COVID-19, Pekini shtrëngon kufizimet për personelin

2020-06-19 10:30:56 CRI Komenti juaj Printoni

Autoritetet bashkiake të Pekinit kanë shtrënguar kufizimet lidhur me fluksin e personelit, për të trajtuar një shpërthim të ri të COVID-19.

Pan Xuhong nga departamenti i policisë bashkiake thotë se ata që u përkasin tre kategorive nuk lejohen të largohen nga Pekini:

"Kategoria e parë përfshin pacientët e konfirmuar me COVID-19, raste të dyshuara, kontakte të ngushta, mbartës asimptomatikë dhe personat që kanë ethe. Kategoria e dytë mbulon ata që kanë vizituar tregun e prodhimeve bujqësore me shumicë 'Xinfadi' ose kanë pasur kontakte të ngushta me stafin e tij që nga 30 maji. Kategoria e tretë përfshin njerëzit që jetojnë në zona me rrezik të mesëm dhe të lartë".

Shumica e rasteve të reja të konfirmuara në Pekin kanë të bëjnë me tregun "Xinfadi" në distriktin Fengtai të qytetit.

Autoritetet përgjegjëse për aviacionin civil, hekurudhat dhe autostradat po forcojnë inspektimet mbi daljet nga qyteti.

Banorëve u është kërkuar që të mos bëjnë udhëtime të panevojshme jashtë Pekinit.

Një certifikatë e testit të acidit nukleik negative, e lëshuar brenda shtatë ditëve të fundit, është e domosdoshme për ata që kanë nevojë të largohen nga qyteti.

Por Pan e mohon se Pekini është i mbyllur:

"Ne do të presim të gjitha kanalet e mundshme të transmetimit, duke shtrënguar daljen e personelit nga Pekini. Por kjo nuk tregon një mbyllje të qytetit. Kemi mjaft institucione mjekësore që po punojnë me efikasitet për të kryer teste për publikun. Ata që vërtet duhet të largohen, mund ta bëjnë këtë pasi të keni kryer testin."

Në të gjitha blloqet e banimit janë ngritur pika kontrolli për të matur temperaturën, si edhe për të kontrolluar kodet shëndetësore dhe lejekalimet.

Mrekulli
Lajmet Kryesore