Kina, përparim të madh në mbrojtjen e mjedisit ekologjik

2020-06-15 17:11:45 CRI Komenti juaj Printoni

Autoritetet kineze kanë publikuar shqyrtimin e dytë mbarëkombëtar mbi burimet e ndotjes, me të dhëna që tregojnë një rënie drastike të ndotësve kryesorë.

Kina ka regjistruar një përmirësim të ndjeshëm në mjedisin e saj ekologjik falë përpjekjeve për të ndjekur zhvillimin e gjelbër.

Nga viti 2007 deri në 2017-n, emetimet e përgjithshme të dioksidit të squfurit, kërkesës së oksigjenit kimik dhe oksidet e azotit ranë përkatësisht me 72 për qind, 46 për qind dhe 34 për qind.

Sipas zyrtarëve, prodhimi i vendit u zgjerua, ndërsa emetimet e ndotjes u tkurrën në mënyrë drastike, duke treguar një cilësi më të lartë ekonomike.

Gjatë kësaj periudhe, numri i pajisjeve dhe objekteve për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme u tetëfishua.

Zhao Yingmin, një zyrtar në Ministrinë e Mjedisit Ekologjik tha se Kina ka përmirësuar kapacitetin për trajtimin e mbeturinave gjatë viteve të fundit.

"Kemi rritur aftësinë tonë për kontrollin e ndotjes. Ndërmarrjet industriale kanë rritur ndjeshëm sasinë e pajisjeve të përdorura për trajtimin e ndotësve, në krahasim me të kaluarën."

Sipas analizës së fundit, prodhimi bujqësor dhe mbeturinat shtëpiake mbeten dy burimet kryesore për ndotjen e ujit dhe automjetet prodhojnë më shumë oksid azoti.

Zhao shton se duhet të shtohen përpjekjet për përmirësimin e metejshëm të mjedisit duke marrë parasysh sasinë e ndotësve.

"Emetimi i kërkesës për oksigjen kimik, oksidet e azotit, grimcat dhe komponimet organike të paqëndrueshme tejkaluan 10 milionë ton. Këta katër ndotës ndikojnë fuqimisht në cilësinë e ajrit dhe të ujit. Ulja e këtyre ndotësve do të vazhdojë të jetë fokusi ynë për të përmirësuar mjedisin".

Kina ka zhvilluar sondazhin e saj të parë në vitin 2007 dhe ndër vite ka mbledhur informacione nga mbi 3.5 milionë burime ndotëse në të gjithë vendin.

Pjesa më e madhe e shqyrtimit u krye te ndërmarrjet industriale në provincat Guangdong, Zhejiang, Jiangsu, Shandong dhe Hebei.

Informacioni i mbledhur do të ndihmojë në krijimin e një baze të të dhënave kombëtare për të ndihmuar autoritetet të monitorojnë gjendjen e ndotjes. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore