COVID-19, Kina përforcon masat gjatë Festës së Varkës së Dragoit

2020-06-25 19:44:42 CRI Komenti juaj Printoni

Autoritetet kineze do të vazhdojnë të zbatojnë masa të rregullta parandalimi dhe kontrolli kundër COVID-19 gjatë pushimit treditor të Festës së Varkës së Dragoit, që nis të enjten.

Kjo është festa e dytë publike prej kohës kur Kina hyri në fazën e parandalimit dhe kontrollit të rregullt të epidemisë.

Gjatë pushimit treditor pritet të ketë një rritje të numrit të udhëtimeve turistike dhe për vizita familjare.

Të dhënat nga Grupi i Hekurudhave Shtetërore të Kinës tregojnë se numri i udhëtimeve të pasagjerëve me tren pritet të arrijë në 26 milionë.

Deri tani janë rihapur mbi 10 mijë pika turistike që prej vënies nën kontroll të COVID-19.

Liu Kezhi është drejtor i Departamentit të Menaxhimit të Tregut nën Ministrinë e Kulturës dhe të Turizmit.

Ai tha se është më mirë që turistët të bëjnë rezervime përpara udhëtimit.

"Së pari, numri i turistëve të pranuar nga vendet turistike duhet të jetë më i vogël se 30 për qind e kapacitetit të tyre maksimal. Së dyti, njerëzit duhet të bëjnë rezervime para se të vendosin të nisen drejt një pike turistike."

Ai theksoi se duhet të shmangen grumbullimet në grupe të mëdha dhe të ruhet largësia fizike.

Ministria e Transportit njoftoi se transporti ndër-krahinor i pasagjerëve do të pezullohet gjatë Festës së Varkës së Dragoit.

Ndërsa Pekini po regjistron raste të reja me COVID-19 çdo ditë, masat parandaluese për banuesit në kryeqytet janë edhe më të rrepta.

Grupi i parandalimit dhe kontrollit të COVID-19 i Pekinit tha se njerëzit nuk duhet të largohen nga kryeqyteti gjatë pushimeve, vetëm në rastet kur është e nevojshme.

Grupi shtoi se duhet të përforcohen kontrollet shëndetësore në aeroporte, stacione hekurudhore dhe ato të autostradave.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë tha se banorët nga zonat me rrezik të mesëm dhe të lartë në Pekin duhet të paraqesin një rezultat negativ të testit të acidit nukleik dhe t'i nënshtrohen karantinës para se të largohen nga qyteti. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore