COVID-19, shefi i OKB-së bën thirrje për ruajtjen e vendeve të punës      

2020-06-19 17:40:28 CRI Komenti juaj Printoni

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje të premten për ruajtjen e vendeve të punëve në mes të pandemisë COVID-19.

Pandemia e ktheu botën e punës me kokë poshtë. Çdo punëtor, çdo biznes dhe çdo cep i globit është prekur. Qindra miliona vende pune janë humbur, tha Guterres në një videomesazh për përmbledhjen e politikave mbi COVID-19 dhe punësimin.

Kjo krizë në botën e punës po i shton benzinë një zjarri tashmë të ndezur të pakënaqësisë dhe ankthit. Papunësia masive dhe humbja e të ardhurave nga COVID-19 po gërryen më tej kohezionin shoqëror gjë që çon në destabilizim shoqëror, politik dhe ekonomik të vendeve dhe rajoneve, theksoi ai.

Guterres kërkoi veprime në tre fronte - mbështetje të menjëhershme për punonjësit në rrezik, ndërmarrjet, vendet e punës dhe të ardhurat; përqëndrim më i madh në veprimtaritë shëndetësore dhe ekonomike pas lehtësimit të mbylljeve, me vende të sigurta pune dhe të drejta për gratë dhe popullsitë në rrezik; përpjekje "të gjelbra", të qëndrueshme dhe të përqëndruara tek njeriu, si dhe rikuperim gjithëpërfshirës që shfrytëzon potencialin e teknologjive të reja për të krijuar vende pune të mira për të gjithë.

"Ka shumë për të thënë për nevojën e 'normales së re' pas krizës. Por le të mos harrojmë që bota para COVID-19 ishte shumë larg normales," tha ai. "Shtimi i pabarazive, diskriminimi sistematik gjinor, mungesa e mundësive për të rinjtë, stanjacioni i pagave, ndryshimi i ashpër i klimës - asnjë nga këto gjëra nuk ishte normale".

Pandemia ka ekspozuar mangësi, brishtësi dhe të çara të jashtëzakonshme. Bota e punës nuk mund dhe nuk duhet të duket e njëjtë pas kësaj krize. Është koha për një përpjekje të koordinuar globale, rajonale dhe kombëtare për të krijuar një punësim të mirë për të gjithë si themel i një rimëkëmbjeje gjithëpërfshirëse dhe elastike, tha Guterres.

Me veprim të zgjuar dhe në kohë në të gjitha nivelet dhe Agjendën e vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm si udhëzues, bota mund të dalë nga kjo krizë më e fortë, me punë më të mira dhe një të ardhme më të ndritshme, më të drejtë dhe më të gjelbër për të gjithë, tha ai.

(Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore