Australia dhe Zelanda e Re nisin bisedimet e tregtisë së lirë me Britaninë

2020-06-18 11:15:09 CRI Komenti juaj Printoni

Australia dhe Zelanda e Re deklaruan se kanë filluar bisedimet për tregtinë e lirë me Mbretërinë e Bashkuar pas "Brexit"-it.

Britania po përpiqet të shpejtojë nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare shumëpalëshe pas largimit nga Bashkimi Europian në janarin e sivjetshëm.

Ministri australian i Tregtisë Simon Birmingham u shpreh se vendi i tij ka pasur humbje nga hyrja e Britanisë në Komunitetin Ekonomik Europian para 48 vjetësh.

"'Brexit'-i tani po ofron raste të reja për dy vendet tona. Megjithëse Mbretëria e Bashkuar nuk ishte në gjendje të merrej me negociata tregtare si anëtare zyrtare e BE-së, Australia ka krijuar një grup pune për të nisur sa më shpejt që të jetë e mundur këtë proces", tha Birmingham-i.

Britania pakësoi tregtinë me Australinë dhe Zelandën e Re pasi hyri në tregun europian në vitin 1973.

Megjithatë, ekspertët kanë argumentuar se të dy vendet kanë përfituar nga hapja e tregjeve në Azi, Lindje të Mesme e Amerikën Veriore.

Kryeministrja neozelandeze Jacinda Ardern u shpreh optimiste për lidhjen e re tregtare me palën britanike.

"Politika jonë e tanishme është fuqizimi i Zelandës së Re dhe i ekonomisë së saj nëpërmjet diversifikimit. Pavarësisht nga mësimet që kemi marrë gjatë rrugës deri këtu, kjo është strategji e drejtë", theksoi ajo.

Mrekulli
Lajmet Kryesore