Kina ka besim se do ta ulë ndikimin e epidemisë mbi ekonominë kombëtare

2020-02-04 16:31:31 CRI Komenti juaj Printoni

Zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës të Kinës Lian Weiliang u shpreh të hënën në Pekin se ndikimi i epidemisë së pneunomisë së koronavirusit të ri mbi ekonominë kineze varet nga përparimi dhe efektiviteti i parandalimit të epidemisë. Ky ndikim është fazor e i përkohshëm dhe nuk do ta ndryshojë gjendjen themelore të prirjes së mirë të ekonomisë kineze. Ndërkohë, zv.ministri i Tregtisë i Kinës Wang Bingnan theksoi se Kina ka bindjen se do të arrijë fitore në betejën e parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë, dhe shprehu besimin se qeveria dhe subjektet e tregut, që ndodhen në pika të ndryshme të zinxhirit global të furnizimit, do të krijojnë më shumë lehtësi tregtare për mallrat e shërbimet dhe produktet e eksportuara në Kinë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nga gazetarët, Lian Weiliang-u tha se, në gjendjen e tanishme, ndikimi i epidemisë mbi ekonominë, veçanërisht në konsum, është rritur, por sektori i ri i ekonomisë digjitale është gjallëruar.

"Tani jemi në kohën e transportit të Festës së Pranverës dhe vëllimi i transportit e numri i udhëtarëve janë ulur në mënyrë të dukshme. Edhe të ardhurat nga shitja e biletave të kinemave, sektori i turizmit dhe restorantet kanë rënë në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme. Ndërkohë, format e reja të ekonomisë digjitale, si blerjet në internet, porositë në internet e argëtimi në internet, janë gjallëruar," tha Lian Weiliang-u.

Zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës tha po ashtu se disa e kanë përllogaritur ndikimin e epidemisë së tanishme mbi ekonomisë kineze mbështetur te ndikimi i epidemisë së SARS-it të vitit 2003, por në fazën e tanishme, forca ekonomike, baza materiale dhe aftësia për të përballuar emergjencat të Kinës janë rritur në krahasim me periudhën e SARS-it. Kina ka besim se do ta fitojë betejën e parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë dhe ka aftësi të ulë ndikimin e epidemisë te ekonomia kineze.

Epidemia shkaktoi shtyrjen e fillimit të prodhimit të fabrikave në disa provinca kryesore eksporti të Kinës. Lidhur me pyetjen që si do të ndikojë kjo në zinxhirin global të furnizimit, zv.ministri i Tregtisë Wang Bingnan u shpreh se shumë ndërmarrje të tregtisë së jashtme kanë rifilluar prodhimin. Duke zhvilluar betejën e parandalimit të epidemisë, organet e pushtetit vendor dhe departamentet e ndryshme po zbatojnë politika me objektiv të saktë, për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi biznesi të mirë për ndërmarrjet dhe duke ulur barrën e tyre.

"Sipas gjendjes së epidemisë në Kinë, Organizata Botërore e Shëndetësisë mendon se Kina ka bërë një punë të shkëlqyer në parandalimin e kontrollin e epidemisë. OBSh-ja kundërshton masat e kufizimit të udhëtimeve dhe tregtisë me Kinën, ndërkohë që i ka vlerësuar si të sigurta pakot që dërgohen nga Kina. Ne kemi besim që do të arrijmë fitore në betejën e parandalimit e të kontrollit të epidemisë, dhe besojmë gjithashtu se qeveritë dhe subjektet e tregut, në të gjitha fazat e zinxhirit global të furnizimit, do të ofrojnë më shumë lehtësi tregtare për mallrat e shërbimet dhe produktet e eksportuara në Kinë," theksoi zv.ministri i Tregtisë i Kinës Wang Bingnan. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore