut. Një njeri me vetëbesim është në gjendje të ruajë një mendje të fortë dhe mendon gjithmonë pozitivisht, ndaj përpjekjet e tij shihen lehtësisht nga të tjerët dhe ai i përballon me lehtësitë vështirësitë".

Cili është sekreti i kinezëve të lashtë në leximin e tipareve njerëzore?

Balli

Mençuria e njeriut sipas kinezëve të lashtë shprehet në formën e ballit. Për këtë ata thonë se një ball i madh i rrumbullaktë është shenjë e zgjuarsisë. Madje përveçse zgjuarsisë një ballë i tillë konsiderohet simbol i bukurisë dhe mençurisë. Pothuajse të gjithë njerëzit e cilësuar si të bukur kanë një ball të rrumbullaktë. Vërehet gjithashtu se shumë njerëz të famshëm në fusha të ndryshme të jetës, biznesmenë të suksesshëm,pjestarë të familjeve mbretërore kanë ballë të madh dhe të rrumbullaktë që përfaqëson mençurinë dhe bukurinë, me të cilat janë bekuar këta persona.

Krahas formës së ballit, edhe vija e flokëve jep një të dhënë për leximin e portretit njerëzor. Një njeri me vijë flokësh të ulët poshtë në ball konsiderohet si i ngadaltë në mendime dhe veprime.

Sytë

Ne shqiptarët kemi shprehjen "sytë janë pasqyra e shpirtit", por edhe kultura e lashtë kineze e leximit të fytyrës ka pothuajse të njëjtën shprehje. Kinezët thonë "sytë janë dritaret e shpirtit".

Sipas tyre sytë shprehin zgjuarsinë, fisnikërinë, cilësitë drejtuese të personit dhe gjallërinë e tij.

Masa, pozicioni, forma e syve reflektojnë personalitetin e njeriut, por dhe ulje-ngritjet me të cilat ai do të përballet në të ardhmen, përfshirë këtu karrierën, famën, pasurinë, dashurinë apo edhe martesën.Për sytë e vegjël thuhet se nuk janë aq të bukur, pasi duken të papërshtatshëm për të shprehur emocionet.

Hunda

Kultura e lashtë kineze thotë se hunda e njeriut është simbol e pasurisë së tij. Pavarësisht përcaktimeve estetike të ndryshme, një hundë e drejtë konsiderohet gjithmonë e bukur. Përcaktimi i hundës sipas formës nga kinezët e lashtë thotë se "nëse dikush ka një hundë të ngritur lart ka shanse të bëhet oficer i lartë". Ndërsa një burrë me hundë të drejtë normale ka mundësi të mëdha për tu bërë zyrtar i lartë. Një grua me hundë të drejtë simbolizon një grua të pasur.

Personat me hundë të të shtrembër nuk mund të jenë të pasur, ndërsa ata me hundë të trashë i sigurojnë lekët me vështirësi, thuhet në leximin e lashtë të fytyrës njerëzore sipas kinezëve.

Nofulla

Forma e nofullës flet shumë për jetëgjatësinë e njeriut. Kultura e lashtë kineze përcakton se njerëzit me nofull të rrumbullaktë janë të bekuar. Madje kinezët kanë dhe shprehjen se "njeriu me nofull të rregullt dhe të rrumbullaktë do të ketë fat në jetë". Një grua me fytyrë të rrumbullaktë do të jetë një amvisë e mirë dhe do të respektojë burrin dhe familjen.

Veshët

 

Kinezët thonë se veshët e mëdhenj sjellin fat dhe pasuri. Tradicionalisht imazhet e Buddhës janë me veshë të rrumbullaktë. Në fizionomi besohet se një njeri me veshë të mëdhjen është me fat, me para dhe miq. Ndërsa një grua me veshë të mëdhenj konsiderohet si mjaft bujare dhe e lidhur shumë me bashkëshortin dhe fëmijët e saj. Ajo është e bekuar nga prindërit, por edhe miqtë. Një kandidate e mirë për martesë.

Goja

Goja është një nga tiparet që jep një parashikim të pasurisë së njeriut. Personat me buzë të plota janë me fat në sigurimin e pasurisë. Forma e buzëve shpreh dëshirën e njeriut, si dhe tolerance e tij.Një formë e bukur buzësh konsiderohet si shprehje e dinjitetit, pastërtisë shpirtërore, ndershmërisë, elegances dhe hijeshisë.Kinezët e lashtë besonin se njerëzit me buzë të holla janë dashakëqinj, llafazanë dhe thashethemexhinj. Martesa me një grua me buzë të holla, sipas kinezëve sjell fat të keq te bashkëshorti i saj. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore