Zëdhënësi i MJK-së shpjegon procesin e konfliktit kino-indian në luginën Galwan

2020-06-20 12:57:19 CRI Komenti juaj Printoni

Duke iu përgjigjur pyetjeve përkatëse, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian shpjegoi të gjithën procesin e konfliktit midis Kinës e Indisë në luginën Galwan.

Zhao vuri në dukje se lugina Galwan ndodhet në pjesën perëndimore të kufirit midis Kinës e Indisë, që është pjesa e Kinës e Vijës Reale të Kontrollit. Për shumë vjet, trupat kufitare kineze kanë patrulluar dhe kanë kryer detyrat e tyre aty. Qysh nga prilli i këtij viti, forcat e mbrojtjes kufitare indiane kanë vazhduar në mënyrë të njëanshme ndërtimin e rrugëve, urave etj. në rajonin e luginës Galwan. Kina ka protestuar vazhdimisht për këtë, por India i ka vijuar veprime të tilla. Më 6 maj, forcat kufitare indiane kaluan vijën në zonën e luginës Galwan dhe hynë në territorin kinez, duke ngritur barriera për të penguar patrullimin normal të forcave kufitare kineze dhe duke bërë përpjekje për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme situatën e tanishme të kontrollit kufitar. Forcat kufitare kineze u detyruan të merrnin masat e nevojshme për të forcuar reagimin dhe kontrollin e zonës kufitare.

Për të zbutur situatën serioze në kufi, Kina dhe India kanë mbajtur komunikim të ngushtë përmes kanaleve ushtarake dhe diplomatike. Me kërkesën e vendosur të palës kineze, pala indiane pranoi të tërheqë trupat dhe të çmontojë instalimet përgjatë Vijës Reale të Kontrollit. Më 6 qershor, forcat e mbrojtjes kufitare të të dy vendeve mbajtën një takim në nivel komandantësh dhe arritën unanimitet për zbutjen e situatës serioze në kufi. Pala indiane premtoi se nuk do të patrullojë dhe nuk do të ndërtojë objekte në grykëderdhjen e lumit Galewan.

Por në mbrëmjen e 15 qershorit, forcat indiane e shkelën unanimitetin e arritur dhe kaluan Vijën Reale të Kontrollit, duke sulmuar ushtarët kineze që shkuan në vendin e incidentit për të diskutuar. Kjo shkaktoi një konflikt fizik masiv, duke sjellë një numër të vdekurish e të plagosurish. Veprimet e rrezikshme të forcave indiane kanë dëmtuar stabilitetin e zonës kufitare dhe kanë kërcënuar sigurinë e jetës së trupave kineze, duke shkelur marrëveshjen e arritur nga dy vendet mbi problemin kufitar dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kina ka shprehur pakënaqësinë e vet serioze dhe protestën e fortë ndaj Indisë për këtë gjë.

Më 17 qershor, këshilltari i shtetit dhe Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi bëri bisedime telefonike me ministrin e Jashtëm indian Su Jiesheng. Wang qartësoi përsëri pozicionin solemn të Kinës ndaj palës indiane, duke kërkuar që pala indiane të kryejë një hetim të plotë mbi këtë incident, të ndëshkojë rëndë ata që janë përgjegjës, të administrojë mirë personelin në vijën e frontit dhe të ndalojë menjëherë të gjitha veprimet provokuese, duke ruajtur paqen e sigurinë në kufi.

Lidhur me njoftimet që Kina lëshoi ushtarët indianë të kapur gjatë konfliktit në kufi, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Zhao Lijian tha se Kina nuk ka arrestuar asnjë ushtar indian. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore