Francë-Britani-Gjermani, diskutime për marrëveshjen bërthamore iraniane

2020-01-15 10:39:33 CRI Komenti juaj Printoni

Franca, Britania dhe Gjermania njoftuan nisjen e diskutimeve për aktivizimin e mekanizmit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes sipas Paktit Ndërkombëtar për armët bërthamore të Iranit të vitit 2015.

3 vendet shprehën shpresën se ky mekanizëm do të mbrojë marrëveshjen dhe do ta bindë Teheranin t'i rikthehet respektimit të angazhimeve të tij.

Josep Borrell është përfaqësues i lartë i BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë. Ai theksoi që ky vendim nuk synon rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit.

"Ky mekanizëm synon të zgjidhë çështjet e lidhura me zbatimin e marrëveshjes nën kornizën e komisionit të përbashkët. Mendoj se duhet të qartësohet se synimi është gjetja e rrugëdaljes dhe rifillimi i zbatimit të plotë brenda sferës së kësaj marrëveshjeje," tha Josep Borrell.

Sekretari i jashtëm i Britanisë Dominic Raab thotë që vendi i tij po punon me ShBA-në dhe partnerët europianë për një nismë më të gjerë.

"Në fakt, jo vetëm presidenti Trump, por edhe presidenti Macron ka argumentuar për një marrëveshje më të gjerë me Iranin, që thekson se marrëveshja JCPOA nuk është perfekte, por sipas nesh, është më e mirë që kemi aktualisht në tryezë," thotë Raab.

ShBA-ja ka shtuar presionin ndaj Iranit me sanksione pas tërheqjes së saj të njëanshme nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018.

Në reagim të veprimit të ShBA-së, Irani nisi tërheqjen graduale nga angazhimet bërthamore.

Lidhur me vendimin e 3 fuqive europiane, Teherani deklaroi që ky është një hap "pasiv" pasi edhe pse mekanizmi nisi një vit më parë, "asgjë e re nuk ka ndodhur në praktikë". (Jiang Lei/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore