Kreu i Fed-it paralajmëron recesion të zgjatur për shkak të pandemisë

2020-05-14 10:04:20 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i Rezervës Federale të ShBA-së ka paralajmëruar për kërcënimin e një recesioni të zgjatur si rezultat i pandemisë së koronavirusit.

Jerome Powell u bëri thirrje Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë të veprojnë më tej për të parandaluar dëmet ekonomike afatgjata.

"Një recesion i zgjatur dhe një përtëritje e dobët mund të shkurajojnë investimet dhe zgjerimin e biznesit, duke kufizuar më tej krijimin e vendeve të punës, si dhe rritjen e stokut të kapitaleve dhe ritmin e përparimit teknologjik. Rezultati mund të jetë një periudhë e zgjatur e rritjes së ulët të produktivitetit dhe e mosrritjes së të ardhurave. Duhet të bëjmë sa mundemi për t'i shmangur këto pasoja, dhe kjo mund të kërkojë masa politike shtesë," u shpreh ai.

Powell tha gjithashtu se mbështetja fiskale shtesë mund të jetë e kushtueshme, por ia vlen nëse ndihmon në shmangien e dëmeve ekonomike afatgjata.

Ndërkohë, reporteri për ekonominë i "Associated Press", Chris Rugaber, mendon se parashikimi i Powell-it është më i zymtë sesa pritej:

"Duke pasur parasysh sa mund të zgjasë kjo, ai ishte dukshëm i shqetësuar se në disa raste shumë familje dhe disa biznese do të kenë nevojë për grante, jo kredi, dhe kjo është diçka që vetëm Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë mund ta bëjnë, dhe jo Fed-i. Kështu që mendoj se shprehu parashimin e vet më negativ, duke u përpjekur t'i nxitë Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë të bëjnë më shumë."

Powell foli një ditë pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi propozoi një paketë ndihme prej 3 trilionë dollarësh amerikanë, që do të ofrojë fonde për shtetet dhe pushtetin vendor, si dhe familjet dhe punëtorët në sektorët kryesorë.

Kjo ndihmë do t'u shtohej rreth 3 trilionë dollarë amerikanë që qeveria ka dhënë tashmë.

Vetë Fed-i ka ndërhyrë gjithashtu duke ulur normat e interesit në gati zero dhe duke krijuar programe të shumta të huadhënies emergjente.

Mrekulli
Lajmet Kryesore