Shefi i CDC-së: Shifrat e COVID-19 në ShBA mund të jenë 10 herë më të larta se ato zyrtaret

2020-06-26 20:54:46 CRI Komenti juaj Printoni

Numri i të infektuarve me COVID-19 në ShBA ka të ngjarë të jetë 10 herë më i lartë se 2.4 milionë rastet e konfirmuara, tha të enjten shefi i Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Vlerësimi i kreut të CDC-së, Robert Redfield, i ndarë me gazetarët në një konferencë shtypi, u bazua në testimet e antitrupave. Kjo tregon se deri tani janë infektuar të paktën 24 milionë amerikanë.

Testet e antitrupave ekzaminojnë gjakun e një personi për treguesit që sistemi imunitar i është kundërpërgjigjur një infeksioni.

Redfield tha se beson se deri tani është prekur 5 deri 8 për qind e popullsisë.

"Vlerësimi ynë më i mirë tani është se për çdo rast që kemi regjistruar, në të vërtetë ka pasur 10 infeksione të tjera," u tha ai gazetarëve.

Sipas Redfield, pjesa më e madhe e popullit amerikan, ndoshta mbi 90 për qind e popullatës, mbetet e ndjeshme ndaj infektimit me koronavirus.

Bilanci i deritanishëm i të prekurve me COVID-19 në ShBA është mbi 2.4 milionë, ndërkohë janë raportuar mbi 124 mijë viktima, sipas një raporti nga Universiteti Johns Hopkins.

Rastet me COVID-19 po shtohen dita-ditës në shumë shtete, përfshirë Teksasin, Alabamën, Misurin dhe Nevadën. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore