Pekini kundërshton fjalët e Pompeo-s mbi çështjen e Xinjiang-ut

2020-06-30 19:49:22 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo kritikoi në një deklaratë masat e qeverisë kineze në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit. Lidhur me këto, zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian shprehu kundërshtim, duke i bërë thirrje kryediplomatit amerikan të ndalojë përbaltjen ndaj Kinës nëpërmjet shfrytëzimit të çështjes së Xinjiang-ut.

"Pompeo flet përçart. Qeveria kineze i mbron si gjithmonë të drejtat ligjore të banorëve të kombësive të ndryshme të vendit. Kemi zbatuar prej kohësh politika të favorshme për banorët e pakicave kombëtare, përfshirë ata ujgurë. Nga viti 1978 deri në vitin 2018, numri i banorëve ujgurë në Xinjiang u rrit nga 5.55 milionë deri në 11.68 milionë, sa 46.8% e popullsisë së përgjithshme të rajonit, duke u dyfishuar. Nëse ato që thotë Pompeo do ishin të vërteta, si ka mundësi kjo rritje e ndjeshme e popullsisë ujgure?", pyeti z. Zhao.

Zëdhënësi vuri në dukje se minoritetet në ShBA kanë vuajtur për një kohë të gjatë një diskriminim racor të gjerë e sistematik në fushat politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore. Sipas tij, për amerikanët indigjenë, ShBA-ja ka marrë masa për shfarosjen, izolimin dhe asimilimin e tyre; pas shpërthimit të epidemisë COVID-19, afro-amerikanët patën rrezikshmërinë më të lartë të infektimit dhe të vdekshmërisë. Zhao Lijiang vuri në dukje se protestat masive të kohëve të fundit në ShBA kundër vrasjes së Xhorxh Floid-it tregojnë përsëri diskriminim sistematik racial, gjë që ka shtuar ankthin e banorëve me ngjyrë.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze kërkoi në konferencën e shtypit që disa politikanë amerikanë t'i shohin problemet e tyre në mënyrë të drejtë, duke ndaluar baltosjen e Kinës me anën e çështjes së Xinjiang-ut si dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të Kinës. (Zhang Yan/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore