Kinë, ndërmarrjet fillojnë prodhimin në kushtet e forcimit të luftës kundër virusit

2020-02-13 14:09:46 CRI Komenti juaj Printoni

Gjithnjë e më shumë ndërmarrje në Kinë kanë rifilluar prodhimin, në kohën kur po vazhdon beteja kundër epidemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Një problem i madh që përballojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kinë tani, është tkurrja e rezervës së tyre financiare, që është shkaktuar nga pezullimi i biznesit gjatë kohës së epidemisë.

Për t'i mbijetuar sfidës, disa prej tyre kanë zgjedhur të vazhdojnë biznesin në internet.

Chen Jiahe, kryezyrtari i investimeve në kompaninë "Novem Arcae Technologies" të Shangait, thotë:

"Në fakt, për shumë industri është shumë e vështirë. Kam dëgjuar që vetëm rreth 10 deri në 20 për qind e punonjësve mund të punojnë në internet. Pjesa tjetër prej 80 % nuk mund ta bëjë këtë, siç janë fabrikat dhe kompanitë e logjistikës. Dua të them që çdo sektor po përballet me vështirësi".

Për t'i ndihmuar ndërmarrjet ta kalojnë këtë periudhë të vështirë, autoritetet kanë marrë një sërë masash mbështetëse.

Organeve të pushtetit vendor u është kërkuar të ulin ose të heqin taksat dhe tarifat administrative, kurse institucioneve financiare që të zvogëlojnë normat e interesit të kredive dhe tarifat e shërbimit.

Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme gjithashtu do të ketë prag më të ulët për marrjen e kredive bankare.

Për firmat e huaja, autoritetet kineze kanë premtuar mbështetje, për të rifilluar prodhimin, lidhur me parandalimin dhe kontrollin e epidemisë.

Zëdhënësi i degës së kompanisë "Coca Cola" në Xiamen Qu Li thotë se masat e marra nga autoritetet vendore për ndërmarrjet kanë rritur besimin e tyre.

"Kompania jonë tani po punon nën presionin e kostos, sepse rikthimi në gjendjen e mëparshme kërkon ende kohë. Bashkia e Xiamen-it ka shpallur 15 masa për të ndihmuar kompanitë, të cilat na kanë dhënë mbështetje dhe besim të madh," thotë Qu Li.

Mrekulli
Lajmet Kryesore