Hong-Kongu feston 23-vjetorin e kthimit në atdhe

2020-07-01 20:41:07 CRI Komenti juaj Printoni

Rajoni kinez i Hong-Kongut festoi të mërkurën 23-vjetorin e kthimit në atdhe, ndërkohë që një ligj për ruajtjen e sigurisë kombëtare në Hong-Kong hyri në fuqi të martën.

Në një pritje pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, Shefja Ekzekutive e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, Carrie Lam, theksoi rëndësinë e përvjetorit të kthimit dhe tha se ligji i ri do të ndihmojë në rivendosjen e stabilitetit në rajon.

Ligji i Republikës Popullore të Kinës për ruajtjen e Sigurisë Kombëtare në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut u miratua njëzëri në sesionin e 20-të të Komitetit të Përhershëm të Legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore, organi më i lartë ligjvënës i Kinës, dhe hyri në fuqi në orën 11:00 të mëngjesit të së martës sipas orës lokale.

Legjislacioni u miratua pasi rajoni i Hong-Kongut ishte në darën e trazirave të gjata shoqërore prej qershorit të kaluar. Incidentet e dhunshme dhe trazirat e shpeshta shkelën rendin dhe sundimin e ligjit, kërcënuan sigurinë e njerëzve dhe rrezikuan sigurinë kombëtare.

Lam e quajti miratimin e ligjit si një pikë kthese për të nxjerrë Hong-Kongun nga ngërçi i tanishëm dhe për të rivendosur stabilitetin dhe rendin nga kaosi.

Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut do të bëjë çmos dhe do të qëndrojë e palëkundur në detyrat e saj për të përmbushur përgjegjësinë parësore të zbatimit të ligjit në Hong-Kong, tha Lam, duke theksuar ndërtimin e një komiteti për ruajtjen e sigurisë kombëtare në këtë rajon.

Me rastin e përvjetorit, të mërkurën u mbajtën një seri festimesh, përfshi kalimin e anijeve të peshkimit dhe banorët që këndonin njëzëri himnin kombëtar.

Në ceremoninë e hapjes së veprimtarive të festimit, Luo Huining, drejtori i Zyrës Ndërlidhëse të autoriteteve qendrore në Hong-Kong tha: "Shpallja e ligjit shënon një pikë kthese të rëndësishme për Hong-Kongun për të shkuar nga trazirat drejt stabilitetit dhe një moment i rëndësishëm për politikën 'Një vend, dy sisteme' në Hong Kong". (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore