Guvernatori i Nju-Jorkut bën thirrje për reformë në polici pas vdekjes së Floyd-it

2020-06-02 10:28:20 CRI Komenti juaj Printoni

Guvernatori i Nju-Jorkut Andrew Cuomo ka kërkuar një ndalim kombëtar të përdorimit të forcës së tepruar nga policia.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta përdorin këtë çast trazirash në vend për të nxitur politikanët të bëjnë ndryshime për të përmirësuar shoqërinë.

Cuomo tha se shumica e protestuesve po bëjnë trysni për një reformë kombëtare në sistemin e drejtësisë në ShBA, së cilës politikanët duhet t'i përgjigjen:

"Ka një agjendë pozitive për reformat. Duhet të ketë një ndalim kombëtar të forcës së tepruar nga policia. Duhet të ketë një ndalim kombëtar të shtrëngimit të grykës. Duhet të ketë një hetim të pavarur të abuzimit të policisë."

Protestat kanë përfshirë qytetet në të gjithë ShBA-në pas vrasjes së George Floyd-it, një afroamerikan i paarmatosur, nga një polic i bardhë javën e kaluar.

Sidoqoftë, Cuomo shprehu shqetësimin që protestat mund të pengojnë rihapjen e qytetit të Nju-Jorkut:

"Ne jemi duke luftuar koronavirusin dhe shumë qytetarë nga Nju-Jorku kanë lëvizur gjatë kësaj kohe. Jemi një javë larg rihapjes. Duam ta rigjallërojmë qytetin e Nju-Jorkut, t'i kthejmë njerëzit dhe bizneset (në punë). Ne po ecim përpara. Ajo që ata panë në TV dy netët e kaluara nuk ndihmon për këtë".

Qyteti i Nju-Jorkut pritet të rihapet të hënën, më 8 qershor, pas disa muajsh kufizimesh për koronavirusin.

Cuomo thotë se ai do të diskutojë vendosjen e një shtetrrethimi të mundshëm në qytet me kryebashkiakun Bill de Blasio.

Mrekulli
Lajmet Kryesore