Pekini forcon kontrollin ushqimor pas raportimit të rasteve të reja të koronavirusit

2020-06-16 09:08:52 CRI Komenti juaj Printoni

Pekini ka raportuar dhjetëra raste të koronavirusit, pas zbulimit të një vatre të re infeksioni disa ditë më parë në tregun ushqimor "Xinfadi".

Autoritetet thonë se kanë forcuar inspektimet lidhur me mishin dhe perimet në qytet, për të penguar përhapjen e virusit.

Të gjitha tregjet e mishit të freskët dhe të ngrirë, supermarketet, depot frigoriferike të mishit dhe restorantet janë fokusi kryesor i inspektimeve në kryeqytetin kinez.

Deri më tani, autoritetet shëndetësore kanë kontrolluar mbi 47 000 njësi tregtimi ushqimesh në qytet, duke përfshirë mbi 600 supermarkete dhe gati 2 000 restorante. Mbi 250 qendra të tregtimit të ushqimit janë dezinfektuar gjithashtu.

Të gjitha produktet bujqësore nuk do të shiten në qytet nëse nuk kanë certifikata origjine dhe kualifikimi.

Chen Yankai nga Zyra e Mbikëqyrjes së Tregut në Bashkinë e Pekinit thotë se autoritetet vendore do të forcojnë inspektimin e restoranteve që kanë rifilluar bizneset e tyre, në mënyrë që të garantojnë sigurinë e furnizimeve ushqimore:

"Do të përqendrohemi kryesisht në kontrollin e ushqimit të restoranteve, të tilla si kafshët e detit, mishi i derrit dhe mishi i viçit. Ne do të përpiqemi të sigurojmë gjurmimin e të gjitha burimeve ushqimore dhe ato që nuk kanë etiketën e origjinës, nuk do të tregtohen."

Supermarketet kanë ndërmarrë gjithashtu masat e nevojshme për të luftuar përhapjen e virusit. Liu Xuelan, menaxhere e një supermarketi në Pekin, shprehet:

"Tani e tutje, supermarketi ynë do të dezinfektojë të gjithë pajisjet në seksionin e mishit, siç janë dërrasat e prerjes dhe thikat. Në mënyrë që produktet të kenë një higjienë të mirë, ne do t'i pastrojmë ato përsëri në mëngjes."

Për të siguruar furnizime të mjaftueshme ushqimore dhe çmime të qëndrueshme për njerëzit që jetojnë në zonat me rrezik të lartë në qytet, autoritetet kanë ndarë mijëra tonë perime dhe mallra të përdorimit të përditshëm për supermarketet.

Ndërkohë, ekspertët e shëndetësisë thonë se banorët duhet të qëndrojnë vigjilentë për të kontrolluar përhapjen e virusit. Yang Peng nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Pekinit, thotë se publiku i gjerë ka një rol të madh në luftën kundër COVID-19:

"Lufta kundër koronavirusit në një masë të madhe varet nga publiku. Njerëzit duhet të shtojnë ndërgjegjësimin për masat parandaluese, duke përfshirë tregimin e kodeve të tyre shëndetësore kur hyjnë në lagje a zona publike."

Edhe provincat e tjera në mbarë vendin, përfshirë Guangdong-un, Henan-in dhe Gansu-në, po kryejnë inspektime mbi produktet bujqësore, si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore