Lam: Ligji i sigurisë kombëtare 'shumë i nevojshëm'

2020-06-30 21:03:39 CRI Komenti juaj Printoni

Shefja Ekzekutive e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut Carrie Lam tha të martën se legjislacioni i ri i sigurisë kombëtare për Hong-Kongun ishte "i nevojshëm", duke shtuar se ligji i ri mbështeti parimet e rëndësishme ligjore dhe nuk ka "asnjë ndikim prapavështrues".

Komiteti i Përhershëm i Legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) miratoi në fillim një projektligj për ruajtjen e sigurisë kombëtare në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut.

Përmes një videomesazhi drejtuar sesionit të 44-të të Këshillit të OKB për të Drejtat e Njeriut, Lam tha se dhuna në rrugët e Hong-Kongut vitin e kaluar "shkeli vijën fundore të 'Një vend, dy sisteme' dhe bëri thirrje për veprim të vendosur".

"Tani, legjislacioni për mbrojtjen e sigurisë kombëtare është shumë i nevojshëm," tha Lam. "Që prej qershorit të kaluar, Hong-Kongu është traumatizuar nga përshkallëzimi i dhunës së nxitur nga forcat e jashtme."

"Gjatë kësaj periudhe, grupet që mbrojnë të ashtuquajturën pavarësi të Hong-Kongut dhe vetëvendosjen nxitën protestuesit, shpesh të rinjtë e radikalizuar, për të përdhosur dhe djegur flamurin kombëtar, vandalizuar emblemën kombëtare dhe sulmuar zyrën e qeverisë qendrore në Hong-Kong.

"Më tej, disa politikanë vendës shpallën se do të ngrijnë qeverinë rajonale të Hong-Kongut, ndërsa të tjerët kanë bërë fushatë që qeveritë e huaja të ndërhyjnë në punët e Hong-Kongut apo edhe të vendosin sanksione ndaj Hong-Kongut. Asnjë qeveri qendrore nuk mund të rrijë duarkryq ndaj këtyre kërcënimeve të sovranitetit dhe sigurisë kombëtare si dhe ndaj rreziqeve të përmbysjes së pushtetit shtetëror".

Për ligjin e ri, Lam vijoi arsyetimin duke thënë se ai "synon të parandalojë, frenojë dhe ndëshkojë veprimet e shkëputjes, përmbysjes së pushtetit shtetëror, aktivitetet terroriste dhe bashkëpunimin me forcat e huaja dhe të jashtme që kërcënojnë sigurinë kombëtare."

Ajo tha se legjislacioni do të mbështesë parimet ligjore, nuk do të përdoret në mënyrë prapavështruese dhe se hetimi, ndjekja penale dhe gjykimi do të zhvillohen në Hong-Kong.

"Kjo nuk do të prekë të drejtat dhe liritë ligjore të individëve, të cilat mbrohen me Ligjin Themeltar dhe besëlidhjet përkatëse ndërkombëtare që aplikohen në Hong-Kong. Ato përfshijnë ndër të tjera, lirinë e fjalës, të medias, të mbledhjes, të demonstrimit dhe të kortezhit.

"Me pak fjalë, legjislacioni nuk do të dëmtojë politikën 'Një vend, dy sisteme' dhe as shkallën e lartë të autonomisë së Hong-Kongut."

"Të gjitha ato vende që kanë drejtuar gishtin nga Kina kanë legjislacionin e tyre të sigurisë kombëtare. Nuk arrijmë ta kuptojmë pse vetëm Kina duhet të pengohet nga miratimi i legjislacionit të sigurisë kombëtare për të mbrojtur çdo cep të territorit të saj dhe të gjithë shtetasit e saj ."(Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore