Udhëheqësit kinezë dhe holandezë shkëmbejnë urime për lindjen e pandës gjigante

2020-06-25 19:00:06 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, shkëmbyen kohët e fundit mesazhe urimi me Mbretin holandez Willem-Alexander dhe Mbretëreshën Maxima për lindjen e një pande gjigante në vendin evropian.

Në mesazhin e tyre, Xi dhe Peng thanë se panda e re, e lindur në maj nga panda gjigante Wu Wen në një kopsht zoologjik të Holandës, është një ngjarje për t'u festuar.

Sipas tyre, ky pjesëtar i ri në familjen e pandës, është një frut i bukur i miqësisë kino-holandeze dhe një arritje e rëndësishme në bashkëpunimin dypalësh në ruajtjen e biodiversitetit.

Ndërkohë, ata vunë në dukje se që nga fillimi i epidemisë COVID-19, qeveritë dhe njerëzit e dy vendeve i kanë ofruar mbështetje njëri-tjetrit dhe kanë shkruar një histori të bukur të miqësisë ku tregohet vendosmëria për të qëndruar pranë njëri-tjetrit në çdo kohë.

Kina, shtuan ata, është e gatshme të punojë me Holandën për t'i kthyer sfidat në mundësi, për të promovuar kontrollin e epidemive dhe shkëmbimet dypalëshe në një mënyrë të bashkërenduar dhe për t'i ngritur lidhjet dypalëshe në nivele të reja.

Nga ana e tyre, çifti mbretëror holandez, tha se sjellja në jetë e pandës, nuk është vetëm një simbol i marrëdhënies së frytshme midis dy vendeve, por gjithashtu një kontribut në mbrojtjen e biodiversitetit global.

Pala holandeze i kushton vëmendje të madhe bashkëpunimit dypalësh kundër COVID-19, thanë ata, duke shtuar se vetëm me solidaritet dhe bashkëpunim vendet e botës mund të triumfojnë ndaj krizës globale.

Ata shtuan se pala holandeze është e gatshme të vijojë bashkëpunimin me Kinën për të përballuar ndikimin e pandemisë dhe për të sjellë sa më parë shkëmbimet dypalëshe në normalitet. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore