Kinë, më shumë përpjekje për arsimimin cilësor të fëmijëve me aftësi të kufizuara

2020-06-30 12:09:55 CRI Komenti juaj Printoni

Autoritetet arsimore kineze po bëjnë thirrje për përpjekje më të bashkërenduara për arsimim më cilësor të fëmijëve të moshës shkollore me aftësi të kufizuara.

Theksi është vënë ndër të tjera në nevojën urgjente që më shumë fëmijë me aftësi të kufizuara të mësojnë në klasa të rregullta.

Ministria e Arsimit kohët e fundit ka nxjerrë një udhëzim, që do të lejojë më shumë fëmijë me aftësi të kufizuara në vend të ndjekin arsimin e detyrueshëm në klasa të rregullta.

Tani numri i fëmijëve të tillë në Kinë është më shumë se 790 000, dhe gati gjysma e tyre studiojnë në klasa të rregullta.

Udhëzimi thekson vlerësimin më të mirë nëse një fëmijë me aftësi të kufizuara është i përshtatshëm për një klasë të rregullt.

Tai Lihua është drejtuese e Grupit Artistik të Njerëzve me Aftësi të Kufizuara të Kinës. Ajo thotë se arsimi përfshirës në klasa të rregullta është i dobishëm për fëmijët me aftësi të kufizuara:

" Tani disa fëmijë me aftësi të kufizuara mund të marrin trajtim të mirë kur janë shumë të vegjël. Unë mendoj se arsimi përfshirës është urgjentisht i nevojshëm për këta fëmijë. Me këtë arsim, ata sigurisht që mund të integrohen në shoqëri si fëmijët e zakonshëm."

Udhëzimi thotë që këta fëmijë gjithashtu duhet të përshtaten në shoqëri nëpërmjet arsimit përfshirës.

Prindërit janë të lumtur kur shohin efektet që arsimi përfshirës ka pasur te fëmijët e tyre. Një prej tyre thekson:

"Fëmija im mund të ndiejë atmosferën e mirë dhe ngrohtësinë e njerëzve nga aktivitetet shoqërore."

Ndërsa një tjetër shprehet:

"Fëmija im ka qenë shumë i heshtur, por ka ndryshuar pasi ka marrë trajnimin arsimor përfshirës."

Për të siguruar që këta nxënës të mësojnë dhe të bashkëveprojnë mirë në klasa të rregullta, shkollat duhet të zgjedhin mësues me përvojë dhe të kualifikuar, si dhe t'u sigurojnë mësuesve trajnimin e nevojshëm.

Ekspertë të tjerë që punojnë në shkolla të arsimimit të veçantë në vend po i ndihmojnë këta fëmijë të integrohen më mirë në klasat e rregullta.

Meng Chunfang, zv.drejtorja e një shkolle të arsimit të veçantë në Changshu të provincës Jiangsu, thotë:

"Librat shkollorë duhet të përzgjidhen sipas karakteristikave të fëmijëve. Ne duhet t'i mësojmë ata sipas kushteve dhe në mënyrë elastike, për t'i ndihmuar të integrohen më mirë në klasat e rregullta dhe në shoqëri."

Ndërkohë, janë krijuar edhe qendra në lagje për fëmijët me aftësi të kufizuara, ku ata mund të marrin shërbime rehabilitimi dhe të marrin pjesë në sporte, lojëra e veprimtari të tjera.

Sipas statistikave, tani ka mbi katër milionë fëmijë me aftësi të kufizuara në Kinë, dhe numri rritet me afro 200 000 në vit.

Ekspertët thonë se duhet të inkurajohen më shumë terapistë profesionistë të rehabilitimit dhe punonjës socialë për të siguruar ndihmë rehabilitimi e mësimdhënieje për këta fëmijë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore