Kryeministri britanik shpall "planin e kushtëzuar" për fazën tjetër të përballimit të COVID-19

2020-05-11 10:07:34 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri britanik Boris Johnson ka shpallur një varg hapash që synojnë lehtësimin e kufizimeve të koronavirusit.

Johnson-i tha se ata që nuk janë në gjendje të punojnë nga shtëpia, duhet të nxiten të kthehen në punë duke filluar nga kjo javë:

"Ne thamë që ju duhet të punoni nga shtëpia nëse mundeni, dhe të shkoni në punë vetëm nëse duhet. Tani duhet të theksojmë se kushdo që nuk mund të punojë nga shtëpia, për shembull ata në ndërtim ose prodhim, duhet të nxiten në mënyrë aktive të shkojnë në punë. Dhe ne duam që ju të jeni të sigurt kur punoni, prandaj duhet të shmangni transportin publik nëse është e mundur."

Johnson-i theksoi se lehtësimi i kufizimeve nuk do të thotë përfundim i mbylljes.

Ai gjithashtu njoftoi se fëmijët më të vegjël mund të kthehen në shkollë më 1 qershor.

Një pjesë e sektorit të hoteleri-turizmit dhe më shumë vende publike mund të rihapen një muaj më vonë, por kryeministri theksoi se ata duhet të jenë të sigurt dhe të zbatojnë distancimin shoqëror.

Sidoqoftë, udhëheqësi i opozitës britanike Keir Starmer bëri thirrje për më shumë qartësi në planet e qeverisë:

"Mëngjesi i së nesërmes (së hënës) paraqet një problem të vërtetë për miliona njerëz, të cilëve u thuhet të shkojnë përsëri në punë, por të mos përdorin transportin publik. Mendoj se shumë do të vrasin mendjen sonte se si mund të funksionojë kjo? "

Kryeministri Boris Johnson njoftoi gjithashtu një sistem të ri paralajmërimi të nivelit të kërcënimit nga virusi me faza të ndryshme.

Sipas tij, nëse numri i infektimeve rritet përsëri, kufizimet do të rivendosen.

Më shumë detaje të planit pritet të zbulohen sot.

Britania ka qenë e mbyllur që nga 23 marsi dhe ka regjistruar mbi 32 000 vdekje nga koronavirusi deri më tani.

Mrekulli
Lajmet Kryesore