Kinë: Më shumë shkolla të mesme hapen për nxënësit e vitit të fundit

2020-04-01 10:03:19 CRI Komenti juaj Printoni

 

Më shumë shkolla të mesme në Kinë janë rihapur që nxënësit e vitit të fundit të japin provimet e pranimit në universitet, të cilat janë shtyrë për një muaj për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.

Datat e provimit të këtij viti janë caktuar për 7 dhe 8 korrik në pjesën më të madhe të Kinës, përveç kryeqytetit dhe Hubei-t, provinca e goditur më rëndë nga COVID-19.

Pekini dhe Hubei mund të vendosin vetë datat e provimit, dhe më pas t'i publikojnë ato pasi të kenë marrë miratimin nga Ministria e Arsimit.

Drejtori i Departamentit së Çështjeve të Studentëve Universitarë të Ministrisë së Arsimit Wang Hui thotë se shtyrja synon të ruajë shëndetin e studentëve dhe stafit mësimor:

"Ekspertët mjekësorë sugjerojnë që shtyrja e provimit me një muaj do të ndihmojë në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë. Provimi është një test përzgjedhës në shkallë të gjerë ku do të përfshihen dhjetëra mijë nxënës. Shëndeti i nxënësve duhet të jetë përparësia kryesore."

Deri tani, shumë nxënës janë rikthyer në shkollë për t'u përgatitur për provimin që ata e quajnë "një pikë kthese në jetë".

Shkollat kanë ndërmarrë hapa të ndryshëm për të parandaluar infektimin në mjediset e tyre, duke siguruar që ecuria e mësimit të jetë normale.

Në shkollën e mesme "Daminggong" në Xian, nxënësve u është thënë që t'i zhvillojnë mësimet në intervale të ndryshme.

Drejtoresha e shkollës Han Liping thotë se ata po marrin masa distancuese për të mbrojtur nxënësit:

"Ne po e përgjysmojmë madhësinë e klasave me mbi 40 nxënës, duke e ndarë një klasë në dy më të vogla: klasa A dhe B me më shumë se 20 nxënës secila. Mësuesit po i japin orët të shpërndara në intervale të ndryshme për të siguruar që klasa të mos jetë e mbushur, si edhe për të garantuar cilësinë e mësimdhënies."

Në Shkollën e Mesme Nr.1 të Wuhai-t në Mongolinë e Brendshme, nxënësve dhe mësuesve u matet temperatura para se të futen në klasë.

Xue Li, nxënëse në vitin e fundit në këtë shkollë, thotë:

"Shkolla krijon një mjedis të sigurt ku mund të përqendrohemi në të mësuar. Ne jemi të gatshëm për provimin kombëtar të pranimit në universitet 2020."

Shumë shkolla të mesme kanë punësuar pastrues për dezinfektimin e ajrimin e klasave dhe të fjetoreve. Disa prej tyre gjithashtu u kërkojnë nxënësve dhe mësuesve që të shkojnë me radhë në mensë dhe të ulen në vende fikse kur hanë.

Më shumë se dhjetë milionë nxënës janë regjistruar për provimin kombëtar të pranimit në universitet të këtij viti.

Mrekulli
Lajmet Kryesore