Ndërtimi i Portit të Tregtisë së Lirë Hainan do të përmbushë rregullat ndërkombëtare të nivelit të lartë ekonomik dhe tregtar

2020-06-08 20:09:59 CRI Komenti juaj Printoni

Disa ditë më parë, u publikua "Plani i Përgjithshëm për Ndërtimin e Portit të Tregtisë së Lirë Hainan", i cili tërhoqi vëmendje të gjerë. Të hënën, një nga gazetarët e CMG-së mësoi nga konferenca për shtyp e mbajtur nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit se ndërtimi i Portit të Tregtisë së Lirë Hainan do të jetë në përputhje me rregullat ndërkombëtare të nivelit të lartë ekonomik dhe tregtar, duke e vendosur integrimin e sistemit dhe novacionin në një pozicion të rëndësishëm.

Në konferencën për shtyp, zv.drejtori i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, Lin Nianxiu tha se zbatimi i "Planit të Përgjithshëm për Ndërtimin e Portit të Tregtisë së Lirë Hainan" do të ndahet në dy faza: hedhja e themelit dhe promovimi gjithëpërfshirës i tij.

"Faza e parë, nga tani e deri në vitin 2025, është kryesisht vendosja e themelit dhe bërja e përgatitjeve. Qëllimi dhe detyra e kësaj faze është të nënvizojë liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe përparimin e procesit të hapjes në mënyrë të rregullt në bazë të mbikëqyrjes efektive dhe nisja e operacioneve dhe e zhdoganimit në mbarë ishullin në kohën e duhur."

Lin shtoi se faza e dytë është që para vitit 2035 të hyjë në fuqi promovimi gjithëpërfshirës i politikës së portit të tregtisë së lirë.

"Objektivat dhe detyrat e kësaj faze janë për të optimizuar dhe përmirësuar më tej politikat e hapura dhe marrëveshjet e lidhura institucionale për të arritur lehtësimin e tregtisë së lirë, lehtësimin e investimeve, lehtësimin e fluksit të kapitaleve ndërkufitare, hyrjen dhe daljen e lirshme të personelit, udhëtimin dhe transportin falas dhe rrjedhën e sigurt dhe të rregullt të të dhënave, duke formuar në thelb një sistem të plotë të ligjeve dhe rregulloreve, një sistem modern industrial dhe një sistem modern të qeverisjes sociale për të krijuar një qendër të re të ekonomisë së hapur të Kinës."

Kreu i provincës së Hainan-it, Liu Cigui, tha përmes një konference për shtyp se në procesin e ndërtimit të një porti të tregtisë së lirë, do të respektohet politika e hapjes së nivelit të lartë.

"Për të tërhequr investitorë nga e gjithë bota në Hainan, ne do t'i kushtojmë më shumë vëmendje futjes së kapitalit të huaj dhe të talenteve të huaja, si dhe zbatimit të plotë të politikave të portit të tregtisë së lirë."

Mësohet se brenda këtij viti, departamentet përkatëse do të formulojnë në thelb listën e parë negative të tregtisë ndërkufitare të shërbimeve të Kinës, në bazë të eksplorimit novativ të sistemit të ndërtimit të Portit të Tregtisë së Lirë Hainan. Për më tepër, lidhur me politikën e financimit ndërkufitar, do të vendoset një sistem financimi ndërkufitar në Hainan për të eksploruar zgjerimin e autonomisë së banorëve të Hainan-it në përdorimin e shkëmbimeve të jashtme.(Vera/Bana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore