Roveri hënor kinez ecën afro 400 metra në anën e errët të Hënës

2020-03-02 16:47:08 CRI Komenti juaj Printoni

Roveri hënor kinez "Yutu-2" ka ecur 399.788 metra në anën e errët të Hënës për të bërë kërkime shkencore në terren të virgjër.

Si zbritësi, ashtu dhe roveri i sondës "Chang'e-4" kanë përfunduar punën e tyre për ditën e 15-të hënore dhe hynë në fazën inaktive për natën hënore, sipas Qendrës së Programit për Eksplorime Hapësinore dhe Hënore pranë Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës (CNSA).

Sonda e Kinës "Chang'e-4", që u lëshua më 8 dhjetor 2018, realizoi zbritjen e butë për herë të parë në Kraterin "Von Karman" në pellgun Aitken në polin jugor në anën e pasme të Hënës më 3 janar 2019.

Pjesa e Hënës të cilën e shohim nga Toka ndryshe quhet edhe "ana e afërt" ose "ana e ndritshme", ndërsa ajo e cila nuk shihet quhet "ana e largët" ose "ana e errët".

Orbita e Hënës rreth Tokës ndodh çdo 27.3 ditë, kohë e njëjtë kur ajo kryen edhe një rrotullim të plotë rreth vetes

Ana e errët e Hënës ka karakteristika të veçanta dhe shkencëtarët thonë se "Chang'e-4" mund të bëjë zbulime të mëdha.

"Yutu-2", ose "Lepuri i Nefritit-2", ka punuar mbi tre muaj për të cilët është projektuar, duke u bërë roveri që ka punuar për kohën më të gjatë në Hënë.

Roveri ka ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë sekretet e rrënjosura thellë nën sipërfaqen e anës së largët të Hënës, duke ofruar informacion për njerëzimin për të kuptuar historinë e përplasjes qiellore dhe veprimtarive vullkanike dhe duke hedhur dritë të re mbi evolucionin gjeologjik në Hënë. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore