Përpjekjet e reja të Kinës për kontrollin e epidemisë

2020-01-28 16:37:54 CRI Komenti juaj Printoni

Qeveria kineze jep fond shtesë për parandalimin e kontrollin e epidemisë

Kina ka dhënë një fond shtesë prej 10 miliardë juanësh (rreth 1.4 miliardë dollarë amerikanë) për shërbimet e shëndetit publik dhe parandalimin e kontrollin e epidemisë.

Fondi do të përdoret kryesisht për të parandaluar dhe kontrolluar përhapjen e pneumonisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.

************

Më shumë ekipe mjekësore po shkojnë në provincën Hubei të Kinës për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.

136 punonjës mjekësorë nga 12 spitale në Pekin shkuan në Wuhan të hënën për të marrë pjesë në luftën kundër epidemisë.

Shangai dërgoi 50 punonjës mjekësorë të tjerë në Wuhan po atë ditë. Javën e kaluar, 136 punonjës mjekësorë nga Shangai shkuan në Wuhan.

Edhe provincat e tjera, duke përfshirë Hainan-in dhe Fujian-in, kanë dërguar staf mjekësor në Wuhan.

Deri në orën 11:00 të 28 janarit, 4130 punonjës mjekësorë nga krahinat e ndryshme të Kinës kanë shkuar në Hubei.

************

Vdekjet nga epidemia e koronavirusit në Kinë kanë arritur në 106, teksa rastet e konfirmuara janë mbi 4500.

Pekini ka regjistruar vdekjen e parë, ndërsa 24 veta të tjerë kanë vdekur në provincën Hubei, që është qendra e shpërthimit të koronavirusit të ri në dhjetor.

Mbi 900 veta janë në një gjendje të rëndë.

Tashmë janë gjurmuar më shumë se 47 000 kontakte të ngushta me njerëzit e infektuar. 900 prej tyre janë nxjerrë jashtë kontrollit mjekësor të hënën.

************

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh të martën se OBSh-ja nuk këshillon tërheqjen e shtetasve të huaj nga Kina.

Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Kinës Wang Yi në Pekin, kreu i OBSh theksoi gjithashtu se duhet të ruhet gjakftohtësia në gjendjen aktuale dhe se është e panevojshme që të bëhet reagim i tepruar. Ai shtoi se OBSh-ja ka besim të plotë te aftësia e parandalimit të epidemisë nga qeveria kineze.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë vuri në dukje gjithashtu se pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit të ri, qeveria kineze mori masa të shpejta e të vendosura për të penguar transmetimin e kësaj sëmundjeje.

************

Një pacient 38-vjeçar i diagnostikuar me pneumoninë e lidhur me koronavirusin, ka dalë nga një spital në Jiangxi, gjë që shënon rastin e parë të shërimit nga kjo sëmundje në këtë provincë.

Burri çoi një shok me makinë në Honghu të Hubeit më 3 janar dhe u kthye në shtëpi pas dy ditësh, duke filluar pas pak të kishte simptomat si ethe dhe kollë.

Ai u diagnostikua me pneumoninë e re dhe u dërgua në një spital në Nanchang të enjten e kaluar.

Një tjetër i sëmurë në Shandong është shëruar gjithashtu dhe është gati të dalë nga spitali.

37-vjeçari është banor i Wuhan-it, por punon në Rizhao. Ai u diagnostikua me pneumoninë e re para një jave.

************

Ministria e Arsimit e Kinës ka njoftuar se provimet e njohjes së gjuhës angleze që japin nxënësit dhe studentët kinezë për t'u regjistruar në universitetet e huaja, do të anulohen në mbarë vendin muajin e ardhshëm, në kushtet e shpërthimit të epidemisë. Provimet përfshijnë TOEFL-in, GRE-në dhe GMAT-in.

Planet e reja të provimeve do të përditësohen mbështetur në ecurinë e kontrollit të epidemisë.

Ministria e Kulturës dhe e Turizmit gjithashtu ka kërkuar që të gjitha provimet në terren për lëndët e artit të pezullohen në shkallë vendi, për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e studentëve.

Mrekulli
Lajmet Kryesore