Media gjermane: Katër arsye pse duhet investuar në Kinën e tanishme

2020-04-14 20:59:57 CRI Komenti juaj Printoni

E përjavshmja gjermane "Focus" botoi kohët e fundit një artikull ku thuhet se duke pasur parasysh faktin se Kina nuk ka pothuajse asnjë rast të ri të konfirmuar me koronavirus dhe ekonomia duket se do ta rimarrë veten më shpejt nga sa pritej, tani është koha për të investuar në Kinë. Artikulli jep katër arsye.

Së pari, Kina është në epërsi. Në kohën kur epidemia në Europë dhe Shtetet e Bashkuara vijon përhapjen, kontrolli i epidemisë nga Kina i ka dhënë botës shpresë se kriza mund të zgjidhet. Kjo do të thotë që ekonomia e Kinës mund të ripërshpejtohet. Në mars, Treguesi i Menaxherëve të Blerjes (PMI) i sektorit të prodhimit në Kinë u rrit nga 35.7% në 52%. Konsumi i përgjithshëm vendas është rreth 85% të nivelit para krizës. Maurer, një strateg në BNP Paribas, tha: "Në mes të prillit, ekonomia kineze mund të rimarrë 80% të zinxhirit të saj të furnizimit dhe përdorimi i kapaciteteve dhe produktiviteti gjithashtu do të rivendosen në mënyrë thelbësore."

Së dyti, një treg që i reziston krizave. Deri tani, tregu i aksioneve kineze ka vërtetuar se është më elastik ndaj krizave sesa tregjet europiane dhe amerikane të aksioneve.

Së treti, disponimi i mirë i investitorëve profesionistë. Kohët e fundit, disa investitorë të mëdhenj ndërkombëtarë kanë blerë aksione të kompanive të tilla si Tencent. Në përgjithësi, interesi i investitorëve të mëdhenj për kompanitë kineze do të rikuperohet shpejt. Instituti i Kërkimeve EPFR Global deklaroi kohët e fundit se në gjysmën e dytë të marsit, në tregun kinez u rikthyen 7 miliardë dollarë amerikanë.

Së katërti, kërkesa e brendshme është rritur. Kina sot është tërësisht e ndryshme nga disa vjet më parë. Shtresa e mesme e Kinës po rritet dhe niveli i konsumit të banorëve po bëhet gjithnjë e më i lartë. Në planin afatgjatë, ekonomia e dytë më e madhe në botë me 1.4 miliardë njerëz është plot potencial. Në vitin 2019, gati 60% e prodhimit ekonomik të Kinës erdhi nga shpenzimet e konsumatorit. Ndërsa analistë të "Berry Investment" thanë: "Tregu më i madh i Kinës është Kina."

Një studim i McKinsey tregoi se në vitin 2017, Kina shiti vetëm 9% të produkteve të saj jashtë vendit, krahasuar me 17% në vitin 2007. Kjo tregon se Kina është bërë më e pavarur nga eksportet botërore dhe se pjesa tjetër e botës po varet gjithnjë e më shumë nga Kina. (Vera/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore