CMG-ja: Projektligji amerikan mbi Hong-Kongun zbulon qëllimet e këqija

2020-06-28 11:35:09 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, në Senatin amerikan u miratua i ashtuquajturi "Projektligj i autonomisë së Hong-Kongut", që kërcënon me sanksione individët, institucionet financiare dhe subjektet e tjera, që dyshohet se dëmtojnë autonominë e Hong-Kongut. CMG-ja shprehet në një koment të vetin se ky është një veprim imponues që ndërhyn në mënyrë të hapur në punët e brendshme të Kinës dhe shkel parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke zbuluar më tej qëllimet e këqija të disa politikanëve amerikanë.

Vitin e kaluar, me planifikimin dhe nxitjen e forcave të jashtme, veprimet e "pavarësisë së Hong-Kongut" dhe të separatizmit radikal u përshkallëzuan në Hong-Kong. Banditët sulmuan institucionet publike, ndaluan transportin e vunë zjarre, duke shkaktuar vdekjen e civilëve të pafajshëm dhe duke përbërë kërcënim serioz ndaj interesave dhe sigurisë kombëtare të Kinës. Ish-drejtori i Departamentit të Politikave Ekonomike dhe Tregtare të Qytetit të Londrës John Ross vuri në dukje se asnjë vend nuk do të pranonte aktivitete të dhunshme kriminale dhe se Kina kishte të drejtë të ligjshme që të hartonte ligjet e sigurisë kombëtare, që janë punë të brendshme të Kinës.

Hong-Kongu është qendër financiare ndërkombëtare. Nëse cenohen lulëzimi dhe qëndrueshmëria e Hong-Kongut, interesat e ndërmarrjeve amerikane aty do të pësojnë dëme të mëdha dhe tregtia e jashtme amerikane që lidhet me Hong-Kongun do të goditet rëndë.

Çështja e Hong-Kongut është punë e brendshme e Kinës dhe vendet e tjera nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në të, u shpreh të premten zëdhënësi i qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. Ish-sekretarja për Drejtësinë e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut Liang Aishi theksoi se mbështetja e Hong-Kongut për legjislacionin e sigurisë kombëtare nuk ndikon aspak parimet "Një vend, dy sisteme" dhe "Qeverisje e Hong-Kongut nga hongkongasit".

Gjatë një interviste, studiuesi i lartë i Universitetit të Kembrixhit Martin Jacques u shpreh se parimi "Një vend, dy sisteme" është metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të Hong-Kongut dhe legjislacioni i sigurisë kombëtare mund të shtojë qëndrueshmërinë e këtij qyteti.

Ditët e fundit, qarqet e ndryshme të Hong-Kongut organizuan nënshkrimin e peticionit kundër ndërhyrjes së forcave të huaja si ShBA-ja etj. në çështjet e Hong-Kongut. Deri më 27 qershor, mbi 1.26 milionë banorë e firmosën peticionin, duke shprehur mendimin e hongkongasve.

CMG-ja vlerëson në koment se e ardhmja e Hong-Kongut vendoset nga 1.4 miliardë kinezë, duke përfshirë edhe bashkatdhetarët hongkongas. (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore