Zv.kryetari i Bundestagut gjerman shpreh besim te ekonomia kineze

2020-05-31 11:10:59 CRI Komenti juaj Printoni

Zv.kryetari i Bundestagut gjerman Hans-Peter Friedrich u shpreh në një intervistë për CMG-në se dy sesionet e Kinës që sapo u mbyllën, jo vetëm lëshuan një sinjal pozitiv mbi situatën e parandalimit të epidemisë, por edhe i treguan botës se si do të rimëkëmbë Kina rendin ekonomik dhe shoqëror.

Hans-Peter Friedrich tha se çdo vit ai njihet me temat e dy sesioneve të Kinës nëpërmjet platformave të ndryshme, sepse zhvillimi dhe vendimet e Kinës ndikojnë drejtpërdrejt mbi Gjermaninë dhe botën. Dy sesionet e këtij viti u organizuan pas krizës së epidemisë së koronavirusit të ri dhe tërhoqën vëmendjen e të gjithëve. Ai tha:

"Organizimi i dy sesioneve të sivjetshme është një sinjal i rëndësishëm. Nga njëra anë, na kujtoi se virusi ende ekziston dhe duhet t'i trajtojmë seriozisht atë dhe problemet e sjella prej tij. S'mund të ndalojmë, por duhet të vazhdojmë punën për të garantuar funksionimin normal të vendeve dhe të sektorëve të ndryshëm. Nga ana tjetër, duhet t'i tregojmë opinionit ndërkombëtar se ndikimet e epidemisë ndaj ekonomisë do të vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe të gjithë duhet të bashkëpunojnë për ta përballuar në këtë krizë."

Hans-Peter Friedrich u shpreh më tej se raporti i qeverisë kineze nuk përcaktoi objektivin e rritjes së ekonomisë kineze, por shpalli se do të zgjerohen investimet dhe do të përkrahet ndërtimi i infrastrukturës së tipit të ri, urbanizimi i tipit të ri dhe projektet e mëdha të transportit, të ruajtjes dhe administrimit të ujërave etj. Hans-Peter Friedrich tha se ai ka besim për rimëkëmbjen e ekonomisë kineze pas epidemisë:

"Mendoj se, kur ekonomia ka një forcë të madhe qëndrese, ajo rimëkëmbet shpejt. Ekonomia e Kinës ka gjallëri të madhe, prandaj ka mundësi të rimëkëmbet shpejt. Sigurisht rimëkëmbja varet nga kushtet e krijuara prej nesh. Domethënë, duhet t'i ofrojmë ekonomisë hapësirë më të madhe dhe bazë më të fortë financiare. Kjo është e vërtetë për Gjermaninë dhe është gjithashtu e vërtetë për Kinën dhe vendet e tjera. Tani vendet e ndryshme duhet të hartojnë masat e duhura për të shpejtuar rifillimin e ekonomisë." (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore